
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka shtruar mbrëmë iftarin e parë të Ramazanit, ku morën pjesë Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, përfaqësues të komuniteteve fetare në vend, ambasadorë, përfaqësues të partive politike, personalitete publike, gazetarë, zyrtarë qëndror dhe lokal, sipërmarrës, myftinj, imamë dhe besimtarë.
Kryetari i Komunitetit Mysliman, H. Bujar Spahiu, i uroi të pranishmëve mirëseardhjen duke shtuar se Ramazani është muaj reflektimi, dashurie dhe paqeje.
“Ramazani është më shumë se një periudhë kohore e agjërimit dhe e sakrificës; është një mundësi për të rishikuar dhe rivlerësuar qëllimin dhe thelbin e jetës. Ky muaj i bekuar është një udhëtim shpirtëror, që na fton të përballim kufizimet e trupit për të shpërblyer shpirtin, të largojmë gjithçka që na ndalon të arrijmë paqen e vërtetë dhe të kthehemi në një gjendje të përpjekjes për përsosmëri”, tha ndër të tjera kreu i KMSH-së.
Komuniteti Mysliman e ka kthyer në traditë shtrimin e iftarit të parë të Ramazanit. Nëpërmjet kësaj tryeze, institucioni i myslimanëve shqiptarë bashkon figura të rëndësishme të jetës publike, të cilët vijnë për të nderuar e respektuar sakrificën e myslimanëve në muajin më të rëndësishëm të kalendarit islam.















































