Medreseja e Tiranës, një nga institucionet më të vjetra dhe më të rëndësishme arsimore në Shqipëri, festoi 100-vjetorin e saj.
Në nder të këtij viti jubilar, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë organizoi një recepsion ku morën pjesë, përfaqësues të institucioneve të ndryshme shtetërore, përfaqësues të komuniteteve fetare të vendit, trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, ish-nxënës, mësues, përfaqësues organizatash, myftinj dhe qindra të ftuar nga i gjithë vendi.
Ceremonia nisi me himnin kombëtar dhe leximin e disa ajeteve nga Kurani Famëlartë, të sjella për të pranishmit nga Drejtori i Arsimit në KMSH, z. Elton Karaj.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, në fjalimin e tij përshëndetës, e cilësoi Medresenë e Tiranës si yllin polar të arsimit dhe kulturës islame në Shqipëri. Ai theksoi se ky institucion nuk ka qenë vetëm një shkollë, por një vatër dijeje, qytetarie dhe atdhedashurie që ka ndriçuar breza të tërë.
“Medreseja e Tiranës mbushi një shekull. Në këtë vatër dijeje është farkëtuar së bashku me besimin në Zot dhe moralin e bukur edhe atdhedashuria, toleranca e qytetaria. Ne ndihemi vërtetë krenarë për këtë vatër shekullore dijeje, e cila ka rrezatuar dhe ka qenë ylli polar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë përgjatë gjithë këtij shekulli.” – tha z. Spahiu, ndërsa përkujtoi edhe mësuesit e parë të medresesë dhe ata që sakrifikuan gjithçka për përhapjen e dijes dhe ruajtjen e identitetit kombëtar e fetar.
Ky aktivitet u përshëndet gjithashtu edhe nga Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, z. Taulant Balla, i cili vlerësoi rolin historik dhe edukativ të Medresesë së Tiranës në edukimin e brezave të rinj.
“Ky përvjetor është një moment krenarie por edhe një moment reflektimi. Në këtë rrugëtim historik kjo vatër dijeje ka patur një ndikim të jashtëzakonshëm në arsimimin e shumë brezave. Që prej themelimit të saj, Medreseja ka qenë më shumë sesa thjeshtë një institucionarsimor, ajo ka qenë dhe mbetet një udhërrëfyese për dijen, për vlerat e besimit, për formimin moral e kulturor të të rinjve të vendit tonë.” – u shpreh z. Balla.
Ndërsa, Drejtori i Medresesë së Tiranës, z. Ndriçim Gjimi, në fjalën e tij të rastit theksoi se ky përvjetor është një ditë krenarie dhe reflektimi për historinë dhe të ardhmen e shkollës.
“Medreseja ka qenë jo vetëm një qendër arsimore, por edhe një vatër që ka formuar individë të ndritur, qytetarë të ndërgjegjshëm dhe liderë të së ardhmes. Falë vizionit dhe punës së shumë brezave, shkolla jonë sot është një institucion që qëndron krenare për të kaluarën, ndërsa sheh me optimizëm drejt së ardhmes.” – tha ai, duke falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë rrugëtim shekullor.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të ndiqnin një dokumentar të shkurtër mbi historinë e Medresesë, duke rikthyer në kujtesë momentet dhe emrat që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tashmë 100-vjeçarë të këtij institucioni.
Ceremonia përfundoi me urime dhe mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar në suksesin e Medresesë së Tiranës, teksa u pre në mënyrë simbolike edhe torta e këtij momenti jubilar.
Urime 100-vjetorin dhe suksese të mëtejshme këtij institucioni me vlera të larta për arsimin, kulturën dhe shoqërinë shqiptare!