Me rastin e 100-vjetorit të themelimit të institucionit, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, zhvilloi ditën e djeshme pritjen e rastit në ambientet e “Tirana International Hotel”.
Në këtë recepsion, morën pjesë: Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj, krerët e komuniteteve të tjera fetare të vendit tonë, përfaqësuesit e trupës diplomatike me seli në Tiranë, Kryetarët e Bashkësive Fetare Islame të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe ata të Diasporës, myftij dhe imamë të shumtë të KMSH-së, drejtues të lartë institucionesh publike e private, intelektualë, akademikë, historianë, si dhe bashkëpunëtorë të ndryshëm të institucionit ndër vite.
Kjo mbrëmje nisi me leximin e disa ajeteve të Kuranit Famëlartë nga imami i xhamisë “Et’hem Bej”, njëkohësisht edhe moderatori i programit, z. Elton Karaj.
Për të vijuar më pas me himnin kombëtar dhe fjalën përshëndetëse të Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i cili pasi falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, u shpreh krenar për 100 vitet histori të institucionit dhe entuziast për atë ç’ka premton e ardhmja në përhapjen me dinjitet të mesazhit të paqtë të fesë Islame në vendin tonë.
“Në çdo moment deçiziv që i takon pavarësisë, shtet-formimit dhe konsolidimit të shtetit shqiptar, prijësit e fesë islame kanë qenë aty dhe kanë dhënë kontribut domethënës e definitiv që tashmë janë kalitur në historinë e kombit tonë. Në këtë shekull plot sfida, Komuniteti Mysliman i ka shërbyer fesë Islame me besnikëri, përkushtim e devocion të lartë. Jam i bindur se, me ndihmën e Zotit, i tillë do të jetë kontributi jonë edhe në të ardhmen në përçimin e drejtë dhe të paqtë të mesazhit të Zotit, vijimin e ruajtjes me fanatizëm të tolerancës dhe harmonisë fetare në vendin tonë, mbështetjen absolute në orientimin pro europian të vendit tonë në çdo proçes që forcon dhe konsolidon demokracinë, të drejtën dhe lirinë e individit. Zoti e bekoftë kombin tonë!” – u shpreh Kryetari Spahiu gjatë fjalës së tij.
Kjo mbrëmje jubilare në historinë e institucionit vijoi më tej me fjalën përshëndetëse të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj, i cili bëri një rezyme të shkurtër të kontributit të klerit mysliman në etapat më të rëndësishme të historisë së kombit tonë.
“Në këto 100 vjet të veprimtarisë së tij, Komuniteti Mysliman ka dëshmuar se shërbimi ndaj kombit dhe ndaj besimit janë vlerë dhe mision. Kushdo njeh historikun e Komunitetit Mysliman Shqiptar, preket nga thelbi dhe karakteri patriotik që qëndron në themel të formimit të këtij institucioni. Në këtë përvjetor e kemi detyrim moral dhe patriotik, të nderojmë kujtimin e atyre klerikëve myslimanë, një pjesë prej të cilëve themelues dhe drejtues të këtij institucioni që u persekutuan për shkak të ushtrimit të besimit, një e drejtë themelore njerëzore e mohuar nga regjimi diktatorial. Unë jam besimplotë se klerikët e sotëm myslimanë shqiptarë, ashtu dhe ata të komuniteteve të tjera, si udhëheqës shpirtërorë, do të vijojnë të punojnë së bashku, për të frymëzuar shqiptarët për t’u angazhuar së bashku, pavarësisht besimit fetar, për përparimin dhe begatinë e vendit, për mirëqenien e shtëpisë sonë të përbashkët, Shqipërisë.” – u shpreh Presidenti në fjalën e tij të rastit.
Një tjetër moment i veçantë i kësaj mbrëmjeje, që zuri vend fill pas fjalëve përshëndetëse, ishte edhe prerja e tortes, simbolikë e këtij 100-vjetori, nga Kryetari i Komunitetit Mysliman dhe Presidenti i Republikës.
Më tej, kjo mbrëmje vijoi në formën e diskutimeve të lira ndërmjet të pranishmëve.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, gjen rastin të falenderojë të pranishmit për pjesëmarrjen e mbrëmshme dhe të gjithë bashkëpunëtorët e afërt ndër vite, të cilët kanë kontribuuar në forma të ndryshme në zhvillimin e këtij institucioni, si në qendër po ashtu edhe në rrethe nëpërmjet myftinive.