Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, në bashkëpunim me Atasheun Fetar të Mbrëtërisë së Arabisë Saudite në Bosnje Hercegovinë, dhe me koordinimin e Ambasadës së Arabisë Saudite në Tiranë, zhvilluan ditën e djeshme në ambientet e Medresesë së Tiranës, ceremoninë e inaugurimit të projektit të dhurimit të iftareve, pakove me ndihma ushqimore dhe hurmave nga Shërbëtori i Dy Xhamive të Shenjta, Selman Bin AbdulAziz.

Në këtë ceremoni, morën pjesë, Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu, Ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë, z. Fajsal Gazi Hifdhi, Atasheu Fetar i të njejtit vend në Bosnje Hercegovinë, Amir al-Anezi si përfaqësues i Ministrit të Çështjeve Fetare në Arabinë Saudite, Abdul-Latif bin Abdul-Aziz Al Shejkh, Drejtori i Medresesë Tiranë, z. Ndriçim Gjimi si dhe dhjetëra besimtarë përfitues të pakove të ndihmave të lartëpërmendura.

Në fjalën e tij të rastit, Ambasadori Hifdhi, pasi falenderoi të gjitha palët që bënë të mundur realizimin e kësaj nisme, u shpreh se projekte të tilla të vazhdueshme janë tregues i marrëdhënieve të forta ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë. Më tej, ai uroi të gjithë besimtarët për një muaj Ramazani sa më të paqtë e të begatë.

Ndërsa, Kryetari Spahiu, tha se gëzimi i zemrave të nevojtarëve është një moral islam i lartë, me të cilin besimtari afrohet me Krijuesin e Gjithësisë. Gjithashtu ai shprehu vlerësimet dhe falenderimet më të sinqerta për të gjithë titullarët e lartëpërmendur që i dhanë jetë këtij projekti.

Pas përfundimit të këtij programi, i cili u mbyll me shpërndarjen e pakove të ndihmave për familjet në nevojë, të pranishmit, së bashku me myftinj të rretheve të ndryshme dhe pedagogë të Kolegjit Universitar “Bedër”, morën pjesë në iftarin e shtruar me këtë rast në ambientet e “Tirana International Hotel”, iftar ky pjesë e projektit të lartëpërmendur.

Falë këtij projekti Komunitetit Mysliman do t’i dhurohen 5 ton hurma arabe, pako ushqimore për qindra familje në nevojë si dhe sofra iftari për agjërues në qytete të ndryshme të vendit.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë