Sot, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përkujton një nga ngjarjet më të rëndësishme kombëtare që prej shpalljes së pavarësisë së vendit, mbajtja e Kongresit të Parë Mysliman Shqiptar, më 24 shkurt 1923.
Ky Kongres përfaqëson organizimin fetar mbi baza kombëtare të shumicës mbizotëruese të popullsisë shqiptare.
Është me vend të theksohet për mbarë opinionin publik shqiptar rëndësia që ka mbajtja e këtij Kongresi dhe largpamësia e prijësve myslimanë shqiptar, pasi është i pari kongres në mbarë botën islame, në historinë moderne.
Në kontekst historik, ky Kongres nuk ka marrë vëmendjen historike që i takon nga studiuesit dhe historianët.
Ishte iniciativa e klerikëve myslimanë thirrja e këtij Kongresi më 23 shkurt 1923.
Qeveria e kohës lejoi mbledhjen e tij për formimin e Këshillit të Myslimanëve Shqiptar.
Kjo ngjarje nuk kishte vetëm vlera fetare apo shpirtërore, mbledhja e Kongresit i kapërcente së tepërmi interesat e fushës përkatëse.
Për vetë kushtet në të cilat ndodhej vendi ynë dhe vetë organizimi i besimeve fetare në Shqipëri, nisma të tilla, edhe pse në rrafsh fetar, merrnin ngjyresa të theksuara politike kombëtare me rëndësi të veçantë për të ardhmen jo vetëm të islamit në Shqipëri, por dhe për konsolidimin e shtetit shqiptar dhe për ardhmërinë e mbarë kombit shqiptar.
Me këtë bindje rrethet e besimtarëve myslimanë i hynë punës për organizimin e Kongresit, synimi i të cilit ishte mëvetësimi.
Myslimanët shqiptarë kanë një kontribut të pa zëvëndësueshëm në ruajtjen e identiteti tonë gjeografik dhe kombëtar.
Bashkësia islame shqiptare ishte e vetëdijshme se domosdoshmëria e marrjes së masave për organizimin e saj mbi baza kombëtare dhe sa më përparimtare, kushtëzohej, veç të tjerash edhe nga pozita gjeopolitike e vendit tonë.
Nën udhëheqjen e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në të cilën dijetarët myslimanë luajtën një rol parësor, popullsia myslimane shqiptare gjithashtu dhe mbarë populli ynë, doli nga sundimi i Perandorisë Osmane me identitetin e vet kombëtar të njësuar, të përcaktuar dhe të shprehur pa kurrfarë mëdyshjeje.
Nismëtarët, organizatorët dhe drejtuesit e këtij kongresi morën pjesë në atë kuvend me ide dhe koncepte të qarta dhe plotësisht të vetëdijshëm për vendimet që do të merrnin.
Kështu, sipas Statutit të miratuar nga Kongresi i Parë vihet re qartë largpamësia dhe qartësia që ata dijetarë kishin.
Disa nga Detyrat e Këshillit të Sheriatit (Divanit):
1- “Të sigurojë njisin ndërmjet muhamedanëve, duke respektuar doket, dogmat e tarikateve dhe të shfaqë shpirtin liberal dhe njerzuer të muhamedanizmës, me një zhvillim modern e kombëtar, duke bërë reforma.”
2- “Të ngrejë institute fetare për me nxjerrë imamë, hatiba, vaiza, myftij, myderrizë, shejhë e teologë dhe të përmirësojë medresetë mbas reformave të reja…”
Këto ide e kanë udhëhequr gjatë gjithë veprimtarisë së tij Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, deri në ditët e sotme.
Në atë Kongres, atdhetari i mirënjohur Vehbi Agolli në fjalën e tij nënvizonte fitoren e madhe historike të shqiptarëve në Kuvendin e Vlorës me Shpalljen e Pavarësisë, si dhe vulosjen përfundimtare më pas në Kongresin e Lushnjës.
Gjithashtu në atë kongres u vendos:
ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I “BASHKËSISË ISLAME TË SHQIPËRISË” DO TË ISHTE I PAVARUR PREJ NDONJË QENDRE TJETËR FETARE TË HUAJ, CILADO QOFTË AJO.
Asnjë reformë e ndërmarrë në këtë kongres nuk prekte themelet e fesë islame, Kuranit dhe Sunnetit të Profeti (a.s.).
Detyrë parësore e Këshillit të Lartë të Sheriatit shtrohej, gjithashtu, përmirësimi i arsimit fetar mbi baza kombëtare shqiptare dhe moderne, siç thuhej shprehimisht, “mbas reformave të reja”, “simbas shekullit të sotshëm”.
Përgatitja e literaturës dhe tekste në gjuhën amtare.
Kongresi sanksionoi me statut karakterin etnik shqiptar të përbërjes së Këshillit të Lartë të zgjedhur prej tij.
Me vendimet e Kongresit “Bashkësia Islame Shqiptare” u shkëput, tashmë edhe juridikisht, nga qendra e saj botërore në Stamboll, plot një vit më parë se ajo të abrogohej nga Mustafa Qemali.
Kongresi programoi shqipërimin e veprave fetare islame, duke mos përjashtuar edhe vetë Librin e Shenjtë, Kuranin Famëlartë.
Një masë e tillë shënonte aso kohe një hap të madh përpara.
Në realizimin e kësaj detyre u angazhuan teologë të mirënjohur, fetarë dhe laikë. Midis tyre shquhet mbi të gjithë kleriku atdhetar Hafiz Ibrahim Dalliu.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është krenar për të gjithë prijësit e tij ndër vite dhe besimtarët myslimanë, të cilët historikisht kanë ditur të jenë në rreshtin e parë sa i përket çështjes kombëtare, tolerancës, ruajtjes së paqes dhe kohezionit social në vend, ashtu siç është edhe vetë feja islame.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë