Mijëra besimtarë myslimanë të Shkodrës, morën pjesë sot, më 13 nëntor 2015, në faljen masive të namazit të xhumasë, në sheshin para xhamisë së Plumbit, në përkujtim të ceremonisë së papërsëritshme të rihapjes masive të xhamisë së Plumbit, më 16 nëntor 1990.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin besimtarë të shumtë nga të gjitha xhematet e xhamive të qytetit dhe fshatit, që kishin ardhur për të marrë pjesë në këtë falje të veçantë, në një atmosferë të mrekullueshme besimi dhe harmonie islame.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin drejtues të lartë të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, si H. Bujar Spahiu, nënkryetar i KMSH-së, H. Islam Hoxha, kryetar i Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së dhe njëherazi dhe Myfti i Kukësit, anëtarë të Kryesisë së KMSH-së, z. Astrit Zharri, z. Dorian Demetja dhe Dr. Genti Kruja, Imam Muhamed Sytari, Myfti i Zonës Shkodër, H. Agim Duka, Myfti i Elbasanit, H. Edmir Smajlaj, Myfti i Malësisë së Madhe, H. Eduart Demiraj, Myfti i Tropojës, H. Agim Terziu, Myfti i Lezhës, H. Gëzim Kopani, Myfti i Pukës, si dhe imamët e qytetit të Shkodrës.
Pas këndimit të ezanit, nga z. Ervin Metani hytbeja e kësaj xhumaje u mbajt nga Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed Sytari, ndërsa falja e xhumasë është drejtuar nga nënkryetari i KMSH-së z. Spahiu.
Në mesazhin e myftiut të Shkodrës të kësaj xhumaje, ai vlerësoi me mirënjohje dhe respekt të gjithë ata të rinj e burra të urtë shkodranë, që 25 vite më parë, morën pjesë në lëvizjen e madhe për rihapjen e xhamisë së Plumbit, e vetmja që kishte ngelur në këmbë, pas 23 vitesh persekutimi dhe dhune ndaj besimit dhe fesë në Shqipëri.
Myftiu përmendi shembullin e H. Hafiz Sabri Koçit, si një njeri i sprovuar në fenë e tij dhe një muxhahid sakrifikues në burgjet e femohimit.
Në mesazhet e kësaj hytbeje, Myftiu ftoi të pranishmit ta jetojnë Islamin në jetën e përditshme, ta nxjerrin atë nga xhamia dhe të ndjehen krenarë për këtë mirësi të madhe të udhëzimit në Islam.
“Sot, në këtë atmosferë të lirë të besimit, në këtë përvjetor jubilar të 25-të të rihapjes së xhamive dhe medreseve tona, e kemi për detyrë ta dëshmojmë veten si thirrës të sinqertë e të vendosur drejt përhapjes së mësimeve të Kur’anit dhe traditave të Hz. Muhammedit (a.s).
Sidomos, ato që lidhen me harmoninë kombëtare, me jomyslimanët, me respektimin e ligjit dhe me distancimin nga dhuna, terrori, ekstremizmi dhe çdo shfaqje joislame, që e njollos fenë dhe bashkësinë tonë të qytetëruar islame! Sepse ekstremizmi dhe terrori nuk kanë fé, ato janë sëmundje që përhapen kudo, ndërkohë që ne, jemi të vendosur në rrugën e paqes, dialogut, harmonisë dhe bashkëpunimit me këdo që bashkohet me ne në këtë nijet të lashtë të besimit dhe përhapjes së vlerave të tij në shoqëritë njerëzore!” – tha ndër të tjera myftiu i Zonës Shkodër.
E xhumaja e sotme u dëshmua si një ditë e lumtur besimi dhe rikujtimi i një ngjarjeje të madher në historinë tonë kombëtare.
Të pranishëm në faljen e kësaj xhumaje të mbushur me emocione dhe gëzim, ishin edhe drejtuesit më të lartë të pushtetit vendor e atij lokal si, znj. Voltana Ademi, Kryetare e Bashkisë Shkodër, znj. Greta Bardeli, Kryetare e Qarkut Shkodër, z. Maxhid Cungu, nënkryetar i Këshillit të Qarkut Shkodër, si dhe drejtues të shoqatave islame në vendin tonë, si z. Tahir Zeneli, Kryetar i Shoqatës “Ardhmëria”, z. Korab Kaja, Kryetar i Fondacionit “Mirësia”, z. Sokol Mandi, Drejtor i Shoqatës “Burimi”, z. Ridvan Seferaj, Kryetar i Shoqatës “Istanbul”, z. Kujtim Dervishi, Drejtor i Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, Shkodër etj.