Më 30 tetor 2014, pushoi së rrahuri zemra e ish-myftiut të Tiranës, H. Hafiz Shaban Saliaj. Pushoi së rrahuri zemra e imamit, mësuesit, edukatorit, njeriut të mirë e të urtë, njeriut që dha një kontribut të madh në rihapjen e shumë xhamive në rrethin e Tiranës, këmba e të cilit nuk la vend pa shkelur e goja të cilit nuk reshti kurrë së foluri plot pasion për Islamin.

Në 5-vjetorin e vdekjes së tij, Komuniteti Mysliman, kolegët e tij të rinj e të vjetër, nxënësit e tij, xhemati i qytetit të Tiranës, njohës të tij nga e gjithë Shqipëria, e kujtojnë Hafizin, si një besimtar të devotshëm, mik të sinqertë, person që kurrë dhe askush nuk mundi ta ndajë nga udha e Zotit.

E lusim Zotin t’i dhurojë atij si shpërblim Xhenetin dhe të prehet i qetë!

Kush ishte H. Hafiz Shaban Saliaj

U lind në Tiranë më 05.11.1934 në një familje besimtare. Pasi mbaron arsimin bazë, vazhdon studimet në Medresenë e Tiranës në vitin 1950, ku dallohet në përvetësimin e lëndëve fetare në përgjithësi e Kur’anit në veçanti. ka shërbyer si imam në dy xhami të Tiranës, ka qenë mësues në Medrese dhe Myfti i kryeqytetit për shumë vite me radhë. Në vitin 1953 merr titullin “Hafiz” dhe ishte i vetmi person, që mori këtë titull gjatë periudhës së komunizmit. Ai nuk e ndau për asnjë moment Kur’anin, të cilin e lexonte për të mos e harruar kurrë. Misioni i tij mbeti si protagonist i personalitetit të një teologu të ndershëm, të ditur dhe të ngritur me ndjeshmëri dhe vizion për Islamin. Gjer në momentin e ndarjes nga jeta shërbeu si kryevaiz me pjesëmarrjen personale në xhami të ndryshme me predikimet e tij, duke u bërë shembull edhe për hoxhallarët e rinj. Ai gjithashtu ishte anëtar i përhershëm i Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman për zonën e Tiranës.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë