Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka zhvilluar sot një ceremoni me rastin e 95 vjetorit të themelimit të tij.

Në këtë përvjetor jubile Presidenti i Republikës së Shqipërisë SH.T.Z. Ilir Meta, i ka akorduar revistës “Zani i Naltë” titullin “Naim Frashëri” me motivacion “Në vlerësim të kontributit të saj të gjithanshëm në promovimin e dijes, historisë dhe besimit, duke u ofruar gjithë besimtarëve, krahas dijeve fetare, edhe mesazhe atdhedashurie, paqeje e mirëkuptimi në dobi të harmonisë dhe bashkëjetesës fetare mes shqiptarëve”, duke ia dorëzuar kreut të KMSH-së H. Skender Bruçaj.

Presidenti i Republikës uroi 95 vjetorin e KMSH-së dhe tha se liderët myslimanë vendosën në themel të institucionit të tyre baza të shëndosha në organizim, arsim, kulturë dhe shtyp të shkruar.

“Në misionin e tij për rrënjosjen e dashurisë për fenë dhe atdheun, Komuniteti Mysliman është mbështetur e ndihmuar prej botimit të revistës së mirënjohur “Zani i Naltë”. Kjo revistë me karakter filozofik, fetar, kulturor, patriotik dhe historik përbën një ushqim shpirtëror për të gjithë shqiptarët që tek besimi për Zotin synojnë lumturinë, qytetarinë, përkushtimin ndaj atdheut si dhe dashurinë për njëri-tjetrit. Shpreh vlerësimin tim maksimal për punën dhe devocionin e botuesve, teologëve dhe gjithë intelektualëve të saj duke i akorduar revistës titullin e lartë “Naim Frashëri” – u shpreh Presidenti i Republikës.

Kryetari i KMSH-së në fjalën e tij përshëndetëse theksoi rëndësinë e themelimit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe misionin e këtij institucioni për përcjelljen e dashurisë ndaj Zotit tek të gjithë njerëzit, dashurinë për njeriun, atdhedashurinë, respektin, bujarinë, edukimin dhe kontributin në mbarëvajtjen e shoqërore.

“Kongresi Mysliman Shqiptar, i mbajtur 95 vite më parë, përfaqëson një ngjarje të rëndësishme jo vetëm për jetën fetare e shoqërore të Shqipërisë, por edhe për jetën politike kombëtare të mbarë popullit tonë. Ai shënon një stad të rëndësishëm në rrugën për reformimin e organizimit islam, në përputhje me kërkesat e kohës. Përherë  hoxhallarët e dijetarët patriotë e atdhetar, bashkë me ruajtjen e forcimin e bashkëjetesës ndër fetare, i mëshonin shumë binomit “Fe-Atdhe” dhe dashurinë për atdheun e konsideronin si pjesë të besimit”-tha kreu i KMSH-së.

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj, gjatë fjalës së tij vlerësoi kontributin e Komuniteti Mysliman ndër vite.

“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për ngritjen e vlerave më të mira shoqërore. Dekorimi i revistës “Zani i Naltë, nga Presidenti i Republikës tregon përpjekjen e KMSH-së për promovimin e kulturës dhe arsimit”- tha Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve.

Kryemyftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava tha se themelimi i KMSH-së siguroi nevojat themelore të besimtarëve në Shqipëri, ngriti institucionet kryesore dhe botoi literaturë në shërbim të fesë dhe kombit.

“Komuniteti Mysliman ka qenë një promovues i përhershëm i atdhedashurisë, arsimit, kulturës dhe harmonisë ndërfetare. KMSH vazhdon misionin e tij në fisnikërimin dhe edukimin e shoqërisë me vlera të larta të bukurës, të drejtës dhe të moralshmes”, tha Kryemyftiu i Kosovës.

Në ceremoninë e rastit ishin të pranishëm Presidenti i Shqipërisë z. Ilir Meta, kryetari i KMSH-së H. Skender Bruçaj, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj, Kryemyftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, përfaqësues të Trupit Diplomatik dhe të bashkësive fetare, klerikë, akademikë, profesorë, studiues, besimtarë, etj.

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë