Të premten, më 13 prill, është nata e mirë e Miraxhit.
Netët e mira janë netët shumë të begata nga ana ideore dhe shpirtërore, ku dhuntitë dhe dhuratat hyjnore shfaqen në sasinë më të madhe.
Në fund të periudhës njëmbëdhjetëvjeçare të pejgamberisë në Mekë, në vitin 621 dhe, sipas pikëpamjes së pranuar, natën e njëzetegjashtë që lidh natën e njëzeteshtatë të muajit Rexheb, Muhamedi (a.s.), me urdhrin e ardhur nga Allahu i Lartë, është dërguar natën nga Mesxhidi Harami, që i themi “Qabe” e që ndodhet në qytetin e Mekës, në Mesxhidi Aksa në Kuds (Jerusalem). Ky dërgim quhet “Isra” që do të thotë “udhëtim natën”. Dhe prej këtu, është ngjitur në qiell, në mjedise të larta hyjnore duke parë shumë shenja e argumente që tregojnë fuqinë dhe madhështinë e të Vërtetit. Kjo ngjitje apo lartësim quhet “Miraxh” dhe i gjithi ky udhëtim është bërë me trup dhe me shpirt nga Profeti (a.s.). Këtë specifikë e bën të qartë në Kuran ajeti i parë i kapitullit “Isra”:
”Nuk ka dyshim se Miraxhi është një eveniment në kundërshtim me ligjet e natyrës që njohim ne. Por nuk është jashtë fuqisë dhe kompetencës së Allahut (xh.sh.). Miraxhi është një ngjarje e posaçme vetëm për Profetin tonë dhe ne i besojmë asaj së bashku me enigmat e panjohura për ne duke qenë se është cekur në Kuran.
Si mund të kapërcehen distanca mijëra vjeçare brenda pak minutave?
Tregohet se Profeti Muhamed (a.s.) në ndodhitë e Israsë dhe Miraxhit për një kohë shumë të shkurtër ka kapërcyer një distancë shumë të madhe. A mund të pranohet kjo logjikisht?
Përgjigje: Lëvizjet janë nga më të shumëllojshmet për Allahun (xh.sh.). Për shembull, dihet se sa të ndryshme janë shpejtësitë e zërit, dritës, elektricitetit, shpirtit dhe imagjinatës me njëra-tjetrën. Shkencërisht ne jemi të informuar edhe për shpejtësitë e yjeve, për të cilët mendja jonë mbetet e shtangur. Atëherë, përse të na vijë çudi kur trupi i Pejgamberit (a.s.) t’i përshtatet shpejtësisë së shpirtit të tij mjaft të shpejtë gjatë natës së Miraxhit?
Njeriut mund t’i vijnë ndër mend një mori gjërash në ëndërr, që mund t’i jetojë brenda një viti. Për më tepër, njeriu sheh dhe dëgjon aq shumë gjëra në një ëndërr saqë kur i mbledh dhe i thotë ato i duhet një ditë e tërë, ndoshta edhe më tepër. Kjo do të thotë se e njëjta kohë e krahasuar sipas dy personave të ndryshëm, herë duket sa një ditë, herë duket sa një vit i tërë. Përfundimisht, është e mundur të pranosh logjikisht se vetëm për disa minuta mund të kalohet një distancë mijëravjeçare.
Historiku i Israsë dhe Miraxhit
Në një natë kur Profeti po flinte në një pjesë të Qabesë, i vjen kryengjëlli Xhibril. Ai i hap gjoksin Profetit dhe pasi e lan zemrën e tij me ujin zemzem, e vendos përsëri në vend. Më pas Profeti hip në një kafshë me ngjyrë të bardhë që ishte më e vogël se mushka dhe më e madhe se gomari. Ai ishte Buraku. Fjala “Burak” vjen prej fjalës “berk”, që do të thotë vetëtimë. Distanca e hapit të tij ishte tej largësisë së shikimit. Muhamedi (a.s.) në shoqërimin e Xhibrilit mbërrin në tempullin e Jerusalemit, ku i prin si imam në namaz të gjithë profetëve të Zotit. Më pas fillon ngjitjen në qiell duke iu zbuluar të gjitha sekretet dhe misteret hyjnore të gjithësisë lëndore dhe shpirtërore. Profetit (a.s.) i prezantohen tri gota; një me ujë, një me sherbet dhe një me qumësht. I dërguari i Allahut zgjodhi dhe piu atë me qumësht. Xhibrili i tha: “Qumështi përfaqëson natyrshmërinë tënde dhe të umetit tënd”. Profeti tregon që Xhibrili u ngjit me mua në qiellin e parë dhe kërkoi që ata të hapen. Një zë e pyeti “Kush je ti?” dhe ai iu përgjigj: “Jam unë, Xhibrili”. Zëri e pyeti përsëri: “Kush është me ty?” dhe ai iu përgjigj: “Muhamedi”. Pastaj ai e pyeti përsëri. “A është koha e shpalljes?” Dhe ai iu përgjigj që ishte. Qielli u hap për ne dhe ja ku pashë Ademin, i cili më uroi mirëseardhjen dhe u lut për të mirën time.
Hadithi vazhdon duke përshkruar Profetin e dashur dhe Xhibrilin duke u ngjitur lart. Në qiellin e dytë ata takuan Isain dhe Jahjanë. Në qiellin e tretë ata takuan Jusufin, simbolin e bukurisë. Profeti Idriz i përshëndeti ata në qiellin e katërt. Në të pestin ishte Haruni, në të gjashtin Musai dhe në të shtatin Ibrahimi. Secili prej tyre e përshëndeti si vëlla Muhamedin e bekuar duke u lutur për të. Kur arriti në sferën më të lartë të Sidretu’l-Muntehasë, Xhibrili u ndal duke i thënë Profetit se deri aty ishte kufiri i tij. Profeti Islam vazhdon më tej i vetëm dhe paraqet para Zotit përshëndetjen e njohur si Et-Tehijatu, të cilën e këndojmë kur jemi ulur në namaz. “Përshëndetjet, respekti, lavdia dhe zotërimi i takon Allahut (xh.sh.)”. Allahu i plotfuqishëm urdhëroi: “Shpëtimi, mëshira dhe bekimi i Zotit janë për ty, o Profeti Im!” I dërguari i Allahut shtoi: “Shpëtimi qoftë për ne dhe për njerëzit e sinqertë të Zotit!” Atëherë, e gjithë bota engjëllore, njëzëri shqiptoi maksimën e dëshmisë, duke dëshmuar njësimin e Allahut të lavdëruar si dhe Muhamedin si rob dhe të dërguarin e Tij.
Këtu profetit i jepen dymbëdhjetë principet e Islamit, që përmenden në ajetet 22-39 të sures Isra:
- Mos i bëni ortak Allahut.
- Respektoni dhe bindjuni prindërve.
- Jepuni te drejtën që u takon të afërmve, të varfërve dhe udhëtarëve.
- Mos shpërdoroni. Mos jini koprracë e as dorëlëshuar.
- Mos i vrisni fëmijët nga frika e varfërisë.
- Mos iu afroni imoralitetit.
- Mos vrisni njeri me pa të drejtë.
- Mos abuzoni me pasurinë e jetimit.
- Mbani premtimet.
- Mos u shmangni prej drejtësisë në matje e peshim.
- Mos ndiqni atë për të cilën nuk keni dijeni dhe përmbahuni nga pohimet e pabaza dhe hamendjet.
- Shmanguni nga mburrja dhe mendjemadhësia.
Profeti Muhamed (a.s.) teksa kthehej nga Miraxhi tek populli i tij plot me dhurata, u shpreh: “Unë s’kam parë ndonjëherë gjë më të bukur se Miraxhi”. Dhuratat ishin:
– Umetit të Muhamedit iu premtua që herët a vonë ata që s’i kanë bërë ortak Zotit, pasi të shpaguajnë gjynahet do të shkojnë në Xhenet.
-Pesë kohët e namazit. Namazet e falura me ndjenjën e ihsanit, adhurimin sikur ti e shikon Zotin, edhe nëse ti nuk e shikon Atë, Ai të sheh ty. Hadithi shpjegon se si Allahu e urdhëroi Profetin që namazi duhej të falej pesëdhjetë herë në ditë nga çdo mysliman, burrë apo grua. Gjatë rrugës së kthimit, ai takoi Musain, i cili i thotë se njerëzit nuk mund të kryenin kaq shumë. Ai me përulësi u rikthye disa herë në prezencë të Allahut derisa numri u zvogëlua në pesë. I Dërguari i Allahut do të shprehej më vonë se “Namazi është Miraxhi i besimtarit”.
-Kishte sjellë nga kjo gosti hyjnore dy ajetet e fundit të sures Bekare të njohura si “Ameneresulu…” Në ajetin e parë tregohen me radhë kushtet e besimit si dhe urdhërohet besimi në të gjithë pejgamberët dhe librat që u janë zbritur atyre duke treguar kështu një tolerancë të jashtëzakonshme. Gjatë gjithë historisë myslimanët janë mbështetur në këtë ajet, duke demonstruar paqe dhe drejtësi ndaj jomyslimanëve. Në vargun e fundit tregohet që askujt nuk i ngarkohet një barrë përtej mundësive të tija dhe çdokush e jeton Islamin në bazë të mundësive, fuqisë dhe kapacitetit që posedon.
Rrëfimi i mësipërm i prezantuar në përmbledhjen e haditheve të Imam Buhariut, përbën momentin kulmor të kauzës profetike. Dhe meqenëse Muhamedi (a.s.) është “Vula e të Dërguarve” dhe profeti i fundit, myslimanët besojnë se ky është momenti kulmor i historisë së shenjtë. Është mbresëlënës për shembull fakti se Miraxhi i Profetit mori udhë në një drejtim që bashkon Mekën me Jerusalemin. Ndaj profeti i fundit, pasardhës i Ismailit, në momentin më të lartë të kauzës së tij, u bë urë lidhëse mes këtyre dy vendeve. Është e qartë se misioni i tij është mbyllja e të çarave midis dy degëve më të mëdha të familjes së Ibrahimit. Feja e re e prezantuar për herë të parë në Mekë, ishte për nderim e jo për përçmimin e vendeve dhe simboleve të profetëve të tjerë dhe epokave të tjera. Jo vetëm vendet, por edhe njerëzit duhet të përfshihen në këtë përqafim.