falja e fiter bajramit (6)

Mijëra besimtarë myslimanë si asnjëherë tjetër mëngjesin e së enjtes kanë mbushur bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të falur e festuar Fitër Bajramin.

Të enjten, më 8 gusht 2013, që në mëngjes herët, segmenti i bulevardit para ish- hotel “Dajti”, i kthyer tashmë në sheshin tradicional të faljes së bajrameve për kryeqytetin shqiptar, qe mbushur nga mijëra besimtarë myslimanë, që kishin ardhur për të marrë pjesë në ceremoninë  e Fitër Bajramit. Ata ishin të profesioneve dhe të të gjitha moshave. Për të prezantuar në këtë ceremoni kishin ardhur edhe qindra qytetarë kureshtarë, të cilët rrethonin dy anët e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Para faljes së namazit, besimtarët ndoqën një program të shkurtër të drejtuar nga teologu Elton Karaj pjesë e të cilit ishin tekbire, salavate dhe ilahi. Mesazhe urimi përcollën në këtë ditë festive Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Selim Muça dhe nënkryetari Bujar Spahiu. Kryetari Muça theksoi se kjo ditë mbart një rëndësi të veçantë pasi çdo mysliman kurorëzon sakrificën dhe përkushtimin e tij të bërë gjatë Ramazanit dhe qëndron në pritje të shpërblimit prej Zotit. “Kjo ditë është e bekuar nga i Madhi Zot, sepse në të, ju prisni shpërblimin e Tij për adhurimet dhe punët e mira që keni kryer. Urime për detyrën që kryet dhe për shpërblimin e madh që ju pret e për kënaqësinë e Zotit që fituat”, u shpreh në mesazhin e tij Kryetari Muça.

Ndërsa nënkryetari Bujar Spahiu tha se secila prej festave islame është caktuar pas kryerjes së një obligimi madhor, pas kryerjes së të cilit ne ftohemi të shprehim mirënjohjen dhe falënderimin ndaj Zotit, si shenjë e devotshmërisë sonë. “Pas kryerjes së një detyre të shenjtë, Zoti na caktoi që të festojmë, në shenjë mirënjohjeje për mundësinë që na dha t’i bindemi urdhrit të Tij”, tha z. Spahiu.

Z Spahiu përmendi disa nga vlerat dhe urtësitë  e kësaj dite të shënuar për familjen islame, kur tha se, Zoti  na urdhëron që bajrami duhet të festohet dhe të përjetohet nga të gjithë. “Në përfundim të agjërimit ne dhurojmë Sadakanë e Fitrit, duke plotësuar një obligim hyjnor dhe shlyer një detyrë humane e njerëzore. Kështu e kalojmë këtë festë të gjithë së bashku të gëzuar e të kënaqur”.

Faljen e namazit e ka udhëhequr nënkryetari i KMSH-së H. Bujar Spahiu ndërsa  më pas Myftiu i Tiranës, H. Ylli Gurra ka mbajtur hytben e rastit.

Në fjalën e tij drejtuar besimtarëve dhe qytetarëve që kishin mbushur sheshin si asnjëherë tjetër, z. Gurra theksoi se Ramazani për myslimanët qe një periudhë që u karakterizua nga një sërë detyrimesh, të cilat u kryen prej tyre me devotshmërinë e duhur. Përfundimi me sukses i agjërimit, sipas tij,  u jep besimtarëve kënaqësinë më të madhe shpirtërore kur kujtojnë fjalët e Allahut: “Agjërimi është Imi dhe Jam Unë që do të shpërblej për të”.

Myftiu Gurra ka shfrytëzuar momentet e kësaj dite të shënuar për t’u lutur për të mirën e myslimanëve dhe prosperitetin e shoqërisë shqiptare, duke shtuar se: “Fitër Bajrami është festë që na shton besimin në të ardhmen, që na shton optimizmin për të nesërmen, për jetën. Urimi “Për shumë vjet Bajramin!” përmbledh në vetvete forcën shpirtërore për të kryer detyrat e mëdha që kemi përpara në shërbim të Islamit, kombit dhe Atdheut tonë të shtrenjtë”.

Në një atmosferë emocionuese, pjesëmarrësit në ceremoni janë përshëndetur me kryetarin H. Selim Muça, drejtuesit e Komunitetit Mysliman duke uruar dhe ndarë me njëri-tjetrin gëzimin e kësaj dite të madhe kuptimi i së  cilës është ditë paqeje, ditë faljesh e fitimesh morale, ditë fituesish e mirësish.

Besimtarët myslimanë në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë festuan sot ditën e Fitër Bajramit, festë e cila shënoi mbylljen e muajit të Ramazanit, që nisi më 9 Korrik 2013.

falja e fiter bajramit (8)

falja e fiter bajramit (2)falja e fiter bajramit (3)falja e fiter bajramit (4)falja e fiter bajramit (7)falja e fiter bajramit (5)   falja e fiter bajramit (9)  falja e fiter bajramit (11)falja e fiter bajramit (12)falja e fiter bajramit (13)falja e fiter bajramit (1)falja e fiter bajramit (10)

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë