Cikli i mbrëmjeve fetare “Frytet e Besimit” u zhvillua dje pas namazit të akshamit në Xhaminë e Parrucës në Shkodër.
Dhjetra besimtarë ishin të pranishëm për të përfituar nga urtësitë dhe mesazhet e këtyre mbrëmjeve fetare.
Programi filloi me leximin e ajeteve Kur’anore nga student i Shkencave Islame në Universitetin Bedër, Fatjon Shemshedini.
Për të ligjëruar ishin të pranishëm nënkryetari i KMSH-së, z. Bujar Spahiu dhe pedagogu i Shkencave Islame në Universitetin Bedër, Dr. Xhemal Saferti.
Nënkryetari i KMSH-së në ligjëratën e tij u fokusua në personalitetin e Profetit Muhamed a.s dhe shembullin e tij të përkryer.
“Muhamedi a.s ishte si një dritë (nur) për njerëzimin. Profeti ynë a.s ishte dëshmitar në mesin e njerëzve, për t’u dëshmuar argumentet e Zotit. Ai a.s ishte përgëzues dhe këshillues i umetit të tij, zotëronte një moral aq të lartë, të cilësuar nga Kurani “moral i lartë” dhe të pamundësuar për askënd gjer atë ditë. Ai ishte gjithmonë i butë, paqësor dhe i ekuilibruar, ishte një prijës dhe mësues i mrekullueshëm”, tha z. Spahiu.
Ndërsa pedagogu i Shkencave Islame në Universitetin Bedër, Dr. Xhemal Saferti foli për afrimin e muajit të shenjtë të Ramazanit dhe si duhet pritur ai nga besimtarët.
“Gjëja e parë që duhet bërë për pritjen e Ramazanit është pendesa, pastrami i zemrës nga gjynahet, kthimi për tek Allahu xh.sh. Mëkati është një tërmet, i cili shemb ndërtesën e quajtur shpirt dhe e mbulojnë zemrën duke u bërë pengesë e dritës së besimit. Në këtë mënyrë, gjatë kësaj kohe të kërkojmë falje tek Allahu, të shtojmë adhurimet dhe të bëjmë dua me lot në sy, që ta presim këtë muaj ashtu si e meriton”, tha z. Saferti.
Në fund të programit myftiu i Shkodrës, z. Muhamed Sytari falënderoi ligjëruesit dhe tha se këto tubime sjellin dritë dhe fryte besimi, rizgjonë ndjenjën e besimit dhe rimikëmbin vlerat islame.