Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka shtruar mbrëmë iftarin e parë të Ramazanit, ku morën pjesë presidenti i Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z. Ilir Meta, zv/kryeministrja, znj. Senida Mesi, ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, z. Blendi Klosi, Prefektja e Tiranës, znj. Suzana Jahollari, kryetarja e Komitetit Shtetëror për Kultet, znj. Loreta Aliko, përfaqësues të komuniteteve fetare në vend, ambasadorë të vendeve të ndryshme të akredituar në Tiranë, njerëz në nevojë, individë me aftësi të kufizuara, besimtarë, imamë drejtues institucionesh si dhe shumë figura të jetës fetare, politike e shoqërore.
Kryetari i Komunitetit Mysliman, z. Skender Bruçaj, i uroi të pranishmëve mirëseardhjen duke u lutur që Ramazani i këtij viti të sjellë më shumë begati, paqe e mirësi në mesin e shqiptarëve.
“Ramazani është muaji i paqes, i solidaritetit dhe i mëshirës hyjnore. Ai është muaji në të cilin dalin në pah vlerat, që simbolizojnë moralin e lartë shoqëror dhe agjërimi i këtij muaji i afron besimtarët më shumë me vlerat e humanizmit, respektit ndaj tjetrit, bamirësisë, sinqeritetit, etj. Çdo besimtar, gjatë këtij muaji, ndihet më afër dhe më mirënjohës ndaj mirësive të Zotit të botëve. Agjërimi nuk është thjesht privimi nga të ngrënët dhe të pirët, por simbolizon mposhtjen e egos e të unit dhe qëndrimin larg tundimeve të tyre”, tha ndër të tjera z. Bruçaj.
Komuniteti Mysliman e ka kthyer në traditë shtrimin e iftarit të parë të Ramazanit. Nëpërmjet kësaj tryeze, institucioni i myslimanëve shqiptarë bashkon figura të rëndësishme të jetës publike, të cilët vijnë për të nderuar e respektuar sakrificën e myslimanëve në muajin më të rëndësishëm të kalendarit islam.