Në kuadër të Muajit të Bekuar të Ramazanit, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Gramoz Ruçi, shtroi një darkë iftari për Komunitetin Mysliman të Shqipërisë.
Përpos stafit të institucionit, në iftar ishin të pranishëm gjithashtu edhe përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare të vendit, deputetë, gazetarë, drejtues institucionesh publike e private, personalitete dhe myftinj të rretheve të ndryshme të vendit.
Në fjalën e tij përshëndetëse Kryetari i Kuvendit u ndal në vlerat humane që kultivon për shoqërinë tonë të përbashkët muaji i Ramazanit.
“Këtu jemi në një familje të madhe, ku secili është i respektuar dhe i barabartë me të tjerët. Ku besimi te Zoti plotësohet nga besimi te njëri-tjetri dhe vlerat, që na ndriçojnë udhën. Ku dashuria për Zotin jetëtsohet në dashurinë për njëri-tjetrin dhe për atdheun. Ku sakrifica për atë që besojmë, shprehet nga ndihma për të varfërit e të ndryshmit nga ne”- tha ai.