Drejtues të lartë të shtetit dhe personalitete të jetës fetare, politike e shoqërore kanë vizituar sot selinë e Komunitetit Mysliman për të uruar besimtarët myslimanë me rastin e Kurban Bajramit.

Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, gjatë vizitës së tij përcolli urimet më të mira për Kurban Bajramin dhe uroi të gjithë besimtarët për sa më shumë begati, paqe, mbarësi dhe vëllazëri me njëri-tjetrin.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, gjatë vizitës në KMSH, uroi të gjithë besimtarët për Kurban Bajramin me shpresën se kjo festë do të sjellë mbarësi dhe të mira për të gjithë.

Mesazhe urimi përcollën edhe kryetarja e Komitetit Shtetëror për Kultet znj. Loreta Aliko, deputetë, politikanë, përfaqësues të partive politike në vend, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë.

Pjesë e kësaj dite të begatë e festive u bënë edhe drejtues të komuniteteve fetare, Kreu i Kishës ortodokse Anastas Janullatos, përfaqësues nga Kisha Katolike, z. George Frendo dhe Don Henry, kreu i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, z. Ylli Doçi,  personalitete të jetës publike, përfaqësues të shoqatave bamirëse, drejtues të institucioneve arsimore islame, si dhe një numër i madh besimtarësh e qytetarësh të kryeqytetit.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë falënderon të gjithë drejtues të lartë të shtetit dhe personalitetet e jetës fetare, politike e shoqërore, si dhe të gjithë shqiptarët që kanë dërguar mesazhe urimi me rastin e kësaj dite të shënuar.

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë