Gjatë muajve korrik-gusht dhe shtator-tetor 2018, Universiteti el-Ez’her në Kajro të Egjiptit ka organizuar një program trajnimi për imamët e rinj të ardhur nga vende të ndryshme të botës.
Ceremonia e përfundimit të trajnimit për grupin e dytë është zhvilluar më datë 25 tetor 2018 nën kujdesin e Imamit të madh, Shejhut të Ezherit, Prof. Dr. Ahmed Tajib dhe me pjesëmarrjen e Kryetarit të përgjithshëm të Institutit për Kërkime Islame, Prof. Dr. Muhjidin el- Afifi. Në këtë ceremoni morën pjesë gjithashtu edhe personalitete të ndryshme si, ambasadorë dhe përfaqësues të shumtë nga bota akademike.
Pjesëmarrësit në këtë trajnim vinin nga vende të ndryshme si; Malajzia, Kina, Australia, India, Pakistani, Shqipëria, etj. Ky trajnim synon specializimin e imamëve në shkencat e besimit, gjuhë arabe, metodat e thirrjes në Islam dhe çështje të tjera të lidhura me Shkencat Islame në përgjithësi.
Për herë të parë në këto dy trajnime gjatë katër muajve morën pjesë edhe 13 studentë të Shkencave Islame, të ardhur nga Kolegji Universitar Bedër, një pjesë e të cilëve ushtrojnë dhe do të ushtrojnë detyrën e imamit në xhami të ndryshme të Shqipërisë.
Këto trajnime vijnë në sajë të bashkëpunimit ndërinstitucional midis KMSH-së, KU Bedër, Universitetit el Ez’her dhe Ambasadës së Egjiptit në Tiranë.