IMG_8218

Më 5 shtator 2013, në prani të banorëve të fshatit Brest i Epërm, u zhvillua ceremonia e përurimit të xhamisë së re ku nderuan me pjesëmarrjen e tyre nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, drejtori i Burimeve Njerëzore në KMSH, Dorian Demetja, Myftiu i Dibrës, Muis Kurtulla, konsulli i Ambasadës së Kuvajtit në Tiranë, kryetari i Komunës Kastriot, drejtori i shoqatës “Mirënjohja”, Samet Shehu, donatori nga Kuvajti, Abdullah Al-Dawud Al-Abdullah, si dhe të ftuar e besimtarë të ardhur nga Tirana e qytetet fqinje.

Pas faljes së namazit të ylesë (drekës), u zhvillua edhe ceremonia e rastit. I pari e mori fjalën Myftiu i Dibrës, Muis Kurtulla. Ai falënderoi Komunitetin Mysliman, donatorin nga Kuvajti, shoqatën “Mirënjohja”, si dhe drejtuesit lokalë për ndihmën e tyre në ngritjen e kësaj xhamie. Ai përgëzoi po ashtu çdo person që me kontributin e dhënë është bërë pjesë e kësaj vepre, duke merituar mirënjohjen e njerëzve dhe shpërblimin e premtuar prej Zotit.

Ndërsa nënkryetari Bujar Spahiu theksoi se hapja e një xhamie të re është një ngjarje e madhe, sepse do të thotë më shumë njerëz që i afrohen Zotit, dhe për rrjedhojë më shumë qytetarë të ndërgjegjshëm e kontribuues për veten, familjen, shoqërinë e kombin.

“Xhamia është vend ku kryhet adhurimi ndaj Allahut, vend ku besimtari duke iu përkulur Allahut, përjeton kënaqësinë më të madhe të adhurimit. Ky përjetim arrihet vetëm me vendosje të sinqertë për të shprehur falënderimin ndaj Krijuesit të tij për të mirat që Ai i ka dhuruar. Në xhami, besimtari arrin të pastrohet dhe të bëhet i devotshëm. Prandaj edhe qëllimi kryesor i ndërtimit të xhamisë, është humanizmi dhe devotshmëria e njeriut. Këtë më së miri e kuptojmë nga ajetet kur’anore dhe hadithet e Muhamedit (a.s.)”, tha nënkryetari Spahiu.

Në fjalën e tij para të pranishmëve donatori Abdullah Al-Dawud, pasi bëri falënderimet e rastit, u shpreh se: “Xhamia është vend për nevojat e shoqërisë islame. Në fillimet e Islamit e më pas, xhamia nuk ishte vetëm shtëpi adhurimi por një shkollë ku kultivohej kultura dhe mirësjellja, vendtubim për vëllazëri e dashuri mes njerëzve, gjithashtu edhe qendër për edukatë esenciale praktike. Prandaj mesazhi im në këtë ditë është: Vazhdoni në gjurmët e kësaj tradite, mësoni veten dhe fëmijët me dije fetare islame, se kështu do të arrini lumturinë e kërkuar!”

Ndërsa kryetari i Komunës Kastriot, falënderoi Komunitetin Mysliman (Myftininë Dibër), shoqatën financuese të projektit dhe të gjithë personat që kontribuuan për ngritjen e saj, duke u shprehur se “jam vërtet i lumtur që marr pjesë në këtë ceremoni dhe që ndaj me ju gëzimin e kësaj dite të veçantë.”

Të gjithë ishin të gëzuar, buzëqeshnin e uronin njëri-tjetrit me gjithë zemër: “Gëzuar xhaminë e re!”, kurse donatorit nga Kuvajti i thonin “Faleminderit. Zoti të shpërbleftë me të mira në të dy jetët!”.

Vizitë në Myftininë Dibër

Gjatë qëndrimit në Dibër, nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu dhe drejtori i Burimeve Njerëzore, Dorian Demetja, zhvilluan një vizitë pune edhe në Myftininë e Dibrës.

Myftiu Kurtulla, pasi i uroi mirëseardhjen, i njohu anëtarët e Kryesisë së KMSH me aktivitetin e Myftinisë, gjendjen e xhamive dhe jetës fetare në to, bashkëpunimin me imamët dhe institucionet e rrethit, ndërtimet e xhamive të reja, etj.

Nënkryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu, pasi vlerësoi punën e mirë të ish-myftiut Ahmet Çaushi dhe atij aktual Muis Kurtulla në drejtimin e institucionit të myftinisë, kërkoi një angazhim më të madh në drejtim të përhapjes së Fjalës së Zotit dhe veçanërisht të rritjes së imazhit të fesë Islame tek të tjerët.

Ndërsa z. Dorian Demetja tha se problemet dhe sfidat me të cilat përballet Myftinia e Dibrës janë të pranishme në çdo myftini, por pavarësisht kësaj, ato mund të tejkalohen dhe marrin zgjidhje vetëm nëse ekziston dëshira dhe vullneti reciprok. Nga ana tjetër z. Demetja e siguroi myftiun Kurtulla se Komuniteti Mysliman do të vazhdojë të japë kontributin e tij ndaj Myftinisë, me qëllim që ndikimi i saj në jetën e dibranëve të jetë akoma më i madh.

IMG_8344

IMG_8381

IMG_8136

IMG_8459

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë