haxhinjte

Grupi i parë i haxhinjve shqiptarë është nisur mëngjesin e sotëm drejt Arabisë Saudite, për t’iu bashkuar miliona besimtarëve nga e gjithë bota në ritualin e Haxhit 2013.

Për përcjelljen e tyre në aeroport kishin dalë nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Gazmend Aga, Kancelari Ali Zaimi dhe Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra.

Pasi janë përshëndetur me haxhinjtë, drejtuesit e KMSH-së i kanë uruar në emër të Kryetarit H. Selim Muça dhe institucionit udhë të mbarë në këtë udhëtim shpirtëror drejt Mekës së Bekuar dhe Medinës së Ndritur, duke lutur e shpresuar që Zoti t’ua pranojë adhurimet dhe të gjitha sakrificat e bëra për hir të Tij. Në të njëjtën kohë ata kanë kërkuar prej haxhinjve që gjatë kryerjes së këtij adhurimi, të bëjnë pjesë të lutjeve të tyre, krahas familjarëve e njerëzve të dashur edhe bashkëqytetarët, shoqërinë dhe kombin shqiptar.

Lauren Luli, përfaqësues i Zyrës së Haxhit pranë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, bën të ditur se udhëtimi i hanxhinjve për në Mbretërinë e Arabisë Saudite do të kryhet i ndarë në dy grupe me avion të posaçëm me itinerarin Tiranë – Xhedah. Ndërkohë që sipas z. Luli, Komuniteti Mysliman ka përgatitur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për pajisje me vizë, biletë avioni, numra të personalizuar celularë, policën e nevojshme të siguracionit, ka organizuar akomodimin në vendet që do të vizitohen, si dhe ka marrë të gjitha masat me personel teologjik dhe shëndetësor për mbarëvajtjen e të gjithë këtij rituali dhe për të krijuar të gjitha kushtet e nevojshme për 340 haxhinjtë që udhëtojnë nga Shqipëria.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë uron që haxhinjtë të shkojnë e të kthehen shëndoshë e mirë, si dhe t’u pranohen adhurimet dhe lutjet që do të kryejnë atje.

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë