selim muca (2)

Me lutjen tek Allahu Fuqiplotë, që paqja dhe begatitë e panumërta të jenë mbi ju, familjet tuaja, vendin tonë e më gjerë, dëshiroj që të përshëndes përzemërsisht të gjithë ata që kanë vendosur që të udhëtojnë drejt vendeve që Krijuesi i Universit i ka përcaktuar të shenjta mbi faqen e globit.
Haxhi, vizita e vendeve të shenjta, bindshmëria dhe përgjigjja ndaj thirrjes së Allahut Mëshirues për të qenë atje, është pjesë e pandarë e kornizës së të qenit mysliman, është ndjekje e vazhdimësisë së hapave që hodhi i dashuri i Zotit, Ibrahimi (a.s.), në ato vende, është kulmimi i përkushtimit fizik, material dhe shpirtëror i krijesës ndaj Krijuesit Mëshirplotë.
Në të njëjtën kohë kur prej Kur’anit Fisnik vjen urdhëresa: “Kryeni Haxhin dhe Umren për hir të Allahut”, (Bekare, 196), zemrat dhe lutjet që dalin nga to prej miliona haxhilerësh nga i gjithë rruzulli i bashkohen të parës lutje dhe të pranuar tek Pranuesi i Gjithëmëshirshëm se: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve.” (En’amë, 162)
“Shpërblimi i Haxhit të pranuar është veçse xheneti, parajsa e amshuar”, përgëzon Mëshira e Botëve, prijësi i të gjithë të dërguarve, Muhamedi (a.s.). Haxhi është momenti kur njerëzit e bindur dhe respektues të të gjitha urdhëresave të Allahut Mëshirëplotë i përgjigjen njëzëri atij në një kor të përbërë prej gjuhës mikse dhe në sfondin e një mozaiku racash dhe kombesh me fjalët se: “Vetëm Ti meriton falënderim, se Ti je i Vetmi Fuqiplotë dhe se vetëm Ty të takon lavdia dhe pushteti.”
Si çdo obligim tjetër edhe Haxhi nuk mbetet në kornizën individuale të myslimanit, por është thirrja që i bëhet çdo zemre besimtareje dhe besimtari se ata janë të tillë: “që falin namazet dhe që ndajnë nga ajo që Ne ua kemi dhënë… dhe ushqeni nevojtarin e varfër” (Haxh, 35-36 dhe 28). E gjitha kjo e manifestuar përmes ritualit të sakrificës – Kurbanit, i cili është shprehja e drejtpërdrejtë e falënderimit për Krijuesin Dhurues i të gjitha mirësive për njerëzimin mbarë. Kurbani, kjo sakrificë që kryhet në kujtim dhe vazhdimësi të përkushtimit të Ibrahimit (a.s.), plotëson ylberin e begative që burojnë nga dhjetë netët për të cilat nga Krijuesi i Madhërishëm në Kur’anin Famëlartë vjen betimi: “Betohem dhe për dhjetë netët!” (Fexhr, 2)
Haxhi dhe Kurbani; i pari dëshmon unionin e myslimanëve, njerëzve të besimit e të bindjes ndaj Krijuesit, dëshmon pandashmërinë dhe praktimin e këtij besimi në çdo cep të globit në gjurmët e pahumbura të Krenarisë së Njerëzimit, Muhamedit (a.s.); ndërsa i dyti, ky komunitet, kjo bashkësi e përkushtuar në besim, po në union është e gatshme për sakrificë në shërbim të Zotit, të lirisë, të paqes, të drejtësisë, të qëllimit për të përfituar nga i Madhi Zot (xh.sh.), mirësitë në të dy jetët.
Në prag të Haxhit 2013 (1434 hixri), i cili organizohet për herë të tretë nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, me përzemërsi uroj një haxh të pranuar për të gjithë myslimanët që do të udhëtojnë drejt Qabes dhe Arafatit dhe u bëj thirrje që krahas lutjeve për veten dhe familjarët e tyre, të mos harrojnë Shqipërinë dhe shqiptarët, përfshi edhe ata që jetojnë jashtë kufijve të vendit. Duke shfrytëzuar këtë eksperiencë të rrallë, le t’i drejtohen Zotit me lutjet për ditë të bardha dhe një të ardhme të begatë për popullin dhe Atdheun tonë të shtrenjtë.
H. Selim Muça
Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë