Në ambientet e Medresesë së Tiranës, Drejtoria e Kulturës dhe Arsimit pranë KMSH-së organizoi finalizimin e olimpiadës së lëndëve fetare ndërmjet Medreseve të Shqipërisë.

Kjo olimpiadë organizohet një herë në vit dhe ka për qëllim testimin e njohurive të nxënësve më të mirë, të përzgjedhur nga vetë drejtoritë e medreseve përkatëse, në lëndët Kuran, Besim, Fikh dhe Arabisht.

Në ceremoninë e shpalljes së rezultateve për fituesit mori pjesë edhe Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Bujar Spahiu, i cili në fjalën e tij përshëndetëse theksoi rëndësinë e arsimimit të brezave me kulturën islame.

“KMSH është e nderuar me progresin dhe ecurinë e mësimdhënies dhe aktivitetit edukativ të medreseve të vendit. Përgëzoj stafin pedagogjik për punën e tyre dhe të gjithë nxënësit që punojnë fort në memorizimin e Kur’anit, thellimin në lëndë fetare dhe ato shkencore”, tha ndër të tjera z. Spahiu.

Ndërsa Drejtori i Kulturës dhe Arsimit z. Dorian Demetja, pasi bëri një përmbledhje të olimpiadës që nga fillimi, ftoi Kryetarin e KMSH-së dhe Drejtorët e Medreseve Tiranë, Shkodër dhe Durrës për dhënien e certifikatave të vlerësimit, si dhe çmimeve në vlerë monetare nxënësve fitues.

Për vendet e para, të dyta dhe të treta në lëndët Kuran, Besim, Fikh dhe Arabisht, nxënësit fitues ishin nga Medresetë “H. Mahmud Dashi” – Tiranë, “Mustafa Varoshi” – Durrës, “Abdullah Zemblaku” – Korçë, “H. Sheh Shamia” – Shkodër, “H. Ali Korça” – Kavajë dhe “Liria” – Elbasan. 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë