Sot në ditën ndërkombëtare të familjes, përfaqësues të komuniteteve fetare të vendit zhvilluan në ambientet e “Tirana International Hotel” konferencën e përbashkët me temë: “Të mbrojmë familjen si tempull të shenjtë”.

Në këtë aktivitet, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë u përfaqësua nga Përgjegjësja e Zyrës së Gruas, znj. Fatma Karaj.

Pasi përshëndeti të pranishmit, znj. Karaj u ndal në rëndësinë e organizimit të aktiviteteve të tilla në promovimin e vlerave të familjes në shoqërinë tonë. Sipas saj, të gjithë ne duhet të kontribuojmë vazhdimisht, duke filluar që nga rrethet e ngushta shoqërore e për të vijuar me tej me aktivitete dhe konferenca të rangut kombëtar, për ti dhënë brezave të rinj shembullin e duhur të familjes.

“Familja konsiderohet si një prej shtyllave më të rëndësishme të shoqërisë. Fortësia dhe qëndrueshmëria e saj është njëkohësisht fortësia dhe qëndrueshmëria e shtetit. Duke qenë se Islami është një sistem jete i kushton një rëndësi të veçantë familjes, duke filluar që nga formimi i saj e për të vijuar më pas me edukimin e fëmijëve.”- tha ajo gjatë fjalës së saj.

Aktiviteti vazhdoi më tej me referimin e përfaqësuesve të tjerë të komuniteteve fetare, të cilët në fjalët e tyre parashtruan rëndësinë e kontributit të të gjithëve ne në forcimin dhe promovimin e mëtejshëm të familjes shqiptare.

Në aktivitet ishin të pranishëm përfaqësues të shoqërisë civile dhe me media të shumta.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë