Zyra e Gruas në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë shtroi mbrëmjen e djeshme një iftar, ku ishin të pranishëm prefektja e Tiranës, znj. Suzana Jahollari, kryetarja e Komitetit Shtetëror për Kultet, znj. Loreta Aliko, nënkryetrja e Këshillit të Qarkut Tiranë, znj. Bora Panajoti, aktorja e mirënjohur, znj. Tinka Kurti, znj, Ajola Xoxa, përfaqësuese të botës së mendimit, biznesit, artit, politikës, medias, drejtuese të shoqatave të ndryshme, si dhe përfaqësuese të shoqërisë civile dhe botës akademike.
Të pranishmet i përshëndeti përgjegjësja e Zyrës së Gruas në KMSH, znj. Fatma Karaj, e cila theksoi se Ramazani është muaji i mëshirës, përkushtimit dhe dashurisë për Zotin.
“Agjërimi, ky akt kaq i pastër e i sinqertë i njeriut, na kujton se kemi nevojë kurdoherë të kujtojmë Zotin me të gjitha të mirat që Ai na ka dhuruar, dhe me sofrën e iftarit arrihet kulmi i kësaj lidhjeje sublime. S’ka si të ishte ndryshe përderisa Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) e barazon kënaqësinë dhe vlerën e takimit të iftarit me atë të takimit me Zotin. Sofra e iftarit, kjo sofër e ngrohtë që na ka bashkuar edhe ne sonte, mbart një simbolikë të veçantë pasi ajo nuk bashkon veç myslimanët me njëri-tjetrin, por edhe njerëz me besime të ndryshme me myslimanët, duke i shtuar kështu shoqërisë vlerë mbi vlerë. Këto janë vetëm disa nga elementët që tregojnë qartë se Ramazani është simbol i dashurisë, respektit, sakrificës, durimit, vllazërisë, bashkimit e shumë virtyteve të tjera”, tha znj. Karaj
Ajo gjithashtu falënderoi pjesëmarrëset në iftar për bashkëpunimin që kanë pasur me Zyrën e Gruas, si dhe për kontributin që ata kanë ofruar, për zhvillimin e projekteve dhe aktiviteteve të ndryshme.
Gjithashtu të pranishmet u përshëndetën edhe nga prefektja e Tiranës, znj. Suzana Jahollari dhe nga kryetarja e Komitetit Shtetëror për Kultet, znj. Loreta Aliko. Ato falënderuan Zyrën e Gruas për iftarin dhe kontributin e vazhdueshëm që kjo zyrë jep për shoqërinë dhe gruan në veçanti.