Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Bujar Spahiu zhvilloi një vizitë pune në Medresenë e Korçës.
Kryetari i KMSH-së u njoh më nga afër me ecurinë e Medresesë dhe zhvilloi një takim konstruktiv me stafin pedagogjik.
Gjatë fjalës së tij në takimin me mësuesit, z. Spahiu vlerësoi arritjet e Medresesë së Korçës, arsimin cilësor të saj dhe falënderoi mësuesit për kontributin e tyre në edukimin dhe arsimimin e brezit të ri.
“Medreseja e Korçës është një vlerë e shtuar për qytetin e Korçës dhe mbarë Shqipërinë. Falenderoj gjithë stafin pedagogjik, drejtuesit dhe bashkëpunëtorët për kontributin e tyre dhe i siguroj që KMSH do të jetë gjithmonë e gatshme për të siguruar vazhdimësinë e edukimit dhe arsimimit të brezave të rinj në kushtet e duhura bashkëkohore. Gjithashtu përgëzoj edhe nxënësit të cilët me rezultatet e tyre të larta kanë përfaqësuar medresenë por edhe KMSH-në në universitetet më të mira të vendit si dhe në arenën ndërkombëare”, tha ndër të tjera kreu i KMSH-së.
Ndërsa drejtori i përgjithshëm i Medreseve të Tiranës, Elbasanit, Kavajës dhe Korçës, z. Ali Zaimi shprehu mirënjohjen e tij ndaj KMSH-së për mbështetjen e vazhdueshme dhe tha se medresetë do të vazhdojnë të investojnë në rritjen e cilësisë së arsimit dhe edukimit.
“Unë jam shumë i kënaqur me rezultatet e shkollës dhe jemi të vendosur që këtij përkushtimi shembullor të stafit mësimor dhe arritjeve të larta të nxënësve ti përgjigjemi me më shumë investime në aspektin e infrastrukturës, teknologjisë, literaturës ndihmëse dhe shumë aktiviteteve në funksion të një arsimi sa më cilësor e argëtues për nxënësit”, tha Zaimi.
Më pas drejtori i Medresesë së Korçës, z. Iljaz Karagoz tha se Medreseja e Korçës është një shkollë e dashur për të gjithë korçarët dhe zonat përreth. Stafi pedagogjik i përgaditur dhe kushtet bashkëkohore sigurojnë një mësimdhënie cilësore.
Ndërkohë mësuesit dhe mësueset diskutuan mbi eksperiencën e tyre në medrese, ecurinë dhe idete e tyre mbi arsimin.