Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu ka mbajtur hytben e ditës së Premte në Xhaminë e Mirahorit në Korçë.
Tema e hytbes që mbajti kryetari i KMSH-së ishte mbi ndjenjën e smirës dhe se si duhet të mbrohet një besimtarë nga kjo ndjenjë.
Smira në vetvete është një sëmundje dhe një vepër e ulët, sidomos kur kalon cakun e mendimit dhe veprohet sipas saj. Smira është sjellja e atyre shpirtrave të mjerë e zemërngushtë që në vend që të kërkojnë prej thesarit të Allahut, i gëzohen humbjes së asaj që ka një tjetër në zotërim. Pas të gjitha të këqijave në shoqërinë njerëzore si dhuna, shpifja, kaosi, shthurja etj., thuajse në çdo rast qëndron e fshehur smira. Edhe ndër arsyet kryesore të kundërshtimit e të mohimit ndaj Profetëve.
Nëse zemra nuk ushqehet me bindje dhe dashuri për Allahun, atëherë tek ajo do të mbizotërojë smira, inati, zemërimi, urrejtja, lakmia, egoizmi e të tjera si këto. Këtë nënkupton edhe profeti ynë kur thotë:“Në trup gjendet një copë mishi. Nëse ajo është mirë, i gjithë trupi është mirë, nëse ajo është e prishur, i gjithë trupi është i prishur. Kjo copë mishi është zemra.
Detyra jonë morale e shpirtërore nuk është që të kemi zili njëri-tjetrin, por që të krenohemi me vlerat e vëllezërve tanë dhe të gëzohemi për mirësitë dhe punët e mira që ata veprojnë.
Këto ishin disi nga mesazhet e kryetarit gjatë hytbes.
Më pas namazi i xhumasë u fal nga nënkryetari i KMSH-së, z. Taulant Bica.