Autoriteti i Mediave Audiovizive zhvilloi sot në ambientet e Hotel “Rogner” në Tiranë, konferencën mediatike me temë: “Radiot fetare në gjuhën shqipe”.

Kjo konferencë mblodhi sëbashku përfaqësues të radiove dhe komuniteteve fetare të vendit, ekspertë dhe studiues të medias, deputetë, drejtues të institucioneve publike si dhe dhjetëra gazetarë apo specialistë të fushës së komunikimit.

Qëllimi i këtij organizimi ishte nxjerrja në pah apo promovimi i rolit dhe kontributit të redaksive fetare të komunitetit, në promovimin e tolerancës dhe bashkëjetesës mes besimeve fetare.

Ministrja e Kulturës, znj. Elva Margariti, në fjalën e saj përshëndetëse u përqendrua tek rëndësia e këtij takimi edhe pse sipas saj gjatë këtyre 30 viteve harmonia fetare është një nga vlerat më të mëdha që i është njohur Shqiptarëve.

Ndërsa, Dr. Paolo Ruffini, Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Komunikimet Shoqërore, në fjalën e tij theksoi se rëndësia e radiove fetare shihet gjerësisht në rolin e tyre për të hedhur farën e paqes, duke dëshmuar fenë. Siç edhe pohon Dokumenti për Vëllazërimin Njerëzor, nënshkruar në Abu Dabi: “Dialog ndërmjet besimtarëve do të thotë të takohemi në hapësirën e jashtëzakonshme të vlerave të përbashkëta shpirtërore, njerëzore e shoqërore e ta investojmë gjithë këtë në përhapjen e virtyteve më të larta morale, nxitur nga fetë”.

Më tej, Kryetari i Autoritetit të Mediave Audiovizive, z. Gentian Sala, vlerësoi kontributin e radiove fetare të komunitetit të cilat përbëjnë një segment të tregut audioviziv që dallon nga pjesa tjetër, për qëndrueshmërinë e aktivitetit, vullnetarizmin e angazhimit të stafit në redaksi dhe për sasinë dhe larminë e temave që përgatiten nga vetë radioja.

Konferencën e përshëndeti edhe Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shipërisë, z. Taulant Bica, i cili gjatë fjalës së tij vlerësoi punën e AMA-s në kontributin e që ky institucion jep në zhvillimin e radiove të komuniteteve fetare të vendit. Më pas ai vuri theksin mbi harmoninë që ekziston ndërmjet besimeve të ndryshme të vendit tonë dhe se si kjo frymë përcillet vazhdimisht te njerëzit nëpërmjet këtyre kanaleve të komunikimit masiv.

Konferenca vijoi më tej me prezantimin e radiove fetare nga drejtuesit përkatës. Si i tillë, z. Agron Hoxha, Drejtor i “Radio Spektrum” (Radio e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë) i njohu të pranishmit me aktivitetin e kësaj radioje. Më tej ai u ndal në përmbajtjen, strukturën programore, misionin dhe vizionin që kjo radio përcjell te çdo besimtar gjatë transmetimit ditor.

Pas tij ishte radha e drejtuesve të Radio “Ngjallja” dhe Radio “Maria” të ndanin me të pranishmit brendinë e radiove përkatëse.

Në sesionin përmbyllës të konferencës u diskutua mbi tematika të ndryshme aktuale që prekin tregun e transmetimeve audiovizive.

 

 

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë