Ditën e djeshme në fshatin Suç të Myftinisë Mat u zhvillua ceremonia e inaugurimit të xhamisë së re të këtij fshati.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Drejtori i Arsimit dhe Kulturës pranë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Dorian Demetja, Myftiu i Matit, z. Fabjon Kolaveri, Myftiu i Dibrës, z. Muis Kurtulla, Drejtori i Shoqatës “Komiteti i Bashkuar Kuvajtian për Bamirësi”, z. Ibrahim Mekki, dijetari dhe humanisti i njohur nga Kuvajti, z. Nebil el Auadi, si dhe donatorët, kontribuuesit dhe besimtarë të shumtë të fshatit Suç të rrethit Mat.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtori i Arsimit dhe Kulturës pranë KMSH-së, z. Demetja, shprehu falënderime ndaj të gjithë atyre që kontribuuan dhe bënë të mundur ndërtimin e kësaj xhamie kaq të domosdoshme për besimtarët e zonës. Sipas tij, kjo xhami do të jetë një mburojë për të gjithë besimtarët e kësaj zone në praktikimin dhe paisjen me dije dhe moral Islam.

Ndërsa Myftiu i Matit, z. Kolaveri, në fjalën e tij u shpreh se rëndësia dhe roli i veçantë që do të luajë ndërtimi i kësaj xhamie qëndrojnë në kultivimin e vlerave më të larta njerëzore dhe krijimin e një atmosfere më të mirë shpirtërore për zonën.

Kjo xhami u ndërtua falë kontributit të shoqatës “Komiteti i Bashkuar Kuvajtian për Bamirësi”.

Përshëndetje të rastit mbajtën edhe të ftuarit e tjerë të nderit të cilët përcollën mesazhe të shumta.

Pas prerjes së shiritit të përurimit, të pranishmit e shumtë falën bashkarisht edhe namazin e parë në xhaminë e re të fshatit Suç.

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë