Nën kujdesin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Komiteti i Bashkuar Kuvajtjan për Bamirësi në bashkëpunim me Institutin Islamik për Kërkime dhe Trajnime dhe Fondacionin Publik Awqaf, zhvilluan ceremoninë e hapjes së trajnimit me temë: “Mirëdrejtimi dhe Marketingu për Zhvillimin e Vakëfeve”.
Qëllimi i këtij trajnimi 3-ditor, i cili do të zhvillohet me 6-9 Janar 2020, në ambientet e “Tirana International Hotel”, është zhvillimi i projekteve të reja në drejtim të vakfit në Shqipëri dhe më gjerë.
Ne ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, h. Bujar Spahiu, Drejtori i Komitetit të Bashkuar Kuvajtjan për Bamirësi dega-Shqipëri, z. Ibrahim el-Meki, Drejtoresha e Marrëdhënieve me Jashtë pranë Sekretariatit të Përgjithshëm të Vakëfeve në Kuvajt, znj. Kewakib el-Melhem, Përfaqësuesi i Bankës Islamike, z. Rehal Beladel, përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës, Malit të Zi, si dhe myftinj, imamë dhe administratorë të shumtë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i KMSH-së, z. Spahiu, pasi ju uroi mirëseardhjen të pranishmëve, falënderoi organizatorët për mundësimin e këtij trajnimi. Më tej ai u ndal në rëndësinë e mbarëvajtjes dhe menaxhimit të vakëfeve në institucionin që ai përfaqëson.
“KMSH në bashkëpunim edhe me institucione të tjera, shoqata, fondacione apo organizata të ndryshme, gjithmonë ka qenë aktiv në ruajtjen dhe administrimin e pronave vakëf në Republikën e Shqipërisë dhe kryerjen e investimeve në këto vakëfe, të para gjithmonë në harmoni dhe shërbim të kauzës së institucionit për të qenë në shërbim të përhapjes dhe forcimit të Islamit.”- tha ai gjatë fjalës së tij.
Ceremonia e hapjes vazhdoi më tej me fjalën përshëndetëse të z. Ibrahim el-Meki, i cili ndau me të pranishmit rëndësinë e organizimit të trajnimeve të tilla për të njohur, menaxhuar dhe investuar në formën më të mirë të mundshme në vakëfet e institucioneve fetare.
Pjesëmarrësit e pranishëm në këtë seancë i përshëndeti gjithashtu edhe znj. Kewakib el-Melhem, Drejtoresha e Marrëdhënieve me Jashtë pranë Sekretariatit të Përgjithshëm të Vakëfeve në Kuvajt, z. Rehal Beladel si Përfaqësues i Bankës Islamike, dhe z. Vedat Sahiti si përfaqësues i Bashkësisë Islame të Kosovës, të cilët vunë theksin mbi aspekte të ndryshme të trajnimit në fjalë.
Pas përfundimit të seancës hapëse, myftinjtë, imamët dhe administratorët e pranishëm, u bënë pjesë e trajnimit në fjalë, i cili do të zhvillohet mbi tema të ndryshme përgjatë 3 ditëve në vijim.