Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu sëbashku me Nënkryetarin e Institucionit, z. Taulant Bica zhvilluan sot një vizitë pune në Myftininë e Beratit, ku u pritën nga Myftiu, z. Baftjar Këllezi dhe imamët e rrethit.

Gjatë vizitës në ambientet e myftinisë, u diskutua mbi çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me problematikat e përditshme administrative, menaxhimin e vakëfeve, organizmin e aktiviteteve fetare, arritjet e deritanishme të kësaj myftinie, rëndësinë e përçimit të mesazhit Islam te besimtarët, etj.

Në fjalën e tij, Myftiu i Beratit, z. Këllezi, pasi e falënderoi Kreun e KMSH-së për vizitën, shprehu mirënjohjen e tij ndaj mbështetjes së vazhdueshme të institucionit në mirëfunksionimin e kësaj myftinie.

Ndërsa Kryetari Spahiu, vlerësoi angazhimin e përditshëm të Myftiut dhe imamëve në përmbushjen e objektivave dhe përcjelljen e mesazhit Islam tek të gjithë besimtarët.

Më tej, Nënkryetari Bica theksoi rëndësinë e mbarëvajtjes së punëve për mirëfunksionimin institucional.

Pas përfundimit të takimit, Kryetari i KMSH-së, mbajti hutben e ditës së xhuma në Xhaminë e “Sahatit”, ku foli mbi besimin dhe veprat e mira, temë të cilën ai e ilustroi më ajete dhe shembuj të ndryshëm nga jeta e Profetit Muhamed (s.a.s).

“Besimi në Zot është çelësi i lumturisë në këtë botë dhe rrugë shpëtimi për në botën e përtejme. Nisur nga kjo, nuk mund të mendohet një besimtar që nuk është rregullator apo veprues i punëve të mira në këtë jetë. Prandaj ne si besimtarë, duhet të vrapojmë në këshillimin dhe veprimin e punëve të hajrit e të pëlqyeshme të Allahu xh.sh” – tha ai gjatë fjalës së tij.

Ndërsa Nënkryetari i KMSH-së, z. Bica, priu në faljen e namazit të xhumasë, ku ishin të pranishëm dhjetëra besimtarë të qytetit të Beratit.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë