Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, u themelua nga rilindas dhe firmëtarë të pavarësisë 97 vjet më parë, si një bashkësi, që do të përfaqësonte zërin e besimtarëve myslimanë në Shqipëri, trojet shqiptare, madje, në mjaft raste edhe zërin e mbarë shqiptarëve.
Kuptohet që ky institucion është vazhdimësia e institucioneve islame, që ekzistonin prej shekujsh në vendin tonë nëpërmjet myftinive, gjyqeve të sheriatit me kadinjtë e famshëm, medreseve dhe mejtepeve, të shtrira pothuajse në çdo hapësirë shqiptare. Pas shpalljes së pavarësisë Kryetari i parë i Kuvendit do të ishte H. Vehbi Dibra, i cili dha edhe fetvanë për flamurin shqiptar. Më pas ai do të emërohej si Myfti i Përgjithshëm dhe pas disa vitesh në këtë detyrë, H. Vehbi Dibra e dijetarë të tjerë shqiptarë thirrën Kongresin e Parë Mysliman Shqiptar plot 97 vite më parë për të ngritur institucionin më të lartë islam shqiptar, duke u quajtur Komuniteti Mysliman Shqiptar nga Gjyqi i Naltë i Sheriatit, që quhej nga 1916. Ky kongres i filloi punimet më 24 shkurt deri më 12 mars 1923 dhe qe historik për nga vendimet që mori. Ai i zhvilloi punimet në Tiranë në sallën e shoqërisë “Djelmnia Dibrane”, kryetar i së cilës ishte patrioti Dervish Hima. Në Kongres merrnin pjesë 36 delegatë, ku shtatë prej tyre ishin deputetë.
H. Vehbi Dibra, i cili u zgjodh edhe kryetari i parë i Komunitetit Mysliman Shqiptar theksoi përpara të gjithë delegatëve rëndësinë e vëllazërimit kombëtar të të gjithë shqiptarëve, “Sikurse e dini zotëria e juaj, popullsia e Shtetit tonë përbahet prej tre elementësh d.m.th. Mysliman, Katolik dhe Ortodoks, po në pikëpamje të Kombësisë në mes tonë kemi një vllazni të plotë e të patundëshme, e nuk mund të thuhet e të kuptohet asnji send që e tund atë vllaznie të plotë. Çështja e fesë asht një çështje e posaçe e sejcili është i lirë për me e sigurue forcimin e fesë së vet. Ky organizim i fesë sonë asht vendosun qysh në Kongres të Dibrës fatzezë, po luftat ballkanike e ndaluen këtë qëllim”.
Në vitet e para të formimit të vet, Komuniteti Mysliman ishte jo vetëm promovues i edukatës dhe moralit të lartë shoqëror, por edhe pararojë e një institucioni të mirorganizuar, që përbënte një model për institucionet e tjera shtetërore e më gjerë, që natyrshëm kishin shumë nevojë për modele të mira.
Një hap shumë i rëndësishëm i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ishte unifikimi i medreseve më 1924, e cila në fillim u quajt “Medreseja e Naltë”, e hapur në Tiranë, tashmë kryeqytet, për të qenë në të ardhmen dhe një shkollë e lartë, e cila më vonë do të quhej “Medreseja e Përgjithshme”, nga bankat e së cilës do të dilnin personalitete të tilla si, Akademik Shaban Demiraj, e qindra personalitete të tjera, që do të jepnin një kontribut të jashtëzakonshëm në arsimin shqiptar e në vitet ’90 do të bëheshin promotorë të rihapjes së institucioneve fetare dhe medreseve në të katër anët e vendit. Ajo çka e bëri të veçantë medresenë e Tiranës, nga shumica e simotrave të saj në botë në atë kohë, ishte koncepti i mësimdhënies në to. Komuniteti Mysliman gërshetoi në Medrese së bashku me lëndët fetare edhe ato shkencore dhe bëri përpjekjet maksimale, që profilin dhe nivelin arsimor në të ta mbante në standardet më të larta të kohës, çka e bëri atë një ndër shkollat më të mira asokohe, por edhe sot.
Një tjetër fushë e rëndësishme ku Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dha një kontribut të pazëvendësueshëm, është edhe ajo e botimeve të shumë librave dhe revistave, si “Zani i Naltë” (në dy periudha 1923-1939 dhe 2012 e në vazhdim dhe sot), “Kultura Islame” (1939-1945), “Njeriu” (1942-1944), “Drita Islame” (1992, e cila vazhdon dhe sot), etj.
Historia e viteve që pasuan, e sidomos ajo pas Luftës së Dytë Botërore me fillimin e regjimit komunist do të ishte shumë e ashpër me besimin dhe besimtarët, sikundër ndodhte edhe me të gjithë shqiptarët. Vuajtjet u bënë pjesë e jetës së komunitetit më të madh në vend për më shumë se gjysmë shekulli, sepse më shumë se çdokush tjetër dhe mbi çdo torturë fizike, besimtarëve iu mohua përkujtimi i Zotit, iu ndalua besimi, iu ndrydh ndërgjegjja, iu ndërpre komunikimi, që ata kishin me Krijuesin e tyre, Zotin e gjithësisë.
Megjithatë ishte trashëgimia shpirtërore e këtij populli, që zbuti shthurjen totale të shoqërisë sonë prej furtunës komuniste dhe shumë besimtarë e ruajtën identitetin e tyre, duke kryer edhe një pjesë të riteve fshehurazi.
Regjimi komunisto-ateist, që u vendos në Shqipëri në vitin 1944, filloi një dhunë të egër ndaj fesë, duke persekutuar prijësit fetarë, por edhe njerëzit e thjeshtë. Më 1967 Shqipëria u shpall vendi i parë ateist në botë, duke shkatërruar shumicën e kishave, xhamive dhe teqeve. Nga 1127 xhami që ishin në 1967, në 1990 kishin mbetur vetëm disa, të shndërruara dhe përçudnuara në depo, magazina, apo të braktisura dhe të rrënuara.
Figurat më përfaqësuese publike të myslimanëve shqiptarë, u dënuan nga gjyqet komuniste, ndërsa shumë të tjerë ndërruan jetë nëpër burgje dhe kampe internimi.
Rihapja e aktivitetit fetar islam pas rënies së sistemit komunist në Shqipëri, u bë më 16 nëntor 1990, në Xhaminë e Plumbit në Shkodër, ndërsa institucionalizimi i funksionimit zyrtar të Komunitetit Mysliman u bë në janar të vitit 1991.
Sot, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka institucionet e saj në të gjithë vendin, ku në çdo rreth ka filialet e veta, myftinitë, xhamitë dhe institucionet arsimore, kurse, medrese dhe Universitetin Bedër, si institucioni më i lartë arsimor. KMSH sot ka mbi 1.000 punonjës, në qendër, myftinj dhe imamë në rrethe, mësues, si dhe staf pedagogjik në të gjitha ciklet arsimore të tij.
Një nga treguesit më objektiv dhe më të qartë të strategjive që Komuniteti Mysliman ka ndjekur, është pikërisht modeli i medreseve, të cilat kanë prodhuar dhe vazhdojnë të prodhojnë të rinj të arsimuar nga njëra anë me vlera fetare dhe patriotike dhe nga ana tjetër të formuar me dijet e shkencës dhe teknologjisë. Nxënësit e medreseve pas studimeve të mesme vazhdojnë studimet e larta në specialitete të ndryshme si: shkenca islame, inxhinieri, mjekësi, juridik, ekonomik, shkenca sociale, etj. Studimet universitare dhe pasuniversitare të këtyre të rinjve kanë qenë të suksesshme dhe ata kanë qenë në gjendje të konkurrojnë denjësisht si në universitetet e Shqipërisë, ashtu edhe në mbarë botën.
Kështu KMSH ka në mbarëvajtje dhe ndjekje institucionale gjashtë medrese në gjashtë qytete të ndryshme, si Tiranë, Elbasan, Korçë, Shkodër, Kavajë dhe Durrës për djem dhe vajza të ciklit 9-vjeçar dhe të mesëm, si dhe Universitetin Bedër, themeluar më 2011 me vendim të Kryesisë së KMSH-së.
Universiteti ofron programe studimore të ciklit të parë dhe të dytë në fushat e shkencave humane, si dhe të filologjisë, me qëllim parësor kualifikimin akademik të studentëve. Ai ka dy fakultete, Fakultetin e Shkencave Humane, si dhe Fakultetin e Filologjisë dhe të Edukimit. E veçanta e këtij universiteti është Departamenti i Shkencave Islame, i cili tashmë përgatit kuadrot e Komunitetit Mysliman në vendin tonë, pa pasur nevojë të shkollohen jashtë vendi.
KMSH sot mbart një barrë të jashtëzakonshme në një kohë sfidash të mëdha institucionale. Problemi më i madh mbetet moskthimi i pronave të shtetëzuara nga regjimi komunist, gjë e cila për vite të tëra ka sjellë vartësi ekonomike nga shoqata dhe fondacione të ndryshme. Shteti akoma është indiferent ndaj këtij procesi sa delikat aq edhe jetik për institucionin.
Një tjetër problematikë prej shtatë vitesh mbetet dhe mosnjohja e diplomave të huaja në fushën e teologjisë islame, për të cilën aktualisht po negociohet për ofrimin e asistencës akademike nëpërmjet Universitetit Bedër.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë sot ka një rol të rëndësishëm institucional në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit social, edukativ, moral dhe të bashkëjetesës ndërfetare. Janë këto arsye, që shpesh e kanë bërë këtë institucion të jetë në qendër të vëmendjes në momente kyçe dhe historike për rolin që mbart, por madje në disa raste ky rol dhe kjo peshë kaq qenë edhe sfiduese.
Tranzicioni i këtij institucioni ka qenë mjaft i vështirë, sepse vitet e ’90 e gjetën të zeruar në çdo aspekt, duke qenë se regjimi komunist i kishte dhënë një goditje fatale. Aspekti kombëtar në traditën e këtij institucioni ishte sfida më e madhe, që ia vështirësoi ringritjen, duke qenë se historikisht prijësit fetarë të tij kanë qenë dhe janë shqiptarë historikisht. Mirëpo plejada e ndritur e prijësve myslimanë ishte shuar prej kohësh dhe kjo solli jo pak sfida ndër vite për Komunitetin Mysliman.