Doli nga shtypi libri “Ilmihal për fillestarë”, botim i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë

Ky ilmihal është produkt i një pune të gjatë, ku përveç literaturave bazë për hartimin e tij, i jemi referuar edhe disa ilmihaleve të mëparshëm, bazuar në medh’hebin zyrtar hanefi të KMSH-së. Libri “Ilmihal për fillestarë” trajton tematika të ndryshme, duke i ndarë ato në tri kategori studimi: Besimin, adhurimin dhe moralin.

Gjatë punës sonë jemi përpjekur që formulimet në tekst të jenë në një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme. Në këtë drejtim, marrja e abdesit dhe falja e namazit është ilustruar me foto, në mënyrë që të mësohet më lehtë nga fillestarët e çdo moshe.

Meqenëse ilmihali është hartuar për fillestarët, jemi mjaftuar me vendosjen e fusnotave vetëm për ajetet dhe hadithet.

Në libër janë shtjelluar në fillim kushtet e besimit, si baza dhe themeli i Fesë Islame, sepse çdo gjë është e lidhur me besimin dhe bindjen.

Adhurimi dhe morali realizohen mbi themelin e besimit. Është folur gjerësisht për çështjet që lidhen me pastërtinë, meqenëse pastërtia është parakusht i hyrjes në namaz dhe për këtë duhet të ketë vëmendjen e duhur.

Sigurisht që një hapësirë të gjerë, për shkak të peshës dhe rëndësisë që ka në jetën e besimtarit, i është rezervuar kapitullit të adhurimit. Ndërsa morali është fryti i pemës së besimit, pemë e cila kultivohet me zbatimin e përgjegjësive nga besimtari me mendimin se edhe nëse nuk e sheh Allahun ai vështrohet prej Tij. Myslimani shembullor është ai që kryen detyrat e tij të adhurimit ndaj Allahut dhe sillet mirë me njerëzit e tjerë. Parë në këtë kontekst, kapitulli i moralit është trajtuar me hollësi dhe rëndësi të veçantë.

Shpresojmë që ky ilmihal të gjejë vendin e duhur në mesin e literaturës islame të botuar në vendin tonë dhe të shërbejë me efikasitet për fillestarët në mësimin e elementëve bazë të fesë Islame.

Pavarësisht kujdesit të treguar, kërkojmë mirëkuptimin e lexuesit për ndonjë gabim ose mangësi të mundshme. Ndërsa Zotit të Madhëruar i lutemi që ky ilmihal të shërbejë me sukses, bazuar në qëllimin e tij drejt nxënies së njohurive fetare.

Librin mund ta gjeni te libraria “Miqtë e Librit”, pranë KMSH.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë