Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu mori pjesë në përkujtimin e 100-vjetorit të Kongresit të Parë Bektashian, kongres ky i cili u zhvillua në teqenë e Prishtës, Skrapar.
Ky aktivitet përkujtimor mblodhi së bashku përfaqësues të komuniteteve fetare të vendit si dhe personalitete të ndryshëm nga jeta publike.
Fjala e Kryetarit të KMSH-së, H. Bujar Spahiu
I dashur miku im i hershëm, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, të nderuar pjesëmarrës, besimtarë.
Më lejoni t’ju shpreh urimet e mia dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë me rastin e 100 vjetorit të Kongresit të Parë bektashian, mbajtur në teqenë e Prishtës, Skrapar, 100 vjet më parë, (14-17 janar 1921).
Ne në Shqipëri kemi trashëguar dhe ruajmë një traditë të bukur harmonie dhe respekti ndaj besimeve të ndryshme, po me tarikatin bektashi ne kemi një lidhje edhe më të afërt.
Ne besojmë të njëjtin Zot, kemi të njëjtin profet, Muhamedin (a.s.), na lidh namazi dhe shumëçka tjetër bashkë.
Vëllezër dhe motra të pranishëm, në evente të tilla ne përkujtojmë sakrificën e paraardhësve tanë. I lutemi Allahut për ta, dhe rikujtojmë njëri-tjetrin se tradita e lënë prej tyre duhet ta ndjekim edhe ne.
Profeti Muhamed (a.s.) na thotë se veprat vlerësohen sipas qëllimeve dhe çdokujt i takon ajo që e ka për qëllim.
“Kush shpërngulet (bën hixhret) për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, shpërngulja e tij është për Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Ndërsa kush shpërngulet të fitojë disa të mira të kësaj bote… shpërngulja e tij vlerësohet për atë që është shpërngulur.”
Edhe njëherë ju uroj përzemërsisht për këtë ditë tuajën përkujtimore.