Krerët dhe përfaqësues të bashkësive fetare në Shqipëri mesazhe ngushëllimi dhe bashkimi drejtuar Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për ngjarjen në Xhaminë Dine Hoxha, ku një person plagosi disa besimtarë në xhami.
Ngjarja e rëndë e ndodhur ditën e hënë, 19 prill 2021, në Xhaminë Dine Hoxha në Kryeqytet, solli reagim dhe indinjatë të gjerë në opinionin publik.
Mesazhet dhe solidariteti i drejtuesve të bashkësive të tjera fetare në vend , për këtë ngjarje, dëshmon edhe njëherë bashkëjetesën ndërfetarë që ekziston prej shekujsh në vendin tonë.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ju uron shërim të shpejtë besimtarëve të plagosur, falënderon bashkësitë fetare dhe të gjithë opinionin publik për solidarizimin dhe mbështetjen e treguar.
I lutemi Zoti në këto ditë të Bekuara Ramazani të na largojë nga sprova të tilla dhe ta begatojë popullin tonë me paqe, begati e mëshirë!
Mons. Angelo Massafra, Kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë i është drejtuar me një letër Kryetarit të KMSH-, H. Bujar Spahiu, ku shpreh indinjatën e tij për rastin në fjalë.
H. Dede Edmond Brahimaj,
Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, në mesazhin e tij uron shërim të shpejtë të besmitarëve të plagosur.
Mesazhi i H. Dede Edmond Brahimaj përcillet edhe në cilësinë e Kryetarit të radhës së Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.
Pastor Ylli Doçi,
President i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, uron shërim të shpejtë për të plagosurit dhe solidarizohet me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë për këtë ngjarje të shëmtuar.
Gjithashtu mesazh ngushëllimi dhe solidarizimi ka ardhur edhe nga Mitropoliti i Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit, Andon Merdani.
Ai lutet dhe uron shërimin e shpejtë për besimtarët e plagosur, si dhe vë theksin te bashkëjetesa e vyer midis besimeve në vend,
“Jemi vëllezër, në të mirë dhe në të keqe”, e fillon Mitropiliti mesazhin e tij drejtuar Komuniteti Mysliman dhe mbarë besimtarëve.
Më poshtë gjeni mesazhet e plota:
“Shumë i Nderuar Zoti Bujar Spahiu
Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë,
Lajmi i sulmit me thikë nga një individ në xhaminë e Dine Hoxhës në Tiranë ku kanë mbetur të plagosur disa besimtarë myslimanë na ka tronditur të gjithëve.
Duke shpresuar që ngjarja të zbardhet sa më shpejt në të gjitha detajet e saj, ju shprehim juve, e nëpërmjet jush, të plagosurve e familjeve të tyre, afërsinë e solidaritetin e të gjithë Kishës katolike në Shqipëri.
I lutemi Zotit për ju të gjithë, që po jetoni edhe muajin e Ramazanit, për të plagosurit, për komunitetin tuaj e të gjithë shqiptarët që paqja dhe e mira të mbretërojë në zemrat tona e që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.
Zoti na bekoftë të gjithëve!
Mons. Angelo Massafra o.f.m.
Kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë.”
“Besimtarë të Islamit,
Ashtu sikundër të gjithë na ka tronditur ngjarja e ndodhur në Xhaminë Dine Hoxha, e dënojmë këtë akt të turpshëm, që cënon dhe fyen rëndësinë e objekteve të kultit të vëllezërve tanë myslimanë.
Ramazani, ky muaj i shenjtë i sakrificës është në vetvete shpërblim i lartë moral, lartësim shpirtëror, i cili duhet respektuar e ndaj të cilit duhet të përulemi me mirësi e besim, prandaj ngjarje të tilla i shohim si të patolerueshme e të pafalshme.
Uroj e shpresoj që drejtësia të vihet në vend për keqbërësin e shërim të shpejtë për besimtarët e devotshëm.
Zoti i Lartë na qoftë ndihmë të gjithëve në këto ditë të vështira!
H. Dede Edmond Brahimaj,
Kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë & Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve.”
“Vellezer dhe motra,
Sulmi i çmendur me thike ne xhami ndaj besimtareve ne vendin e tyre te shenjte te adhurimit eshte alarmues per ngjashmerine me sulmet terroriste por kuptojme se rasti yne eshte nje njeri me semundje mendore dhe pa axhenda te ndonje grupimi. Gjithesesi dhimbja dhe lendimi qe perjetohet sonte ne Komunitetin Mysliman eshte e njejte me ate ne secilin komunitet, sepse lendimi i njerit prej nesh eshte i secilit prej nesh, aq sa vendimi yne qysh sot para se te ndodhe cfaredo krimi nderfetar ndershqiptar eshte qe ne e dijme paraprakisht, qe nuk ka dore nderfetare shqiptare, por vetem antishqiptare dhe antifetare ne krime te tilla dhe kot mundohet kush synon percarjen tone; ne mbetemi vellezer deri sa te kete Shqiptare mbi dhe!
Sherim te shpejte dhe agjerim te mbare vellezer te dashur.
Pastor Ylli Doçi
President i Vellazerise Ungjillore te Shqiperise.”
“Jemi vëllezër, në të mirë dhe në të keqe! 🤝
Në këto momente mendimet dhe lutjet tona 🙏🏻 janë me vëllezërit tanë myslimanë të cilët mbetën të plagosur ndaj sulmit të çmëndur brenda në ambientet e xhamisë “Dine Hoxha” në rrugën e Kavajës, Tiranë.
Dënojmë haptazi dhe pa më të voglin hezitim çdo formë dhune dhe për më tepër me bazë fetare duke shprehur solidaritetin tonë me Komunitetin Mysliman në këtë muaj të rëndësishëm për ta të Ramazanit.
Kjo ngjarje na bën edhe më të vendosur dhe më të ndërgjegjshëm për nevojën e solidaritet human dhe për më tepër atij ndërfetar që na karakterizon si shtetas të këtij vendi. Harmonia ndërfetare mes shqiptarëve ka rrënjë të thella dhe do mbesë e fortë ndaj çdo sfide, ky është misioni ynë si besimtarë, si klerikë dhe si shqiptarë. 🇦🇱
Urojmë shërim të shpejtë të lënduarve dhe kurajo familjarëve të tyre. Gjithashtu kërkojmë që organet ligjzbatuese të mos vonojnë në zbardhjen e ngjarjes për të mos i lënë vend spekulimeve të panevojshme dhe të dëmshme.
Me dashuri e solidaritet vëllazëror,
Mitropoliti i Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit, +Andoni.”