Mijëra besimtarë myslimanë falën sot namazin e Fitër Bajramit në sheshin “Skënderbej” në Tiranë dhe mijëra të tjerë në sheshet kryesore të çdo qyteti të vendit.
Festimet e Fitër Bajramit filluan që në orët e para të mëngjesit me faljen e namazit të sabahut.
Më pas programi i Bajramit filloi me këndimin e një pjesë nga Kur’ani Famëlartë, të cilën e përcolli imami i xhamisë së “Et’hem Beut”, z. Elton Karaj.
Ceremonia vazhdoi me fjalën përshëndetëse të Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i cili përcolli për të pranishmit urimet dhe përshëndetjet e kësaj dite gëzimi për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë.
“Motra dhe vëllezër, të dashur qytetarë, sot, është Bajram, është festë, është ditë gëzimi për të gjithë. Për një muaj, në syfyr e në iftar keni shtruar sofrën e muajit të Bekuar të Ramazanit. Kemi ndarë kafshatën me nevojtarët, kemi shtruar nevojën tonë për falje, nëpërmjet adhurimeve, te Zoti i gjithësisë. Festa e Bajramit është festë gëzimi, për ata që agjëruan, është gëzimi i shpresës se kemi dalë nga ky muaj më të pastër nga sa hymë në të. Bajrami është gëzim në çdo vatër shqiptare, ju sot do të shkoni te njëri-tjetri për t’i uruar Bajramin, do të shtrini dorën e pajtimit nëse keni qenë të hidhëruar me dikë, kjo botë nuk duhet të ketë mërira, ajo nuk do t’i mbetet askujt. E pazakonta e pandemisë, falë Zotit (xh.sh.), duket se po shkon, ne sivjet kaluam një ramazan normal, dhe po kalojmë një Bajram siç e shohim. Falënderimet i takojnë Zotit! ”- tha z. Spahiu gjatë fjalës së tij.
Në ligjëratën e rastit, Nënkryetari i Komunitetit Mysliman, z. Taulant Bica, pasi uroi të pranishmit për Fitër Bajramin u fokusua tek kujdesi dhe vëmendja ndaj familjes dhe rinisë.
“Dita e sotme e Fitër Bajramit është festë e madhe për të gjithë myslimanët kudo ndodhen. Gëzimi, lumturia, harmonia dhe festa e kësaj dite, vjen si pasoje e urdhrit të Zotit, i cili thotë: “O njerëz, për Mua agjëruat në muajin e Ramazanit dhe sipas urdhrit tim falët namazin e Bajramit, kthehuni tani në shtëpitë tuaja të pastruar dhe të falur nga gabimet. Ndërsa i dashuri i Tij dhe i dashuri i zemrave tona, Muhamedi a.s, na ka këshilluar me këto fjalë: “Veprimi më i dashur për Allahun pas kryerjes së adhurimeve është kur një besimtar gëzon vëllain e tij, pra një besimtar tjetër. Dhe në këtë mënyrë, të falur dhe të pastruar nga mëkatet, sot duhet të gëzojmë të gjithë sëbashku. Sot nuk ka mëri, urrejtje, smirë, mërziti, inate e xhelozi, sot ka vetëm gëzim, lumturi, dashuri, harmoni dhe respekt midis njëri-tjetrit. Sot ne i tregojmë njerëzimit se jemi të përulur, mirënjohës, të bindur dhe falënderues ndaj Krijuesit tonë por njëkohësisht të dashur dhe respektues ndaj njëri-tjetrit dhe shoqërisë.” – tha ai.
Më tej u bë falja e namazit të bajramit nga Kryetari i Komunitetit, H. Bujar Spahiu, për të vazhduar më pas me hytben e Fitër Bajramit e cila u mbajt nga Myftiu i Tiranës, z. Lauren Luli.
Gjatë hytbes, Myftiu Luli, u lut për më shumë paqe, kënaqësi, gëzim dhe harmoni mes njerëzve të shoqërisë sonë.
“Te nderuar besimtarë! Sot, ne, jemi mbledhur në këtë shesh për të gëzuar sëbashku. Allahu xh.sh e ka bërë agimin e kësaj dite festë të kalimit nga sakrifica në gëzim. Kaluam nëpër 30 ditë përkushtimi të shtuar në adhurime ndaj Zotit xh.sh. Ramazani, agjërimi pra, është pika më e lartë e sinqeritetit që njeriu mund të tregojë ndaj Zotit xh.sh. Adhurimet, sofrat e syfyrit dhe iftarit që zbukuruan këtë muaj, solidariteti, ndihma e cila ishte reale në çdo cep të Shqipërisë që bënë të mundur edhe një herë që i pasuri të ulej në të njëjtën tryezë me të varfrin, tregoi edhe një herë se Islami është manuali më i qartë për të vendosur themelet e një shoqërie të shëndetshme.” – u shpreh ai gjatë hytbes.
Më pas besimtarët e pranishëm në shesh u shpërndanë për të festuar me familjet dhe të afërmit e tyre.