Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë u mblodh sot paradite,(22/05/2021), në ambientet e Medresesë së Tiranës, ku u zhvillua mbledhja e zakonshme pas një kohe të gjatë shkëputje për shkak të pandemisë Covid-19.
Takimi u hap me leximin e disa ajeteve Kur’anore nga Myftiu i Tiranës, z. Lauren Luli, për të vijuar më tej me fjalën hapëse të kancelarit të KMSH-së, z. Ylli Cikalleshi, i cili bëri një përmbledhje të raporteve dhe vendimeve të marra që nga mbledhja e fundit e këshillit.
Fokusi i të cilave ka të bëjë me aspektin fetar, rritjen e pagave, aktivitetin e përfaqësimit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Kryetarit në veçanti, dhe disa ndryshime statuore që rrjedhin prej tyre.
-Risia e kësaj mbledhje është prezantimi për herë të parë në historinë e KMSH-së, dixhitalizimi i pronave, nëpërmjet programit “E-Prona”.
Program i cili do të rrisë transparencën, do të shkurtojë kohën, dhe më e rëndësishmja do të rrisë efikasitetin e pronave, rikthimin e tyre në rentabilitet të plotë dhe rrjedhimisht rritjen e aktivitetit fetar në vend, mbylli fjalën e tij Kancelari Ylli Cikalleshi.
Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu, përshëndeti të gjithë anëtarët e këshillit të përgjithshëm, bëri një rezyme të përgjithshme të ecurisë dhe mbarëvajtjes së punëve gjatë dhe pas pandemisë, si dhe, shpjegoi si ndikoi ajo në aspektin fetar dhe ekonomik të KMSH-së.
Më tej ai u ndal mbi sfidat, problemet dhe pengesat që janë hasur gjatë kësaj periudhe.
Sipas protokollit fjalën e mori Kryetari i Këshillit të Përgjithshëm, njëkohësisht edhe Myftiu i Kukësit, z. Islam Hoxha, i cili njohu të pranishmit me aktualitetin e Myftinisë së Zonës Kukës, duke u ndalur kryesisht në nevojat dhe ecurinë e deritanishme të saj.
Një pjesë të rëndësishme në këtë mbledhje zuri edhe fjala e Drejtorit të Vakf-Investimeve dhe Financës, z. Edison Hoti. Ai njohu të pranishmit me vendimin e marrë nga Kryesia e KMSH për të ndryshuar formën e administrimit të vakfeve sipas qarqeve aktuale të vendit. Z. Hoti shpjegoi përpara anëtarëve të KP në detaje se si do funksionoje kjo nismë tepër e rëndësishme.
Një tjetër pikë e rëndësishme për të cilën u informua dhe u kërkua miratimi për ecurinë e mëtutjeshme nga Këshilli i Përgjithshëm ishte edhe parashtrimi që bëri Nënkryetari, z. Taulant Bica, në lidhje me diasporën.
Marrëdhëniet e deritanishme dhe vëmendja e veçantë që do t’i kushtojë Komuniteti Mysliman i Shqipërisë diasporës.
-Është në nderin dhe detyrën e tonë që t’u përgjigjemi me programe fetare të shtuara, t’u vijmë atyre në ndihmë, pasi diaspora është një pjesë domethënëse e veprimtarisë tonë.
Ata janë ambasadorët tanë në vendet ku jetojnë dhe jetesa e tyre e mesazhi që ata përcjellin në vendet perëndimore në të cilat gjenden është shumë i rëndësishëm, u shpreh Nënkryetari Bica.
Në fund, Këshilli i Përgjithshëm pasi u informua me vendimet që Kryesia e Komunitetit Mysliman ka marrë gjatë kësaj periudhe, si emërimet dhe lëvizjet e kryera gjatë këtij viti, miratoi unanimisht ato, së bashku me raportin përfundimtarë të kryesisë.
Në këtë mbledhje u lanë e disa porosi dhe prioritete të së ardhmes, për të bërë të mundur që institucioni i KMSH-së të jetë në nivelet më të larta të përfaqësimit dhe përgjegjësive që mbart.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë