Mijëra besimtarë myslimanë falën sot namazin e Kurban Bajramit në sheshin “Skënderbej”, në Tiranë, dhe mijëra të tjerë në sheshet kryesore të çdo qyteti të vendit.
Festimet e Kurban Bajramit filluan që në orët e para të mëngjesit me faljen e namazit të sabahut.
Më pas programi i Bajramit filloi me këndimin e një pjesë nga Kur’ani Famëlartë, të cilën e përcolli imami i xhamisë “Xhura”, z. Bilal Teqja.
Duke vijuar me fjalën e Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i cili përcolli për të pranishmit urimet dhe përshëndetjet e kësaj dite gëzimi për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë.
Mesazhi i Kryetarit Spahiu për qytetarët në këtë bajram, u fokusua te familja dhe problemet sociale.
“Kjo festë, ashtu si çdo festë në fenë islame, mbart kuptim dhe vlera të larta.
Festat në islam nuk janë festa konsumi, janë adhurim dhe gëzim njëkohësisht.
Kurban Bajrami është festa që na kujton se sa i lartë duhet të jetë devocioni i njeriut ndaj Zotit. Në shoqërinë e sotme moderne, jeta është shumë e vrullshme.
Ky vrull është nguti për të arritur sukses në gjërat materiale, edhe pse të gjithë e dimë se kjo botë nuk do t’i mbetet askujt.
Një ndër kostot që njeriu i sotëm paguan duke rendur vetëm pas kësaj bote, është lënia pas dore edhe e familjes.
Dua ta sjell në vëmendjen time dhe tuajën këtë gjë sot.
Pasi ditë si kjo e sotmja duhet të na shërbejnë për të reflektuar.
Ne të gjithë jemi dëshmitarë të problemeve të shumta që ndodhin përreth, sidomos ato me familjen.
Ne shohim se si çdo ditë rekordet e dhunës në familje rriten. Kjo është e papranueshme.
Statistika të reja që tregojnë se përqindja e divorceve është shtuar shumë.
Fjala “divorc” po kthehet në diçka normale për çiftet, sidomos ato me fëmijë.
Motra dhe vëllezër, sipas islamit por edhe çdo studimi sciologjik bashkëkohor dëmi që i shkaktohet fëmijës nga divorci i prindërve është i parikuperueshëm.
Merrni më shumë përgjegjësi, bëhuni më të ndjeshëm, për rehatinë tuaj mos prishni rehatinë e fëmijëve.
Një tjetër gjë shqetësuese është sjellja ndaj prindërve.
Mos i lini prindërit vetëm, kujdesuni për ta, trajtojini me dashuri e dhembshuri, ashtu sikurse ata janë kujdesur për ju kur ishit fëmijë.
Kështu na urdhëron edhe Zoti në Kuranin e madhërishëm.
Të gjitha këto fenomene që përmendëm dhe të tjera janë fenomene që po kërcënojnë dukshëm familjen, janë këmbana alarmi të asaj që po vjen.
Ne duhet ta ndalim, e kemi detyrim ta ndalim!”, – tha z. Spahiu ndër të tjera në mesazhin e tij.
Në ligjëratën e rastit, Nënkryetari i Komunitetit Mysliman, z. Taulant Bica, pasi uroi të pranishmit për Kurban Bajramin, u fokusua tek kujdesi dhe vëmendja që duhet t’i kushtojmë adhurimit ndaj Zotit dhe respektit ndaj njëri-tjetrit.
“Jemi sot këtu në këtë ditë të madhe feste për të gjithë besimtarët myslimanë.
Ditë e cila me kuptimin e plot të fjalës meriton të quhet festë sepse vetë Krijuesi jonë e ka shpallur ditë gezimi dhe feste për besimtarët.
Por siç dihet, feja jonë e bukur na mëson që edhe kur kemi gëzim, edhe kur kemi festë, ta nisim atë me falenderim, me mirënjohje dhe me adhurim kundrejt Atij që na mundësoi jetën për të festuar. Prandaj dhe jemi mbledhur sot këtu, në këtë orë të herët të mëngjesit, për të falënderuar dhe adhuruar ATË që na krijoi dhe Atë që na begaton me mirësitë e Tij të vazhdueshme, çdo sekond. ELHAMDULILAH…
Madhështia e kësaj dite vjen dhe si respekt ndaj babait të profetëve, Ibrahimit (a.s.) dhe djalit të tij Ismailit (a.s.).
Zoti e sprovoi Ibrahimin me më të shtrenjtin e tij, me të birin. I kërkoi ta bëjë kurban djalin e tij të vetëm.
Por, si ai, edhe i biri e kaluan atë sprovë me sukses.
Sepse ata kishin një besim të palëkundur tek Krijuesi. Bindja dhe nënshtrimi i tyre ndaj vullnetit dhe urdhërit hyjnor ishte aq i rëndësishëm për Allahun, sa që vendosi t’ia kujtojë rëndësinë e asaj dite njerëzimit, çdo vit në ditën e Kurban Bajramit, në mënyrë që njeriu t’i rikujtoi vetes së tij, se afrimi te Zoti i gjithësisë arrihet vetëm duke iu bindur dhe nënshtruar urdhërave të Atij që e krijoi nga asgjëja.
Vëllezër dhe motra të nderuara!
Simbolika e kësaj dite është prerja e Kurbanit për hir të Zotit. Kjo është një mënyrë adhurimi që Zoti ja ka kërkuar gjithmonë njerëzimit.
Profeti Muhammed (a.s.) ka thënë : “Preni Kurban sepse prerja e kurbanit është shembulli i atit tuaj, Ibrahimit. ”
Por të mos harrojmë se qëllimi i Kurbanit nuk është gjaku apo mishi por afrimi me Krijuesin, sinqeriteti, devotshmëria dhe pastërtia e zemrave tona duke treguar bindje ndaj urdhërit të Tij.
I dashuri i zemrave tona, profeti Muhamed (a.s) ka thëne se:
“Ditën e Kurban Bajramit, nuk ka vepër më të pëlqyer tek Zoti se sa të presësh Kurban për TË.
Të dashur besimtarë dhe besimtare!
Para 14 shekujsh, pikërisht në këtë ditë Bajrami, profeti jonë i dashur, Muhamedi (a.s.) ishte në Haxhin e tij të fundit dhe i është drejtuar njerëzve me këto fjalë:
“O njerëz që një ditë do të vdisni! Duajeni dhe dëgjojeni Zotin tuaj, Krijuesin e materies dhe asaj që është shpirtërore, i Cili krijoi mashkullin dhe femrën, prej të cilëve u zhvillua e tërë gjinia njerëzore!
Dëgjoni se ç’po ju them dhe mbajeni mend mirë! Po ju lë Librin e Zotit, Kur’anin, të cilit nëse i përmbaheni, gjithnjë do t’ju ruajë që të mos e humbni rrugën e drejtë, rrugën e drejtësisë dhe të vërtetës. Kur’ani është libër i qartë dhe i shenjtë, vepër e vërtetë e Allahut dhe fjalë e Tij, në vërtetësinë e të cilit nuk ka kurrëfar dyshimi.” – tha Nënkryetari në fjalën e tij.
Më tej u bë falja e namazit të bajramit nga Kryetari i Komunitetit, H. Bujar Spahiu, për të vazhduar më pas me hytben e Kurban Bajramit e cila u mbajt nga Myftiu i Tiranës, z. Lauren Luli.
Gjatë hytbes, Myftiu Luli, u lut për më shumë paqe, begati, gëzim dhe harmoni mes njerëzve.
“Të nderuar besimtarë e besimtare, vëllezër dhe motra, ju që jeni të pranishëm këtu dhe ata që na ndjekin nëpërmjet ekranit!
Sot po nis një ditë e bukur, ditë bajrami. Ditë falje e mëshire të pakufijshme nga Allahu xh.sh për besimtarët.
E falënderojmë Zotin (xhsh) për të gjitha mirësitë që na ka dhuruar dhe veçanërisht për këtë ditë të bukur siç është Kurban Bajrami, që mbush me gëzim zemrat dhe shpirtrat tanë.
Kalojmë nëpër ditë me vështirësi gjatë vitit, ndonjëherë pesimizohemi kur prekemi vetë apo të tjerët nga fatkeqësi të cilat vijnë njëra pas tjetrës, pandemi, sëmundje, përmbytje, aksidente, vrasje etj.
Por pas çdo vështirësie vjen lehtësimi, thotë Allahu i madhëruar.
Kurban Bajrami është festa e shpresës.
Ju që Allahu ju ka furnizuar me dituri, përhapeni atë.
Dituria fiton vlerë kur ndahet me tjerët, kështu na këshillon edhe Profeti (a.s.).
O besimtarë, nderojini prindërit tuaj, mbani lidhjet familjare dhe ndihmojini jetimët sepse janë vepra që shpërblimi për to vjen qysh në dynja ndërsa në botën e përtejme përgatiten shpërblime edhe më të mëdha.
Respektoni fqinjët, respektoni të drejtat e tyre, këshilloni njerëzit në punë të mira, largojini prej punëve të këqija sepse ashtu e ruani Islamin dhe shoqërinë tuaj.
Mos prekni dinjitetin dhe nderin e tjetrit.” – u shpreh myftiu gjatë hytbes.
Prezantimi i ceremonisë së Kurban Bajramit u bë nga, z. Ejup Lila, Drejtori i Kabinetit KMSH.
Më pas besimtarët e pranishëm në shesh u shpërndanë për të festuar me familjet dhe të afërmit e tyre.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ju uron gjithë shqiptarëve, Gëzuar Kurban Bajramin!
Paqe, mirësi e begati në familjet tuaja dhe për kombin tonë!

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë