Instituti për Hulumtime dhe Studime Islame i cili funksionon në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës, mbajti konferencë shkencore “Një shekull nga përkthim i Kuranit nga Ilo Mitkë Qafëzezi”.
Konferenca u mbajt në Prishtinë më 21 shtator 2021.
Në këtë konferencë shkencore, ndër shumë studiues dhe akademikë të ndryshëm nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, pjesëmarrës ishte edhe Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu.
Përkthimi i Kuranit nga Qafëzezi, një shekull më parë, është një “guxim” i madh dhe kontribut gjithashtu po aq i madh, kjo nisur nga fakti i përkatësis fetare të Qafëzezit.
Kjo nismë ishte një hap shumë thelbësor për sjelljen në gjuhën shqipe të Kuranit Famëlartë, Fjalës së Zotit.
Qëllimi i kësaj konference ishte sjellja dhe dhënia e vëmendjes së duhur një nisme të tillë, e cila në kushtet dhe kontekstin historik në të cilin ka ndodhur, nuk ka zënë vendin që i takon në historinë e literaturës shqipe.
-Pesha e Kuranit në jetën e besimtarit është e patjetërsueshme. Ai na tregon se çfarë është feja, dashuria, bukuria, virtyti e keqja dhe e mira. Aty do të gjejmë dispozita të mjaftueshme se si të rregullojmë moralin dhe marrëdhëniet mes njerëzve, si dhe të drejtat për të gëzuar të mirat materiale e shpirtërore. Ndryshe nga sistemet e tjera, që janë ndërtuar nga dora e njeriut, Kurani ofron sistemin më të përkryer, duke i dhënë njeriut orientime për të kuptuar e ndërtuar jetën personale, familjare e shoqërore në tokë.
Njeriu, i cili nuk i bën vend Kuranit në mendje dhe në botën e vet të brendshme, gjithsesi nuk do të ketë pjesë prej tij.
Përkthimi i Kuranit është një nevojë e myslimanëve në mbarë botën. Nisur nga kjo, edhe në gjuhën shqipe kemi përpjekje në këtë drejtim. Për shqiptarët, si edhe për popujt e tjerë që nuk e kanë arabishten gjuhë të folur, ishte një nevojë urgjente përkthimi i Kuranit në gjuhët e veta amtare. Megjithëse në mënyrë të pjesshme, shikojmë një interesim të përkthimit të Kuranit në gjuhën shqipe nga Ilo Mitko Qafëzezi, një shqiptar i krishterë ortodoks nga Korça. Ai në vitin 1921 bëri përkthimin e parë dhe të pjesshëm të Kur’anit në gjuhën shqipe, duke iu referuar përkthimit të Kuranit nga George Sale, në gjuhën angleze. Megjithatë, është fakt se edhe para këtij përkthimi të Ilo Mitko Qafëzezit, në vitin 1894, pjesë dhe sure nga Kurani, i përktheu edhe shkrimtari i famshëm shqiptar Naim Frashëri me titull: “Thelb i Kuranit”, botuar në librin e tij “Mësime”, në Bukuresht, tha ndër të tjera Kryetari Spahiu në fjalën e tij përshëndetëse në këtë konferencë.