Cili është shkaku që dijetarët shqiptarë të fillimshekullit të XX, përveç disa punimesh të rralla, nuk janë shquar si autorë veprash të mirëfillta në shkencat islame? Shoqëria ka nevojë për vepra fetare në gjuhën amtare, në mënyrë që njerëzit të informohen drejt rreth besimit të tyre. Si do të kuptohet Kur’ani pa një tefsir? Si do të praktikohet feja pa libra rreth jurisprudencës islame? Për shembull, një tefsir disa vëllimesh nga Hafiz Ali Korça do të kishte qenë një kryevepër. Në fakt, përgjigjja e pyetjes që parashtruam në krye, mund të ketë dimensione dhe shkaqe të ndryshme, por nuk ka dyshim se, studimi i tematikave rreth së cilave kanë lëvruar penën personalitetet e elitës intelektuale islame, na jep një ide rreth saj. Kur lexojmë artikujt e revistës “Zani i Naltë”, ne gjejmë tematika nga më të ndryshmet dhe nga këtu kuptojmë se autorët janë fokusuar më tepër tek aktualiteti, duke i shoqëruar çështjet edhe me argumentim fetar. Kjo ka bërë që klerikët e asaj kohe të mos përpilojnë vepra klasike në shkencat islame, por t’i përgjigjen nevojave të kohës. Me shumë mundësi, e njëjta ide ka qenë shkak i një strategjie të mirëfilltë në serinë e ligjëratave me titull “Ç’urdhënon Kur-ani”, ku krahas çështjeve të drejtpërdrejta fetare si besimi, adhurimi, morali i besimtarit, janë trajtuar edhe çështje si dashuria dhe besnikëria karshi atdheut dhe flamurit. Por ky është thjesht një konstatim, krahas së cilit, mund të radhiten edhe shkaqe të tjera rreth çështjes së mospërpilimit të veprave klasike fetare. Po kështu, edhe shumë çështje të tjera, mund të gjejnë përgjigje nën dritën e artikujve të revistës “Zani i Naltë”, të botuar në vitet 1923-1939.
Duke lexuar artikujt e Sheh Qazim Hoxhës vërejmë një personalitet të lartë, të mirinformuar në fushat e shkencave të fesë, si dhe me njohuri të gjera kulturore. Gjuha dhe pena e tij janë të mprehta, shumë korrekte dhe të kujdesshme. Fjalët e tij janë prodhim i një mendimi të shëndoshë dhe të mirëstrukturuar. Një mendim i plotë, që nuk pranon hapësira apo folklorizma. Çdo fjalë e shkruar ka referencën e saj dhe mbështetet në një burim të caktuar. Një mendje e pjekur, që çdo mendim e ka bazuar në argumentim sa tradicional, aq edhe logjik.
Në artikujt dhe ligjëratat e tij dallojmë një shumëllojshmëri tematikash mediapazon jashtëzakonisht të gjerë. Sheh Qazimi, është shumë i qartë për sa i përket e dijes dhe formimit të duhur të një besimtari. Këtë ne e shohim të pasqyruar edhe në programin mësimor të medreseve të kohës. Ai, krahas njohurive fetare, vë theksin mbi diturinë e shkencave shoqërore si psikologjia dhe sociologjia, si dhe mbi shkencën dhe artin. Te Sheh Qazim Hoxha dallojmë rëndësinë që ai i jep mendjes dhe të menduarit logjikshëm.
Në përkufizimin e Kur’anit, ai tërheq vëmendjen në vlerat dhe virtytet e larta që përcjellLibri i Shenjtë. Kjo do të thotë se Sheh Qazimi e kishte lexuar mirë nevojën e kohës. Temat e trajtuara janë paqja e shpëtimi, rëndësia e diturisë, jetesa epërbashkët në shoqëri, drejtësia, mirësia, ndihma reciproke, bamirësia ndaj të varfërve e të dobëtëve, virtytet morale, të drejtat njerëzore, anti-korrupsioni, punët e mira, stabilizimi i qeverisë, lumturia e njerëzimit, etj.
Kjo hyrje e shkurtër është një përpjekje për të nxjerrë në pah një pasqyrim të shkurtër të tipareve që bien në sy në shkrimet dhe ligjëratat e Sheh Qazim Hoxhës të botuara në revistën “Zani i Naltë” 1923-1939.
Zoti qoftë i kënaqur prej Sheh Qazim Hoxhës dhe mbarë hoxhallarëve të këtij rangu, që përfaqësuan Islamin në mënyrën më të denjë dhe arritën ta transmetojnë atë brez pas brezi.