Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, zhvilloi sot, në ambientet e Medresesë së Tiranës, mbledhjen e parë për vitin 2022.
Kjo mbledhje u çel me leximin e disa ajeteve Kur’anore nga Myftiu i Tiranës, z. Lauren Luli, për të vijuar më tej me fjalën hapëse të kryetarit, H. Bujar Spahiu, i cili pasi përshëndeti të gjithë anëtarët e këshillit të përgjithshëm, u ndal në ecurinë e aktivitetit fetar të KMSH-së në 6-mujorin e fundit, si dhe në angazhimin fetar që pritet nga qendra dhe të gjithë myftinjtë në prag të muajit të Ramazanit, për ti dhënë këtij muaji vlerën dhe rëndësinë që meriton.
Pas fjalës së kryetarit, kancelari, z. Ylli Cikalleshi, bëri një përmbledhje përpara anëtarëve të këshillit, të të gjitha vendimeve të marra që nga mbledhja e fundit e KP-së (4 dhjetor 2021), përshkroi gjithashtu edhe aktivitetet publike të kryetarit dhe kryesisë deri në ditën e sotme.
Pas tij, fjalën e mori kryetari i Këshillit të Përgjithshëm, z. Islam Hoxha, i cili prezantoi për të pranishmit raportin e Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm mbi ecurinë e Myftinisë së Lezhës dhe asaj të Krujës, raport nga i cili evidentohet ecuria e aktivitetit fetar, administrativ dhe ekonomik i tyre.
Praktikë që po ndiqet në të gjitha myftinitë e vendit.
Më tej ishte radha e drejtorit të drejtorisë së Financës dhe Vakf-Investimeve, z. Edison Hoti, të ndante me të pranishmit zhvillimet më të fundit përsa i përket vakëfeve në rang vendi.
Ndërsa Drejtori i Kulturës në KMSh, z. Dorian Demetja, ndau me të pranishmit botimet aktuale dhe ecurinë e punëve pranë kësaj drejtorie në kuadër të zgjerimit të mëtejshëm të litëraturës Islame në gjuhën shqipe.
Në fund të kësaj mbledhjeje, Nënkryetari i KMSh-së, z. Taulant Bica, theksoi rëndësinë që ka angazhimi i të gjithë myftinive në intensifikimin e aktiviteteve dhe në përgjithësi të jetës fetare veçanërisht gjatë muajit të Ramazanit.
Në fund, kancelari, z. Cikalleshi, hodhi në votim raportin e kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm, raportin dhe vendimet e kryesisë së KMSH-së, akt-kontrollin për periudhën Dhjetor 2021 – Mars 2022.
Vendime të cilat u votuan unanimisht nga më shumë së 2/3-tat e anëtarëve të pranishëm të këshillit.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë