Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dekoron me titullin “Hafiz Ali Korça”, Prof. Dr. Ferdinand Gjanën, Rektor i Kolegjit Universitar “Bedër”.
Me rastin e përfundimit të mandatit të Prof. Gjanës si rektor i këtij institucioni që nga themelimi në prill të vitit 2011, ditën e djeshme u zhvillua edhe ceremonia e lamtumirës së tij, ceremoni në të cilën ishte vetë Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i cili i dorëzoi z. Gjana, titullin “Hafiz Ali Korça”, me motivacionin: “Për kontributin e çmuar në fushën e arsimit, veçanërisht në hedhjen e themeleve dhe ngritjes së Kolegjit Universitar Bedër.”
Ceremonia filloi me fjalën përshëndetëse të Dr. Erlis Celës, Shef i Departamentit të Shkencave të Komunikimit pranë këtij institucioni, i cili vlerësoi figurën e Prof. Gjanës dhe kontributin e tij ndër vite në ecurinë e institucionit.
Për të vijuar më tej me një rezyme të këtyre 11 viteve të Prof. Gjanës si rektor i KU Bedër, rezyme e cila u soll për të pranishmit nga Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane, Prof. Assoc. Dr. Rahim Ombashi.
Ndërsa ish-kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, tashmë President i Bordit të Administrimit të Kolegjit Universitar “Bedër”, z. Skender Bruçaj, vlerësoi Prof. Gjanën si akademik, intelektual dhe mik me të cilin kanë bashkëudhëtuar për një kohë të gjatë në edukimin e brezave të këtij institucioni të arsimit të lartë.
Në fund, ishte kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, ai i cili ndau me të pranishmit përshëndetjen e tij të rastit.
“Është kënaqësi e veçantë për mua t’i akordoj, sot, në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Profesor Gjanës, titullin “Hafiz Ali Korça, për kontributin e çmuar në fushën e arsimit dhe veçanërisht në ecurinë e këtij institucioni. Falë ndihmës së Zotit, përkushtimit të secilit që ka punuar e punon në këtë universitet, dhe falë lidershipit të treguar nga rektori Gjana, Bedër sot është rritur shumë, konsoliduar mjaftueshmërisht, dhe gjithashtu radhitet ndër universitetet më të mira të vendit tonë.” – u shpreh kryetari Spahiu në fjalën e tij.
Më tej, ai i dorëzoi Prof. Gjanës titullin e nderit në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Fjala e plotë e Kryetarit Spahiu gjatë ceremonies
I nderuar Rektor i Universitetit BEDER, z. Ferdinand Gjana.
Të nderuar pedagogë, të dashur miq.
Është kënaqësi e veçantë për mua t’i akordoj, sot, në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Profesor Gjanës, titullin “Hafiz Ali Korça, për kontributin e çmuar në fushën e arsimit dhe veçanërisht në themelimin e konsolidimin e këtij universiteti.
Hafiz Ali Korça është një personalitet që na bën të ndihemi krenarë ne si myslimanë, por edhe gjithë shqiptarët pa dallim.
Është nga ato personalitete, për të cilin ka një konsensus të gjerë pozitiv për të, si dijetar i fesë, njeri i letrave dhe patriot i shquar.
Si i tillë, ne si Komunitet Mysliman i Shqipërisë kemi vendosur që ky emër i nderuar, të jetë një titull që do të jepet nga institucioni jonë sot dhe në të ardhmen, me lejen e Zotit.
Dhe ku më mirë se këtu, kush më shumë se Profesor Gjana, do ta meritonte të ishte i pari që nderohej me këtë titull.
Universiteti i parë teologjik, dhe jo vetëm, në historinë e kombit tonë.
Universiteti i parë nën ombllenën e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Po i theksoj si ngjarje që kanë ndodhur për herë të parë, pasi këto do të jenë edhe pjesë e pandashme e historisë së Universitetit BEDËR.
E së bashku me këto padiskutim do të jetë edhe emri i Profesor Ferdinand Gjanës, si bashkëthemelues e Rektori i parë i këtij universiteti.
Në një vend si ky i yni, ku tradita universitare shtetërore nuk e ka mbushur akoma një shekull, të gjithë e dimë, jemi aty sa kemi kaluar pesë dekada të universitetit më të vjetër, pra, asgjë nuk është e lehtë.
Sidomos të ngresh një vatër dije të niveleve të larta.
Për shkak të rrethanave, unë, edhe disa prej jush këtu jemi edhe në një mënyrë apo një tjetër bashkëudhëtarë të ngritjes së Universitetit BEDER, por ama, diçka duhet theksuar, barrën më të rëndë të udhëheqësisë e ka patur rektori, z. Gjana.
Ka patur momente entuziazmi dhe motivimi, ashtu siç ka patur edhe momentet pesimizmi e vështirësie të gjithëanshme.
Ato momentet e para i kemi përjetuar të gjithë thuajse njëlloj, ato të dytat, që janë edhe më të rëndat, i kanë përjetuar drejtuesit këtu më shumë, me në krye rektorin.
Falë ndihmës së Zotit, përkushtimit të secilit që ka punuar e punon në këtë universitet, dhe falë lidershipit të treguar nga rektori Gjana, BEDËR sot është rritur shumë, konsoliduar mjatueshmërisht gjithashtu, dhe radhitet ndër universitetet e mira të vendit tonë.
E, kjo nuk është pak!
Prof. Gjana, më lejoni të shpreh konsideratën time më të lartë për kontributin tuaj në themelimin dhe konsolidimin e Universiteti Beder.
BEDËR është një trashëgimi e çmuar që ka zënë vend nderi në rrjetin arsimor të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Ju, si bashkëthemelues dhe drejtues i këtij universiteti prej një dekade, ish krerët e Komuniteti Mysliman të Shqipërisë, i ndjeri H. Selim Muça (Zoti e mëshiroftë), ish kryetari Bruçaj, paraardhësi im, stafi pedagogjik dhe mbështetës administrativ, i keni bërë shërbimin më të mirë, sipas kapacitetit dhe mundësisë së secilit, vendit, KMSH-s dhe mbi të gjitha, studentëve që kanë marrë dhe marrin dije në auditoret e këtij universiteti.
Ne jemi edhe besimtarë të një feje që stimulon dijen e dobishme dhe inkurajon për të ndriçuar mendjen njerëzore.
Titulli “Hafiz Ali Korça” të cilin kam kënaqësinë t’ua dorëzoj sot ju, z. Gjana, tregon se, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, për sa thashë më lart, e për shumë sa nuk munda dot t’i them për shkak të kohës, ju është mirënjohës ju personalisht dhe gjithë bashkëpunëtorëve tuaj ndër vite.
Profesor, ju dëshiroj suksese të mëtejshme kudo ku të shkoni, ta gëzoni këtë titull me të afërmit dhe të dashurit Tuaj.
Ju faleminderit!