“WATER FOR LIFE”
“Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Allahut, i shëmbëllejnë atij që mbjell një kokërr nga e cila dalin shtatë kallinj, ku secili kalli ka nga njëqind kokrra. Allahu ia shton (shpërblimin) edhe më tepër kujt të dëshirojë; Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm.” (2:261)
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, në bashkëpunim me Fondacionin “Swiss Barakah” dhurojnë për besimtarët e një qyteti në Sri Lanka një pus uji të pijshëm dhe kanë ndërtuar gjithashtu abdes’hane në shërbim të besimtarëve.
Swiss Barakah është një fondacion humanitar me qendër në Zvicër.
Komuniteti Mysliman ka prej kohësh një bashkëpunim të ngushtë institucional, në drejtim të aspektit humanitar, me këtë fondacion.
Edhe ky bashkëpunim është i tillë, për t’i dhënë vazhdimësi dhurimit, ndihmës dhe mirëbërësisë si shfaqje të mëshirës, dhembshurisë dhe dashurisë ndaj krijesave për hir të Krijuesit.
Ndërtimi i këtij vakëfi është bashkimi i forcave dhe vullnetit të mirë të përbashkët institucional.
Ky qëllim shpirtëror shërben për t’i trajtuar nevojtarët përkatës me dhembshuri dhe mëshirë, duke i ndihmuar ata, me shpresën për të fituar pëlqimin e Zotit.
Profeti Muhamed (a.s.) sadakanë rrjedhëse e ka krahasuar me lumenj dhe çezma që vazhdojnë të rrjedhin qysh kur është krijuar bota.
Ne shresojnë që i tillë të jetë ky vakëf në këtë komunitet në Sri Lanka.
Falë Zotit ne jetojmë në një vend që ka ujë me bollëk, mirësi e Zotit, por në vende të tjera të botës, si rasti në fjalë, hapja e një pusi uji të pijshëm është një nga nevojat jetësore për popullatën.
Profeti ynë (a.s.) na ka porositur të tregojmë mëshirë për më të varfërit: “Kini mëshirë për banorët e tokës në mënyrë që edhe banorët e qiellit të kenë mëshirë për ju!” (Tirmidhi, 16)
Duke falenderuar me mirënjohje fondacionin zvicerian “Swiss Barakah” për bashkëpunimin e ngushtë, ne lutemi që Zoti t’ua pranojë sadakanë gjithë kontribuesve në këtë vakëf dhe kjo t’i shërbejë më së miri komunitetit për të cilin është dhuruar.
Zoti ynë! Na mundëso ne t’i kryejmë denjësisht amanetet që na ke dhënë dhe të mund të bëhemi njerëz që u shërbejnë krijesave për hir të Krijuesit!
Amin!

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë