Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, ndodhet në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, ku me ftesë zyrtare të Shkëlqesisë së tij Abdullah bin el-Shejkh el-Mahfudh bin Bejah, Kryetar i Forumit të Abu Dabit për Paqen dhe Kryetar i Këshillit të Emirateve për Fetvanë, po merr pjesë në forumin e organizuar nga ky institucion, me temë: “Globalizmi i Konflikteve dhe Universalizmi i Paqes: Kërkesat dhe Partneritetet”.
Ky aktivitet zhvillohet nën kujdesin e veçantë të Shkëlqesisë së Tij, Abdullah bin Zajed al-Nahjan, Ministër për Punët e Jashtme dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar në EBA.
Në këtë forum marrin pjesë personalitete politike dhe fetare nga e gjithë bota arabe e më gjerë, të cilët gjatë fjalimeve të tyre kanë bërë thirrje për paqe dhe bashkëjetesë ndërfetare e njerëzore në mbarë botën dhe ndëprerjen e menjëhershme të konflikteve pamvarsisht se ku ndodhin ato.
Gjatë punimeve të këtij forumi 3-ditor, 8-10 nëntor, z. Spahiu, krahas pjesëmarrjes në sesionet e tij, po zhvillon njëkohësisht edhe takime me krerët më të rëndësishëm fetarë islamë të Lindjes së Mesme dhe më gjerë, si dr. Abdullah bin Bejah, kryetar i Forumit, dr. Muhamed bin Abdulkerim el-Isa, Sekretar i Përgjithshëm i Ligës së Botës Islame, etj.