Ky simpozium, i zhvilluar ditën e sotme në ambientet e “Tirana International Hotel”, vjen në kuadër të promovimit të botimit “Guidë Turistike Fetare për Tiranën”, botim ky i Qendrës për Administrim Social Ekonomik Territorial në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës.
Ky botim, kjo guidë fetare, synon përmbledhjen dhe prezantimin e objekteve të kultit më të veçanta e më të pasura fetarisht e kulturalisht që mbart Tirana nga të 5-ta komunitetet fetare, si dhe percjellja e këtyre vlerave për të gjithë të huajt që vizitojnë Tiranën.
Të pranishëm ishin përfaqësuesit e 5 besimeve fetare të vendit tonë, ndër ta edhe Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Nënkryetari i Bashkisë Tiranë, z. Andi Seferi, Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, z. Klodjan Bulku, studiues, akademikë, klerikë, agjentë turistik, besimtarë, etj.
Në fjalën e saj hapëse, Administratorja e Qendrës ASET, znj. Meriglena Rusta, pasi uroi mirëseardhjen të pranishmëve, falenderoi krerët e komuniteteve fetare për bashkëpunimin në publikimin e këtij botimi dhe bëri një rezyme të shkurtër të përmbajtjes së tij.
Më tej, fjalën e mori Nënkryetari i Bashkisë Tiranë, z. Seferi, i cili përcolli angazhimin e institucionit që ai përfaqëson në promovimin e bashkëjetesës nëpërmjet kësaj guide për të gjithë ata që vizitojnë kryeqytetin tonë.
Ndërsa Kryetari Spahiu, ndau me të pranishmit shembullin e bashkëjetesës fetare që karakterizon vendin tonë. Sipas tij, takimet, forumet apo aktivitetet e nivelit të lartë kombëtar e ndërkombëtar, janë tregues të qartë që flasin për vëllazërinë njerëzore. Më tej ai u ndal edhe në domethënien e këtij botimi për objektet e kultit.
“Sa i përket të bërit atraktive edhe për turistët, të kësaj vlere të mrekullueshme që ne kemi, që ta prekin më nga afër edhe ata këtë shembull të shkëlqyer, është për tu përshëndetur. Tirana ka patur një trashëgimi arkitekturore fetare të jashtëzakonshme, trashëgimi e cila nuk ekziston më në ato përmasa për shumë arsye. Por mua më vjen mirë që kemi një zgjim, kemi një vetëdijësim për të ruajtur ç’ka ka mbetur e për ta kthyer atë në atraktivitet për këdo që viziton kryeqytetin tonë.” – tha ai gjatë fjalës së tij.
Ky simpozium vijoi më tej me fjalët e përfaqësuesve të tjerë të komuniteteve fetare, të cilët gjithashtu vlerësuan punën e bërë në kontekstin e mbledhjes dhe promovimit të objekteve të kultit me anë të këtij botimi, për të gjithë ata që shfaqin interes në vlerat tona të bashkëjetesës ndërfetare.