Shpallja e pavarësisë i gjeti udhëheqësit e dijetarët myslimanë shqiptarë në krye të momenteve historike të vendit tonë dhe ishin pikërisht këta prijës, të cilët do të unifikonin institucionet islame në vendin tonë nëpërmjet zhvillimit të disa kongreseve kombëtare. Kështu, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë u themelua nga rilindës dhe firmëtarë të pavarësisë, si një bashkësi që do të përfaqësonte zërin e besimtarëve myslimanë në Shqipëri, trojet shqiptare, madje, në mjaft raste, edhe zërin e mbarë shqiptarëve.

Ai që shënoi edhe pikënisjen drejt institucionalizimit të Bashkësisë Islame, ishte Kongresi i Parë i mbajtur më 24 shkurt deri më 12 mars 1923, që hodhi edhe themelet në formimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Qysh prej asaj kohe, besimtarët myslimanë shqiptarë do të përfaqësoheshin vetë dhe do t’i dilnin vetë për zot përhapjes e ruajtjes së traditës së bukur të besimit Islam.

Lëvizjet e para për Mëvetësinë e Xhamisë Shqiptare

Për të pasur një përfytyrim më të saktë rreth marrëdhënieve fetare midis Shqipërisë dhe Kalifatit Osman, e sidomos rreth procesit të mëvetësisë së xhamisë shqiptare, është e nevojshme që të hedhim një vështrim retrospektiv, sepse ky proces në të vërtetë ka nisur shumë më herët nga kongresi i parë i myslimanëve. De facto ai është kryer më 28 nëntor 1912, atëherë kur Shqipëria u shkëput përfundimisht nga Perandoria Osmane. Kështu, krahas Shpalljes së Pavarësisë dhe formimit të qeverisë së Ismail Qemalit, Kuvendi Kombëtar i Vlorës caktoi në krye të Senatit, hoxhën dhe patriotin Haxhi Vehbi Dibra, i cili do të mbante njëkohësisht edhe detyrën e Kryemyftiut të Shqipërisë.

Shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912 si një akt politiko-historik për shqiptarët, do ta  përshëndeste në cilësinë e kryetarit të senatit të parë shqiptar dhe kryemyftiut të vendit H. Vehbi Dibra (Agolli), firmëtar i deklaratës së pavarësisë, i cili sipas sheriatit, dha fetvanë e njohur për Shpalljen e Pavarësisë dhe për flamurin. Me këtë fetva, ai legjitimoi fetarisht pavarësinë dhe i mbylli rrugën deformimeve e ligësive antikombëtare.

Për organizimin e brendshëm të fesë islame, qeveria e Vlorës aplikoi status kuonë e trashëguar, por duke likuiduar de facto varësinë institucionale nga Shejhul Islami me qendër në Stamboll, dhe, për herë të parë, Shqipëria kishte Myftiun e vet të Përgjithshëm, të emëruar nga qeveria shqiptare. Administrata fetare u ndërtua nën shembullin e asaj shtetërore, prefekturës i përgjigjej myftinia, nënprefekturës-nënmyftinia, etj. Kjo administratë ishte nën varësi të qeverisë.

Menjëherë pas marrjes së detyrës në maj të vitit 1913, Haxhi Vehbi Dibra filloi një veprimtari intensive për organizimin dhe reformimin e institucioneve të bashkësisë islame, të institucioneve të kadilerëve e myftilerëve, të rolit e detyrave të tyre, të ngritjes e organizimit të sherive, etj. Këto probleme ai arriti t’i bëjë objekt diskutimi e trajtese edhe në mbledhjet e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.

Kur analizojmë rrugën që ka ndjekur procesi i realizimit të mëvetësisë së Komunitetit Mysliman Shqiptar, duhet theksuar se pas vitit 1912 ai nuk ka pasur më asnjë kontakt zyrtar me Kalifatin Osman. Në fondin e Komunitetit Mysliman që gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit, të paktën deri tani, nuk është gjetur qoftë edhe një dokument që të dëshmojë lidhjet me Shejhul Islamin në Stamboll.

Duhet theksuar se, për shkak të rrethanave politike që u krijuan në këtë periudhë, nuk pati ndonjë veprimtari konkrete për organizimin dhe strukturimin e Bashkësisë Islame. Në kohën e qeverisë së Princ Vidit (1914), Komuniteti Mysliman në Shqipëri ishte po aq sovran sa edhe Komuniteti Mysliman në Bosnje-Hercegovinë, Bullgari, Rumani dhe Greqi. Në krye të strukturës myslimane qëndronte kryemyftiu, i cili ishte njëkohësisht prijësi i të gjithë ulemave dhe i administratës së sheriatit.

Formimi i Gjyqit të Naltë të Sheriatit

Në tetor të vitit 1916, me urdhër të komandës ushtarake austro-hungareze, u formua në Shkodër Gjyqi i Naltë i Sheriatit i përbërë nga Myftiu i Përgjithshëm H. Vehbi Dibra dhe dy anëtarë, kryesekretari dhe dy shkruesa. Në vitin 1917, komanda ushtarake austro-hungareze miratoi “Parashkresën e përkohshme për organizimin e Sherisë në Shqipëri”, e cila përbëhej nga 43 nene dhe deri në vitin 1923 luajti rolin e një statuti. Sipas Parashkresës në krye të bashkësisë islame dhe të organizimit të Sherisë ishte Myftiu i Përgjithshëm. Nën kryesinë e tij ishin të gjithë hoxhallarët dhe gjyqtarët e sherisë, sikurse dhe të gjithë zyrtarët e tjerë. Myftiu i Përgjithshëm kishte drejtimin dhe kontrollin e epërm mbi të gjitha çështjet e myslimanëve dhe të instituteve bamirëse dhe të arsimimit të myslimanëve. Bashkë me Myftiun e Përgjithshëm, pranë tij si ndihmës qëndronin dhe dy ulema. Këta të dy, bashkë me Myftiun e Përgjithshëm përbënin Këshillin e Naltë ose Gjyqin e Naltë të Sheriatit. Ky Këshill ishte shkalla më e lartë për çështjet e besimit dhe të gjyqësisë. Ai kishte të drejtë të zgjidhte gjyqtarët e sherisë, imamët, hatibët, hoxhallarët në përgjithësi, mësuesit e besimit dhe nëpunësit e tjerë. Në Parashkresë përcaktoheshin edhe detyrat e Myftiut të Përgjithshëm dhe të Këshillit të Naltë të Sheriatit, të myfti-kadive, të naibëve, të vaizëve, etj.

Në bazë të nenit 9 të kësaj rregulloreje, gjykatat e sheriatit, që ishin nën drejtimin e një myfti-kadiu, quheshin gjykata të shkallës së I, ndërsa ato që ishin nën drejtimin e një naibi, gjykata të shkallës së II. Në marrëveshje me Këshillin e Naltë të Sheriatit, komanda ushtarake austro-hungareze, për t’i kontrolluar më lehtë të gjitha çështjet e kultusit islam, bashkoi postin e kadiut me atë të myftiut dhe ngriti gjykata në të gjitha kryeqendrat e qarqeve. Gjykata sheriati u ngritën në Shkodër, Tiranë, Elbasan, Berat Lezhë, Pukë, Krujë, Mat, Durrës, Shijak, Kavajë, Peqin, Lushnjë, Gramsh, Fier, Ballsh, Skrapar, Peshkopi, Lumë, Gorë, Has dhe Krasniq.

Në sajë të kujdesit të H. Vehbi Dibrës, puna për organizimin e sherive dhe vakfeve

në Shqipëri kishte shënuar hapa të rëndësishëm. Sipas raporteve administrative të Korparmatës XIX, dërguar Vjenës më 14 qershor 1918, rezulton se organizimi i gjyqeve të sheriatit kishte kohë që kishte përfunduar dhe se ato, në pjesën më të madhe të vendit, ishin bërë tani një institucion i njohur që çmohej e respektohej nga popullsia.

Në këtë kohë, Komuniteti mbante emrin Gjyqi i Naltë i Sheriatit dhe përbëhej prej një Këshilli të Naltë të Sheriatit me pesë anëtarë, në krye të të cilëve qëndronte Myftiu i Përgjithshëm. Këshilli i Naltë zgjidhej për pesë vjet, ndërsa Kongresi studionte veprimet fetare dhe financiare të Këshillit të Naltë e të qarqeve. Vartësit e Këshillit të Naltë të Sheriatit ishin: 1) Myftinjtë e qarqeve; 2) Sekretarët e vakfeve, që merreshin me administrimin e të ardhurave vakfnore, 3) Sekretarët e sherisë, të cilët merreshin me martesat, shkurorëzimet, etj. 4) Mytevelijtë (administratorët), që administronin dhe kujdeseshin për mirëmbajtjen e pasurive vakfnore dhe të faltoreve. Detyra e Këshillit të Naltë të Sheriatit ishte emërimi i myftinjve dhe i klerikëve të tjerë, si: imamë, vaizë, myderrizë, si dhe emërimi i sekretarëve të qendrës dhe të qarqeve. Këshilli i Naltë kontrollonte veprimet e myftinjve dhe të administratës financiare, në krye të së cilës qëndronte një drejtor vakfi. Para Kongresit të 1923 kjo administratë ishte Drejtori e veçantë pranë Ministrisë së Financave.

Përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet islame

Me interes në këtë periudhë është dhe një qarkore e Myftiut të Përgjithshëm Haxhi Vehbi Dibra, që u dërgon të gjithë Kryetarëve të Gjyqeve të Sheriatit. Ai i urdhëroi ato se duke qenë se Shqipëria ishte një shtet i pavarur dhe nuk kishte ndonjë lidhje shtetërore me qeverinë osmane, lutjet të mos bëheshin në turqisht, por në gjuhën e besimit mysliman dhe sulltani të mos përmendej më si mbret i Shqipërisë. “Tue qenë që sot Shqipnia asht një shtet në vedi e nuk ka ndonji të përpjekun shtetnuer me qeverinë turke, të lutunat duhen ba në gjuhë të besimit mysliman d.m.th.  arabisht, e edhe Naltmadhnija e Tij Sulltani duhet përmend si halifja i myslimanvet e jo, sikurse në kohë të Turkis si Mbret i vendit.”

Sipas nenit 18 të “Parashkresës…”, ligjëratat në xhami duhet të mbaheshin në shqip dhe arabisht, t’u përgjigjeshin nevojave të kohës dhe urdhrave të qeverisë. Vendimeve gjyqësore duhej t’u ngjitej përherë edhe një shkurtim në gjuhën shqipe.

Përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet e fesë islame ishte një detyrë që Këshilli i Naltë i Sheriatit i kishte vënë vetes për të futur elementet kombëtare në administrimin e fesë. Këshilli i Naltë i Sheriatit ngulte këmbë që të gjithë nëpunësit dhe prijësit myslimanë që ishin në shërbim të popullit, ta mësonin gjuhën shqipe me shkrim e lexim dhe ta përdornin atë në kontaktet, predikimet dhe korrespondencën, që mund të kishin në çështjet e përditshme. Kjo kërkesë pasqyrohet në shumë dokumente, si: qarkore, urdhra e udhëzime, dërguar zyrave të sheriatit në qarqe, prefektura e nënprefektura dhe shtypit të kohës. “Sot protokollet e zhvillimit të gjyqeve, sipas udhëzimeve të Këshillit të Naltë të Sheriatit mbahen në gjuhën shqipe. Gjithashtu edhe fjalimet dhe kundërfjalimet, paditë, peticionet e palëve, si: lutjet, paditë, ankesat etj., duhet të përpilohen në gjuhën shqipe.”

Prijësit myslimanë shqiptarë, të ndërgjegjshëm për rrugën që duhej ndjekur, nënvizuan si prioritet përdorimin e gjuhës shqipe. Këtu në radhë të parë vlen të theksohet roli i Myftiut të Përgjithshëm Haxhi Vehbi Dibra, i cili, më 14 dhjetor 1920, u shpërndau një qarkore tjetër zyrave të sherive në prefektura dhe nënprefektura ku i urdhëroi ato se në të gjitha zyrat e sheriatit, duhet të përdornin gjuhën kombëtare. “Prandaj, jeni të urdhëruem mos me përdorë gjuhën turqishte ndër akte zyrtare, sikurse e kemi përdorë gjer më sot. Nga ky shkak, sekretarët, ashtu dhe shkruesat e gjyqeve sheri, janë të detyruem me ditë gjuhën kombëtare mirë, si me shkrim ashtu edhe me këndim. Veç kësaj, ilameve (shpalljeve) sheri, përherë do t’u ngjitet një shkurtim në gjuhën shqipe”. Për të përmbushur këtë qëllim, ai njoftoi se, të gjithë nëpunësit do t’i nënshtroheshin një kontrolli nga Gjyqi i Naltë i Sheriatit.

Realizimi i përdorimit të gjuhës shqipe në aktet e institucioneve fetare islame nuk ishte një proces i lehtë, prandaj kjo çështje u ndoq në vijimësi. Insistimi i H. Vehbi Dibrës për këtë çështje ishte i vazhdueshëm dhe këmbëngulës. Kështu, në një korrespondencë me gjyqin e sheriatit të Tiranës, Haxhi Vehbi Dibra shkruante: “Njitun u kthehet shkresa nr. 37, me 21 shkurt 1922, dërgue Gjyqit të Naltë të Sheriatit, si pyetje shkrue në gjuhën turqishte. Meqenëse korrespondenca lypset me e ba në shqipen zyrtare, jeni të porositun për të dytën herë që të mos i sillni këtij gjyqi shkresa të shkrueme në gjuhë të tillë, se nuk do shofin formalitet e duhura”.Në mars të vitit 1921, Haxhi Vehbi Dibra porosiste gjyqin e sherisë së Vlorës që në shkresat dhe aktet zyrtare të mos përdorte vulat turke, por të merrte sa më shpejt që të ishte e mundur një vulë me shqiponjë.

Në dokumente rezulton se krahas punës për ndërtimin dhe organizimin e institucioneve dhe të dikastereve të Fesë Islame pas Shpalljes së Pavarësisë, H. Vehbi Dibra i kushtoi vëmendje edhe punës me simbolet e fesë, me qëllim që edhe ato të kishin tipare krejtësisht kombëtare. Këtë e konstatojmë qysh në krijimin e Gjyqit të Naltë të Sheriatit më 1916, për të cilën u përdor një vulë, e cila në fillim ishte e thjeshtë, por që ndryshonte dhe nuk shëmbëllente aspak me vulat e përdorura në kohën e sundimit osman. Ndërsa në vitin 1921, vula do të përsosej dhe do të fitonte tipare të reja kombëtare, si në përmbajtje ashtu dhe në formë, me vendosjen aty të shkabës dy krenare të flamurit tonë kombëtar. Në këtë mënyrë, H. Vehbi Dibra futi praktikisht edhe në institucionet fetare, simbole të marra nga flamuri kombëtar.

Në vigjilje të Kongresit të Parë Mysliman

Pas mëvetësimit të teqesë bektashiane dhe përpjekjeve të para të mëvetësisë së kishës ortodokse, u shtrua konkretisht edhe çështja e organizimit fetar të shumicës së shqiptarëve, pra të myslimanëve, mbi baza kombëtare. Shtypi shqiptar i asaj kohe ishte i vetëdijshëm se domosdoshmëria e marrjes së masave për organizimin e bashkësisë islame të Shqipërisë mbi baza kombëtare dhe sa më përparimtare, kushtëzohej nga pozita gjeopolitike e vendit tonë: “Një ndryshim të tillë, – shkruhej ato ditë nëpër faqet e tij, – neve shqiptarët duhet ta ndjejmë më shumë për nevojë, sesa turqit; se duhet të marrim parasysh që ndodhemi në mes të Evropës dhe nuk mund të qëndrojmë indiferentë përpara ndryshimeve sociale, se është frika që armonia qytetnore na hedh jashtë rrethit të saj dhe kështu fati ynë do të qëndrojë në errësirë dhe demoralizim.”

Mbledhja e një kongresi të myslimanëve të Shqipërisë ka qenë dëshirë konsensuale e shprehur vazhdimisht nëpër qarqet islame. Për mënyrën e organizimit të këtij kongresi ka pasur mendime të ndryshme dhe është bërë edhe një lloj përgatitje nga vetë prijësit myslimanë. Por çështja u shty për shumë shkaqe, vendi ishte i okupuar, nuk gjendej zgjidhje ekonomike për zhvillimin e punimeve të Kongresit, po ashtu, edhe për probleme të tjera si: zgjedhja e delegatëve, koha, vendi, etj.

Nismëtarët, organizatorët dhe pjesëmarrësit e Kongresit qenë veprimtarë të dalluar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në periudhën e fundit të sundimit osman. Ata kishin marrë pjesë aktivisht në lëvizjen për organizimin e klubeve atdhetare, për hapjen e shkollave kombëtare, për përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe me alfabetin latin. Për të ilustruar sa u tha më sipër, mjafton të kujtojmë qëndrimin atdhetar dhe të vendosur që Haxhi Vehbi Dibra, Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu e të tjerë mbajtën në Kongresin e Dibrës, të vitit 1909. Ata u imponuan qeveritarëve të rinj xhonturq futjen në programin e Kongresit, kërkesa të cilat çonin në sendërtimin e programit autonomist të Rilindjes. Ata u imponuan organizatorëve të Kongresit edhe kërkesën për hapjen e shkollave shqipe dhe mësimin e gjuhës shqipe me alfabetin që dëshironte populli. Kjo kërkesë e tyre përputhej plotësisht me vendimin e Kongresit të Manastirit.

Drejtuesit fetarë atdhetarë të sipërpërmendur, u gjendën në këto pozicione jo vetëm në sajë të atdhetarizmit, por edhe për shkak të formimit të tyre intelektual. Ata përfaqësonin në të njëjtën kohë personalitete të shquara të kulturës islame. Shumë prej tyre qenë njohës të thelluar të kësaj kulture: të gjuhëve të Lindjes, të filozofisë, të moralit, të së drejtës e, në mënyrë të veçantë, të letërsisë. Me këtë formim ata dëshmuan një shkallë të lartë vetëdijesimi atdhetar.

KONGRESI I PARË MYSLIMAN

(24 shkurt – 12 mars 1923)

Vitet ’20 veçohen për një meritë të dyanshme. Për meritë të Komunitetit Mysliman Shqiptar, i cili, krahas mëvetësimit, kuptoi drejt rolin dhe pozicionin e vet në një shtet multifetar, duke ndërtuar një fizionomi të vetën, ngritur mbi postulatin “Dashuria për atdheun rrjedh nga besimi”. Po ashtu, për meritë të shtetit shqiptar të asaj kohe, i cili në kushte kur i duhej të vetë-ndërtohej, diti t’i hapte rrugë ndërtimit të komuniteteve fetare, të afta për mbijetesë dhe ndërtimit me to të marrëdhënieve të drejta e ligjore, në pozitat e një shteti laik, i cili është i ndërgjegjshëm për vendin dhe rolin e religjionit në ngjizjen e një kombi vital dhe për të cilin të gjitha fetë janë njëlloj të respektueshme.

Nga gjysma e dytë e dhjetorit 1922, Haxhi Vehbi Dibra, i paraqiti qeverisë për miratim projektin e statutit të Xhematit Mysliman Shqiptar, për hartimin e të cilit kishte punuar nën kryesinë e tij, një komision i posaçëm i përbërë nga intelektualët më në zë të drejtuesve fetarë. Kongresin e parë të vitit 1923, do ta quanin Kongresi i themelimit të Komunitetit apo Bashkësisë Islame, i organizuar nga Gjyqi i Naltë i Sheriatit me ndihmën aktive të qeverisë, duke filluar nga zgjedhja e delegatëve deri te shpenzimet e tyre.

Gjyqi i Naltë i Sheriatit i drejtohet Kryeministrisë me një shkresë nr. 51, datë 28.01.1923 dhe e njofton se, meqë e shikon të nevojshme një Këshill të Myslimanizmit (Xhema’ati Islamije), për të cilin është folur e kërkuar shumë herë verbalisht edhe nga ana e popullit mysliman, ka caktuar që të bëhet një mbledhje për formimin e këshillit në fjalë me 20 shkurt 1923. “Kemi nderin me e lajmerue e me iu lut asaj te Naltes Kryesi me dhane urdhnat e duhura te gjith prefekturave e nenprefekturave per me dergue nga nji përfaqësues te zgjedhun rregullisht nga ana e popullit me anën e Bashkive. Perfaqsuesat e nalt-thanun, te jene te gjith qe te dijn me kendue e me shkrue mire gjuhen zyrtare dhe te jene te ditun. Bashke me kete te jene besimtare feje te plote dhe me moral te mire. Mbledhja do te bahet ne Kryeqytet ne vend qe ka me u shenue ku ka marre pjese dhe nje përfaqësues i Qeverise. Me lutje te na lajmerohet përfundimi.”

Këshilli Ministror me vendim nr. 57, datë 29.01.1923 i jep lejen e kërkuar Gjyqit të Naltë të Sheriatit për të bërë mbledhjen e përgjithshme më 20 shkurt 1923 për formimin e Këshillit të Myslimanizmës (Xhema’ati Islamije) e kërkuar shumë herë prej popullit shqiptar mysliman. Kurse Ministria e Punëve të Brendshme njofton me datë 24.02.1923 Gjyqin e Naltë të Sheriatit që si përfaqësues i Qeverisë do të jetë z. Qerim Çelo, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë.

Edhe vetë Gjyqi i Naltë i Sheriatit njofton me telegram prefekturat e nënprefekturat se me 20 shkurt 1923 do të bëhet në kryeqytet një mbledhje e përgjithshme prej delegatëve myslimanë për formimin e Xhema’ati Islamijes. Me këtë mbledhje çdo prefekturë do të dërgojë një përfaqësi, e cila do të zgjidhet nga përfaqësuesit e krahinave të lagjeve myslimane, të cilët do të jenë zgjedhë me anë të pleqësive të tyre dhe pastaj do të votojnë nën kontrollin e bashkive. Delegatët që do të dërgohen këtu duhet të dinë mirë gjuhën zyrtare shqipe, të jenë besimtarë feje me dijeni të plota, si dhe me moral të mirë. Zgjedhjet të bëhen me një shpejtësi të madhe që t’ia mbërrijë mbledhjes në kohën e caktuar. Çështja e shpenzimeve u njoftohet më vonë.”

Më 7 shkurt 1923, ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu, njoftoi të gjitha prefekturat se, me vendim të Këshillit të Ministrave, i jepej leja Gjyqit të Naltë të Sheriatit për të bërë më 20 shkurt 1923, mbledhjen e përgjithshme për formimin e Këshillit të Myslimanizmës (Xhema’ati Islamijes) të kërkuar shumë herë prej popullit mysliman.

Gjyqi i Naltë i Sheriatit u dërgon më vonë letër Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bashkisë së Tiranës dhe shoqërisë Djelmnia Dibrane, ku u bën të ditur që mbledhja e planifikuar për datën 20 shkurt do të shtyhet në datën 24 shkurt në orën 09.00, për arsye se disa delegatë nuk arrijnë dot në kohë. Kongresi i filloi punimet në Tiranë, më 24 shkurt 1923, në ndërtesën e shoqërisë “Djelmnia Dibrane”, kryetar i së cilës ishte patrioti Dervish Hima.

Zhvillimi i Kongresit të parë Mysliman Shqiptar

Kongresi u përgatit dhe u hap me fjalën e H. Vehbi Dibrës, kryemyftiu i parë i Shqipërisë, emëruar nga qeveria e Ismail Qemalit menjëherë pas Shpalljes së Pavarësisë. Në fakt, pavarësia e xhamisë shqiptare fillon qysh me këtë vendim, me idenë e qeverisë së Ismail Qemalit për ta emëruar vetë  kryemyftiun e vendit. Kongresi vetëm do t’i jepte karakter traktateve të kësaj pavarësie. Rishfaqja e H. Vehbi Dibrës në këtë rol, që e kish marrë përsipër që më 1912, si detyrë dhe përgjegjësi kombëtare, shpreh një vijimësi përpjekjesh për një qëllim të lartë. “Dera e mejtimit të ixhtihadit (pikëpamjeve) nuk asht mbyllun dhe jemi gati për me i mejtue disa çështje fetare, se me ndërrimin e kohës, ndërrojnë edhe gjykimet”, – u shpreh në fjalën e hapjes H. Vehbi Dibra.

Siç vihet re, një nga nismëtarët, organizatorët dhe drejtuesit kryesorë të këtij Kongresi e kishte ideuar dhe konceptuar këtë tubim në përputhje të plotë jo vetëm me interesat e bashkësisë islame, por dhe me interesat e shtetit dhe të kombit shqiptar. Kjo detyrë e rëndësishme, sa fetare aq dhe atdhetare, mendohej të realizohej, çka është e kuptueshme, pa cenuar shtyllat e besimit islam. Pra, ky tubim nuk do të ishte një mbledhje e zakonshme e organizmave të bashkësisë islame në Shqipëri. Kryetari i këtij Kongresi vinte në këtë mbledhje me një koncept të qartë dhe të gjerë të detyrave që qëndronin përpara bashkësisë islame në Shqipëri, me një koncept bashkëkohor të masave dhe të vendimeve që duheshin marrë nga delegatët e zgjedhur.

Në vijim të fjalës së tij të hapjes, Kryemyftiu i Shqipërisë, duke marrë parasysh gjendjen fetare të vendit, shtronte para mbarë besimtarëve myslimanë detyrën për të vënë mbi gjithçka bashkimin dhe vëllazërimin kombëtar të mbarë shqiptarëve, pa dallim besimi. “Sikurse e dini zotëria e juaj, popullsia e Shtetit tonë përmbahet prej tre elementësh d.m.th. Mysliman, Katolik dhe Ortodoks, po në pikëpamje të Kombësisë në mest kemi një vllaznie të plotë e të patundëshme, e nuk mund të thohet e të kuptohet asnji send qi e tund atë vllaznie të plotë. Çashtja e fesë asht nji çashtje e posaçme e sejcilli asht i lirë për me e sigurue forcimin e fesë së vet. Ky organizim i fesë sonë asht vendosun qysh në Kongres të Dibrës. Fatzezë, po luftat ballkanike etj., e ndaluen këtë qëllim.”

Në seancën e dytë, Kongresi zgjodhi një komision që do të punonte për hartimin e statutit, i cili ishte dokumenti më i rëndësishëm i mbledhjes së myslimanëve shqiptarë. Komisioni që u ngarkua me përgatitjen e projekt-statutit i vazhdoi bisedimet dhe formuloi projektin e paraqitur, ku ndër të tjera shkruhej: “Sikurse shihet në këtë projekt-statut, duke u marrë parasysh qëllimet esenciale të organizimit, Statuti merr emrin Statuti i Trupit Xhema-atit Mysliman Shqiptar, në të cilin jemi munduar të përmbledhim disa themele për sigurimin e mbarëvajtjen e organizimit të këtij trupi për sa i përket sigurimit të një morali të pastër e zhvillimit lëndor e ekonomik, duke u larguar kryekëput nga politika. Përbërja e trupit mysliman shqiptar për sigurimin e qëllimeve të sipërshënuara e forcimin vëllazëror ndërmjet shqiptarësh, i ngarkohet Këshillit të Naltë të Xhematit e ndihmës plot me vullnet të patundshëm të shqiptarëve myslimanë.”

Në nenin 1 të këtij statuti shkruhej: “Për përmisimin e rregullimin e trupit Mysliman, u formue Xhema-ati Islamija në Shqipni. Xhema-ati Islamija përmbahet me këto Këshilla: a) Këshill i Naltë i Sheriatit, b) Këshillat e Xhema-atit.” Në statut, titulli i kadillikut e i nijabetit dhe fjala gjyq u hoqën, kryetarët e zyrave sheri, tani e tutje do të përmbajnë titullin myfti. Ndërsa Gjyqi i Naltë i Sheriatit merr titullin Këshilli i Naltë i Sheriatit. Organi më i lartë mysliman në Shqipëri, po sipas këtij Statuti, ishte Kryesia e Këshillit të Naltë të Sheriatit. Kryesia e Këshillit të Naltë të Sheriatit drejtohej nga Myftiu i Përgjithshëm.

Rëndësi të madhe kishte fakti se Statuti Mysliman përjashtonte dhe ndalonte çdo autoritet shpirtëror jashtë Shqipërisë, çka e shihte atë kundër idealit kombëtar. Personi që do të vendosej të drejtonte Kryesinë e Këshillit të Naltë të Sheriatit duhet të kishte këto cilësi: Së pari, të ishte nënshtetas shqiptar dhe të dinte gjuhën shqipe; së dyti, të gëzonte të drejtat civile e politike; së treti, të ishte prej racës shqiptare ose me origjinë shqiptare prej tre brezash. Këtë post nuk mund ta zinin ata persona të cilët, duke filluar nga data 28 nëntor 1912 kishin luftuar kundër çështjes kombëtare. “Myftiu i Përgjithshëm do të ketë marrë ixhazet ose të ketë mbaruë shkollën e neyv-vabit, do të ketë zotsi të plotë në dijeni fetare e moral Kombtar, do të dijë me shkrue Shqip e do të ket mbush 35 vjeçë e t’mos jetë i dënuë prej nji gjygjit ordinerë.”

Në përfundim të punimeve më 12 mars 1923, Kryetari i Kongresit Mysliman Shqiptar Haxhi Vehbi Dibra i drejtoi Kryeministrisë një letër ku e vinte në dijeni se Kongresi i kishte mbyllur punimet me sukses të plotë, duke zgjedhur në bazë të neneve 6 dhe 7 të statutit edhe anëtarët e Këshillit të Naltë të Sheriatit. Zgjedhjet u përfunduan si vijon: Z. Vehbi Dibra, vota 30 – dijetar (zgjidhet Kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar); z. Hafiz Ali Korça, 29 vota – dijetar; z. Vejsel Nailiu 27 vota – dijetar; z. Haxhi Adem Bab 28 vota – tarikat; z. Sheh Ibrahim Karbunara 26 vota – tarikat. Nga civilët: Qamil Bala, vota 28 – civil; Reshat Kokalari 20 vota – civil; Drejtor i Përgjithshëm i Vakfeve u zgjodh z. Salih Vuçiterni me 32 vota. Me vendimet që mori, ai shënon një ngjarje të rëndësishme historike, jo vetëm për besimtarët e fesë islame, por për mbarë popullin shqiptar.

Në Statutin e vitit 1923, jo vetëm që nuk bëhej fjalë për ndonjë lidhje me kalifatin, por, konfirmoheshin ‘de jure’ vendimet e vitit 1913, kur si Myfti i Përgjithshëm i Shqipërisë ishte zgjedhur Haxhi Vehbi Dibra. Ky ishte dhe Kongresi i shpalljes së pavarësisë së xhamisë shqiptare, duke shkëputur kështu zyrtarisht çdo marrëdhënie me Turqinë. Një akt i tillë u prit me entuziazëm dhe u komentua gjerësisht në faqet e shtypit të kohës. Deri më sot nuk kemi arritur të gjejmë ndonjë dokument mbi qëndrimin që mbajti Stambolli ndaj pavarësisë së xhamisë shqiptare. Ndonëse kjo ngjarje nuk mund të ketë kaluar pa u vënë re nga qeveria turke, fakt është se ajo nuk ndërmori ndonjë veprim apo reagim publik, për vetë faktin se bashkësia myslimane e Shqipërisë ‘de facto’ e kishte fituar mëvetësinë e saj që kur vendi ynë u shkëput nga Perandoria Osmane.

Kongresi hartoi Statutin, u mor me organizimin, caktoi kompetencat dhe të drejtat e tij, në pajtim me ligjet e shtetit në fuqi. Komuniteti doli si ent më vete; organizoi udhëheqësit fetarë, nëpunësit fetarë, shkollat dhe gjykatat fetare, të cilat zbërthenin çështjet me karakter fetar – kurorëzime, divorce, trashëgimi dhe pasojat e tyre si dhe administronin pronat vakfnore. Ministria e P. të Brendshme me 8 prill 1923 njofton se të gjithë kleret, derisa çështja e tyre të rregullohet me ligj, do të varen nga Ministria e P. Brendshme.

Komuniteti përpiloi buxhetin e vet që e përballonte me të ardhurat e veta dhe me subvencionin që i jepte qeveria. Në këtë kohë Komuniteti mbante emrin “Xhema’ati Islamije”, që përbëhej prej një Këshilli të Naltë të Sheriatit me pesë anëtarë, në krye të të cilëve qëndronte Myftiu i Përgjithshëm. Ky Këshill i Naltë zgjidhej nga Kongresi, ku merrnin pjesë delegatë nga të gjitha anët e Shqipërisë. Këshilli i Naltë zgjidhej për pesë vjet. Vartësit e Këshillit të Naltë ishin: 1) Myftinjtë e qarqeve; 2) Sekretarët e vakfeve që merreshin me administrimin e të ardhurave vakfnore, 3) Sekretarët e sherisë, të cilët merreshin me martesat, shkurorëzimet, etj. 4) Mytevelijtë që administronin mirëmbajtjen e pasurive vakfnore dhe faltoret.

Detyrat e Këshillit të Naltë të Sheriatit ishin: Të sigurojë njësinë dhe barazinë ndërmjet myslimanëve, si dhe të nxjerrë në pah shpirtin dhe qëllimin e Sheriatit, duke zhdukur të gjitha besëtytnitë dhe zakonet e këqija, të cilat nuk kanë të bëjnë fare me Islamin. Të ngrejë institucionet fetare për nxjerrjen e Vaizëve, Myftive, Myderrizëve, Teologëve, Imamëve dhe Hatibëve. Të përmirësojë punën në Medrese, sipas principeve dhe metodave moderne. Të ngrejë streha vorfënore, të studiojë dhe të shqyrtojë raportet e paraqitura nga Drejtoria e Përgjithshme e Vakfit, të kontrollojë buxhetin e përgjithshëm të përgatitur nga Drejtoria e Financës, të emërojë dhe të shkarkojë sipas rregullave të aprovuara të gjithë nëpunësit e Sherisë dhe të vakfeve, të shqyrtojë dhe të zgjidhë të gjitha akt-vendimet dhe fetvatë, të përgatisë rregulloren e administrimit të përgjithshëm. Të sigurojë botimin e një reviste të paktën njëherë në muaj, të botojë dhe të përkthejë librat e nevojshëm për shtimin e kulturës islame, të përkujdeset për të ngritur më lart mësimin e besimit, si dhe të përgatiten në gjuhën shqipe hytbet dhe predikimet që mbahen para xhematit.

Vënia e veprimtarisë së Komunitetit Mysliman mbi baza ligjore, ngritja e një arsimi të qëndrueshëm fetar me programe të kohës, dhënia e një fryme kombëtare ceremonive fetare nëpërmjet përdorimit të gjuhës shqipe në predikime, mirëkuptimi në organizimin e drejtësisë mbi baza civile, ndërtimi i marrëdhënieve me shtetin në bazë të një kuptimi modern të një shteti laik, dhe, mbi të gjitha, pavarësia institucionale e Komunitetit Mysliman, si një vepër origjinale, janë gurë të një kurore plotësisht të merituar. Aktet e Kongresit Mysliman Shqiptar të vitit 1923, më shumë se në çdo rast tjetër, duke përshirë edhe periudhën e sotme “të evropianizimit të përgjithshëm” përmbajnë një mendim të reformuar, liberal, të përshtatur për rrethanat e një shteti që jeton në mesin e Evropës, për të cilin feja është e ndarë nga shteti dhe çështje e individit. Komuniteti Mysliman arriti të vetorganizohet mjaft mirë, në një përvojë të re pothuaj të panjohur, ndërkohë që në plan kombëtar rrezaton një patriotizëm të flaktë dhe përgjegjshmëri të plotë ndaj problemeve sociale që kalonte vendi.

Administrata e Komunitetit Mysliman është vendosur fillimisht në godinën e Mejtepit në Pazarin e vjetër, tashmë i shkatërruar. Kurse ndërtesa e Komunitetit Mysliman u ndërtua në fillim të viteve 1930-të pranë Xhamisë së Vjetër (Sulejman Pasha), e cila është prishur me ndryshmet urbanistike që ka pësuar Tirana në vitin 1967.

Kongresi i Parë Mysliman Shqiptar dëshmoi qartësisht tubimin e një bashkësie me identitet kombëtar të përcaktuar dhe të shprehur prej kohësh, me një përfytyrim bashkëkohor për zhvillimin e saj dhe të Atdheut. Lajmi për vendimin kryesor të Kongresit për mëvetësinë e xhamisë shqiptare, shkëputjen e saj nga organizmat qendrore botërore të Islamit të kohës, u prit kudo me miratim dhe entuziazëm të theksuar nga gjithë opinioni publik shqiptar. U përshëndet nga të gjithë banorët e vendit tonë, duke u shndërruar në një festë të vërtetë, në të cilën morën pjesë banorë pa dallim besimi. U bënë lutje fetare në gjuhën shqipe dhe ky lajm i rëndësishëm u përshëndet edhe me të shtëna artilerie.

Qëndrimet pozitive të mbajtura nga organet e shtypit islam dhe nga shtypi shqiptar i kohës për Kongresin, me ndonjë përjashtim shumë të rrallë, janë shprehje e një mendësie moderne mbarë-popullore, që kishte përfshirë të gjitha masat myslimane të vendit. Kongresi gëzoi edhe vlerësimin e vëmendjen e opinionit ndërkombëtar. Përveç shtypit vendas, gazetat me emër si “New York Times” në Amerikë, “Temps” e Parisit, “El-Ahram” e Egjiptit …etj, përshëndetën Kongresin e Parë Mysliman dhe vendimet e tij.

Dorian Demetja

 

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë