Këshilli Botëror i Paqes themeluar nga Sheikh Kasem Bader dhe Misioni Diplomatik Paqe dhe Prosperitet me Guvernator Dr. Shefki Hysa organizuan në Tiranë Kongresin Ndërkombëtar të Paqes, me mbështetjen e të gjitha komuniteteve fetare në vendin tonë.
Kreu i Këshillit Universal të Paqes me seli në Amerikë dhe Izrael, Sheikh Kasem Bader u shpreh se edukimi është çelësi që në çdo vend të botës të ekzistojë paqja. “Jam i lumtur të gjendem në vendin e traditave dhe i mahnitur nga mikpritja. Qëllimi është të përhapim misionin dhe fjalën e paqes kudo në botë. Edukimi është çelësi kryesor i suksesit dhe përhapjes së paqes. Vetëm kështu ecën paqja përpara. Ky është dhe qëllimi ynë kryesor për të cilën po lobojmë fort.”, tha Sheikh Kasem Bader.
Kongresi bën bashkë partnerë ndërkombëtarë, organizata dhe personalitete të tjera të shquara te fushave te ndryshme, për të diskutuar rëndësinë e paqes, shmangien e luftës, duke përfshirë pjesëmarrjen dhe pikëpamjet e liderëve rinorë, rolin dhe fuqinë që ata kanë për të ndikuar në të ardhmen për Paqen Botërore. Kongresi i paqes i kushtoi vëmendje edhe xhubletës shqiptare qe tashme ruhet nga UNESCO dhe trashëgimisë kulturore të Shqipërisë.
Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Taulant Bica, gjatë fjalës së tij vuri theksin te rëndësia e paqes globale dhe veçoi Shqipërinë si model i paqes e harmonisë ndër fetare.
“Në një kohë kur lufta është rikthyer të jetë në qendër të vëmendjes, duke shkaktuar kështu edhe kriza ekonomike, sociale dhe humanitare, të cilat kanë prekur mbarë rruzullin. Për këtë arsye është momenti i duhur, që ne, një komb i cili është shembull për mbarë rajonin dhe Evropën, për paqen dhe bashkëjetesën ndërmjet besimeve, të japim të gjithë njëzëri mesazhin e paqes dhe dashurisë, i cili në fakt buron natyrshëm nga të gjitha fetë.
Paqja është gjëja më e shtrenjt për njerëzimin. Kjo fatkeqësisht shpesh herë mbetet vetëm si fjalë e thënë por ne duhet ta duam paqjen dhe ta ushqejmë atë çdo ditë. Madje, jo vetëm drejtuesit por gjithsecili prej nesh mund të kontribuoje për paqjen, për harmoninë, për të mirën.
Paqja nuk është thjeshtë mungesa e luftës por një koncept shumë më i gjërë se kaq.
Qënia njerëzore ka nevojë të jetë në paqje së pari me veten, me familjen, me komunitetin, me kombin e vet dhe me të tjerët që mendojnë ndryshe nga ata.”,- tha ndër të tjerat z. Bica në fjalën e tij.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë