Programi i Kurban Bajramit filloi që në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme në sheshin “Skëndërbej”, Tiranë, me lexim Kurani nga imami i xhamisë “Et’hem Bej”, z. Elton Karaj.
Ceremonia vijoi më tej me fjalën përshëndetëse të Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i cili përcolli për besimtarët e pranishëm disa nga urtësitë e kësaj feste.
“Kurban Bajrami është një festë madhështore sepse ajo buron nga një akt i pashembullt dashurie, bindjeje dhe durimi i njeriut ndaj Krijuesit të gjithësisë. Është historia e sprovimit të dy profetëve të mëdhenj, Ibrahimit (a.s.) dhe djalit të tij profet, Ismailit (a.s). Historia e tyre nuk është një tregim mitologjik. Historia e tyre është e vërtetë. Kjo histori është një shembull që përcjell mesazhe të jashtëzakonshme për mbarë njerëzimin. Besimi i sinqertë në Zot i zgjon njeriut një pasion të jashtëzakonshëm dhe e ngre atë në grada më të larta se engjëjt. Nëpërmjet besimit njeriu nuk heq dorë nga asgjë, përkundrazi, nëpërmjet besimit ai merr gjithçka saktësisht në po atë masë që punon për të, madje punët e mira shpërblehen shumëfish.” – u shpreh Kryetari Spahiu.
Më tej ai u lut për më shumë solidaritet, paqe e harmoni mes nesh në këtë ditë të bekuar.
“Të dashur motra dhe vëllezër, sot në vendet e shenjta ndodhen miliona besimtarë për të kryer haxhin, e mes tyre qindra nga Shqipëria. I lutemi Zotit që t’ua pranojë lutjet atyre dhe neve. I lutem Zotit që t’ua pranojë kurbanet që bëhen në emër të Tij çdo njeriu. I lutem Zotit që ky Bajram të shërbejë si reflektim i brendshëm për çdo njeri. Të bëhemi më të fortë në besim ndaj Zotit, më të dashur e solidarë me njëri-tjetrin. T’u shtrijmë dorën e ndihmës atyre që kanë më shumë nevojë. I lutem Zotit që në botë të mbizotërojë paqja dhe prosperiteti mes popujve. I lutem Zotit që kombi ynë të përparojë në çdo aspekt. Edhe një herë dua t’i uroj përzemërsisht gëzuar Kurban Bajramin çdo familjeje shqiptare!” – u shpreh kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në fjalën e tij të rastit.
Fill pas fjalës së Kryetarit Spahiu, ishte momenti i faljes së namazit të Kurban Bajramit, namaz në të cilin mijëra besimtarët e mbledhur me këtë rast i priu po ai.
Kjo ceremoni u mbyll me hutben e bajramit, hutbe të cilën e mbajti Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Taulant Bica.
Në fjalën e tij, z. Bica, ndau me mijëra besimtarët e pranishëm mesazhe të shumta paqeje dhe solidariteti.
“Sot është dita që shkrin zemrat e ngurta, dita ku mëria, smira, xhelozia e urrejtja mposhten kundrejt dashurisë, mirësisë dhe lumturisë. Sot është dita ku gëzohet çdo shtëpi myslimani, i pasur apo i varfër, jetim apo i pastrehë qoftë. Sot është dita ku së bashku përjetojmë bukuritë e fesë tonë Islamit. Allahu na mundësoftë të qëndrojmë në rrugën e Tij të drejtë. Allahu na pranoftë adhurimet dhe kurbanet. Paqja, gëzimi dhe harmonia qoftë mbi të gjithë ju!” – tha ai.
Më pas besimtarët e pranishëm në shesh u shpërndanë për të festuar bashkërashit me familjet dhe të afërmit e tyre.