Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është institucioni më i lartë dhe i vetëm i përfaqësimit zyrtar të myslimanëve në Republikën e Shqipërisë.
Si i tillë ky komunitet është një institucion i pavarur dhe vetëqeverisës, i cili ka një statut të rregjistruar dhe të njohur nga organet përkatesë të Republikës.
Bazuar në statutin e tij, Komuniteti Mysliman është në periudhë zgjedhjesh të përgjithshme në të gjitha nivelet e organizimit të tij, nga qeliza më e vogël (xhamia) në rang myftinie e deri në plotësimin e Këshillit të Përgjithshëm, që është organi më i lartë i institucionit tonë.
Në të gjitha hallkat ky proces është ndër më demokratikët në vend dhe funksionon si i tillë në çdo proces elektoral dhe vendimmarrje më pas.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë gjen rastin të falenderojë të gjithë myftinjtë, imamët dhe anëtarët e këshillit të xhamive dhe myftinive në Republikën e Shqipërisë për angazhimin në njësitë e tyre qeverisëse për menaxhimin, mbarëvajtjen dhe garantimin e një procesi zgjedhor të lirë, demokratik dhe të barabartë për të gjithë, konform statutit.
Ne jemi krenarë dhe mbështetës të pakushtëzuar të myftinjve tanë, imamëve, e çdo personi që ka zgjedhur me dëshirë të japë kontributin e tij në përçimin e vlerave madhështore të islamit në Shqipëri.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është i vendosur t’u qëndrojë fort parimeve të drejta e të pastërta të islamit dhe të ndjekë traditën e paraardhësve tanë.
Komuniteti Mysliman është gjithashtu i vendosur të mbështesë e t’i qëndrojë fort vlerave demokratike dhe euroatlantike të vendit tonë, ashtu siç ka qenë në një shekull ekzistencë të tij.
Asnjë shpifje apo sajesë nuk do të mund ta cënojë aktivitetin dhe misionin e këtij institucioni për t’i shërbyer fesë së Zotit dhe kombit.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë