Ka nisur mbrëmë pas namazit të akshamit në Xhaminë “Kubelije”, në qytetin e Kavajës, sezoni i ri i mbrëmjeve fetare.
Për të ligjëruar për besimtarët e pranishëm të këtij qyteti, ishin: Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Nënkryetari, z. Taulant Bica si dhe imami e njëkohësisht Drejtori i Marrëdhënieve me Xhematin në KMSH, z. Shpëtim Seranaj.
Në fjalën e tij hapëse, Myftiu i Kavajës, z. Besnik Leçini, pasi ju uroi mirëseardhjen të pranishmëve, u ndal në rëndësinë e zhvillimit të takimeve të tilla me besimtarët si një praktikë e domosdoshme në freskimin e vlerave të besimit tek të gjithë ne.
Më pas, fjalën e mori kryetari Spahiu, i cili referoi mbi muajin e lindjes së profetit Muhamed (a.s), ngjarje madhore, jo vetëm për besimtarët por edhe për mbarë njerëzimin.
“Profeti Muhamed (a.s.) hodhi themelet e paqes në shoqëri. Ai është Profet që foli dhe veproi për çdo aspekt të jetës njerëzore. Atij i’u besua nga Zoti libri i sekreteve dhe urtësive të mëdha, Kurani Famëlartë. Ai vendosi të drejtat e grave, udhëzoi që të jemi të sjellshëm me prindërit, të trajtojmë fëmijët me dashuri, të respektojmë fqinjët dhe të afërmit, të ndihmojmë të varfërit dhe nevojtarët dhe të tregojmë dhembshuri për të gjithë njerëzit, pavarësisht nga ngjyra e lëkurës, feja apo kombësia që i përkasim.”- theksoi ai gjatë fjalës së tij.
Më tej, fjalën e mori nënkryetari Bica, i cili pasi shprehu kënaqësinë e pjesëmarrjes në mexhlise të tilla ku përmendet dhe lartësohet feja e Allahut (xh.sh), u ndal në dashurinë që duhet të karakterizoj zemrat e besimtarëve karshi profetit Muhamed (a.s), e gjitha kjo si pjesë e pandashme e besimit tonë.
Kjo mbrëmje fetare u mbyll me referimin e imamit, Shpëtim Seranaj, referim i cili nxorri në pah disa nga karakteristikat mbreslënëse të lidhjes së sahabëve të nderuar me profetin e Zotit, Muhamedin (a.s).
Ky cikël mbrëmjesh fetare do të zhvillohet në xhami dhe qytete të ndryshme përgjatë gjithë sezonit në vazhdim.