Liderët e Këshillave Ndërfetarë të Evropës zhvilluan një vizitë në selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ku u pritën nga kryetari, H. Bujar Spahiu dhe drejtori i Kulturës z. Dorian Demetja.

Delegacioni europian kryesohej nga Presidenti i Këshillave Ndërfetar të Evropës (RfP Europe) Dr. Luigi de Salvia dhe përbëhej nga presidentët dhe drejtuesit e këshillave ndërfetarë të Shqipërisë, Gjermanisë, Bullgarisë, Britanisë së Madhe, Hollandës, Spanjës, Italisë dhe Belgjikës.

Pasi ju uroi mirëseardhjen të pranishmëve, kryetari Spahiu, i falenderoi ata që zgjodhën Shqipërinë për të zhvilluar mbledhjen e tyre vjetore. Më tej, ai u ndal në një rezyme të shkurtër rreth Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, institucioneve në varësi të tij si dhe kontributit në promovimin e vlerave universale dhe dialogut ndërfetar në shoqërinë tonë.

Ndërsa, Dr. Luigi de Salvia, vlerësoi punën dhe bashkëpunimin e komuniteteve fetare në Shqipëri si një model për t’u eksportuar edhe në vendet e tjera të Europës dhe më gjerë. Sipas tij, kjo ishte pikërisht edhe arsyeja se përse mbledhja e radhës së Këshillit Ndërfetar të Europës u vendos që të zhvillohej në vendin tonë.

Delegacioni i lartëpërmendur shoqërohej gjatë kësaj vizite në KMSH nga Prof. Genti Kruja, zv/president i Këshillave Ndërfetarë të Europës dhe njëkohësisht Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.

Ata do të qëndrojnë disa ditë në Shqipëri, ku do të zhvillojnë takime të ndryshme me liderët fetarë, bordet dhe departamentet e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, institucione akademike dhe arsimore në varësi të komuniteteve fetare në vendin tonë, si dhe vizita studimore në disa qytete, ku do të ndalen në objekte të ndryshe kulti.

  

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë