Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, ndodhet për një vizitë zyrtare në Kairo, ku po merr pjesë në konferencën e tetë ndërkombëtare, me temë: “Fetvaja dhe Sfidat e Mijëvjeçarit të 3-të”, e organizuar kjo nga Myftinia e Egjiptit, nën kujdesin e Shkëlqesisë së Tij, Abdul-Fetah el-Sisi, President i Republikës.
Kjo konferencë mblodhi së bashku drejtues institucionesh fetare, studiues dhe akademikë nga më shumë se njëqind vende të botës.
Fokusi i temave të trajtuara gjatë këtyre dy ditëve në të cilat po zhvillon punimet e saj konferenca, janë problematikat më aktuale dhe të rëndësishme që lidhen me fetvanë dhe standardizimin e punës me të.
Në një nga sesionet e konferencës, kryetari Spahiu, mbajti edhe një kumtesë, ku theksoi rëndësinë e organizimeve të tilla ndërkombëtare për të analizuar sfidat e reja që po sjell ky mijëvjeçar në fushën e fetvasë.
“Kjo konferencë shquhet për karakterin e saj të ndryshëm nga paraardhëset e saj dhe vizionin për të ardhmen, duke shpalosur këtu mes nesh dhjetëra tema diskutimi që i përgjigjen kërkesave të kohës në një mënyrë që ruajnë edhe bazat e patjetërsueshme të fetvasë.” – tha ai gjatë fjalës së tij.
Gjatë qëndrimit në Kairo, kryetari Spahiu, zhvilloi disa takime me personalitete të ndryshme në kuadër të kësaj konference, veçojmë këtu takimin me Myftiun e Egjiptit, dr. Sheuki Ibrahim Al-lam.