Në kuadër të muajit të bekuar të Ramazanit, Myftinia e Sarandës zhvilloi një simpozium kushtuar vlerave të larta të këtij muaji.
I zhvilluar në ambientet e qytetit bregdetar, ky simpozium bëri bashkë Kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Myftiun e Sarandës, z. Bledar Mullaj, Myftiun e Delvinës, z. Bledar Ali, Myftiun e Fierit, z. Mikel Hazizolli, Myftiun e Gjirokastrës, z. Aorel Senja, si dhe besimtarë të shumtë të jugut të Shqipërisë.
Në fjalën e tij hapëse, Myftiu i Sarandës, z. Mullaj, pasi falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, u ndal shkurtimisht në rëndësinë e këtij organizimi në rifreskimin e atmosferës shpirtërore në prag të 10-ditëshit të fundit të Ramazanit.
Ndërsa kryetari Spahiu, fillimisht vlerësoi punën dhe përkushtimin e myftinjve të Sarandës dhe Delvinës si mjaft frytdhënëse ndër vite, në misionin e përhapjes së kësaj feje të bukur e të pastër me të cilën na ka begatuar Zoti i Gjithësisë.
Më tej, ai ndau me të pranishmit komentimin e ajetit 183 të sures El-Bekare, ku Allahu (xh.sh) urdhëron agjërimin për të gjithë besimtarët, duke theksuar dobitë e shumta shpirtërore që ka ky adhurim.
“Të devotshëm janë ata që janë larguar prej asaj që e ka ndaluar Zoti dhe njëherazi zbatojnë urdhrat dhe obligimet e Tij, të devotshëm janë ata që largohen prej gjynaheve e adhurimin e kanë të sinqertë ndaj Zotit të Lartësuar. Të devotshëm janë ata që e kanë frikë dhe i nënshtrohen plotësisht urdhërave të Zotit. Të devotshmit janë shëmbëlltyrë e vlerave të larta, janë besimtarë besnikë. Të devotshmit nuk kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por janë zbatues të sunetit të Muhamedit (a.s.)” – veçoi z. Spahiu gjatë fjalës së tij.
Aktiviteti u zhvillua më tej me referimin e Dr. Hamed el-Wahibi, myftinjve të Delvinës, Fierit dhe Gjirokastrës, të cilët trajtuan aspekte të ndryshme të këtij muaji të begatë në të cilin ndodhemi.
Pjesë e këtij organizimi ishte edhe darka e iftarit të shtruar nga Myftinia Sarandë për besimtarët e shumtë që morën pjesë.