Besimtarët myslimanë kanë nisur sot që në orët e para të mëngjesit të festojnë Kurban Bajramin.

Ceremonia kryesore e faljes u zhvillua në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë, ku mijëra besimtarë myslimanë falën namazin e Kurban Bajramit dhe qindra mijëra të tjerë kanë festuar dhe kryer faljen në sheshet e çdo qyteti të vendit.

Para faljes së namazit të Kurban Bajramit, besimtarët ndoqën një program të shkurtër, program i cili filloi me këndimin e një pjese të Kur’anit Famëlartë nga imami i xhamisë “Et’hem Bej”, z. Elton Karaj.

Ceremonia vazhdoi me fjalën përshëndetëse të Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i cili uroi besimtarët myslimanë dhe gjithë shqiptarët kudo që ndodhen për festën e Kurban Bajramit.

“Le të shërbejë kjo festë si fillimndryshim i madh për ne, si një pikënisje për reformim shpirtëror dhe kulturor, duke u bërë më të përkushtuar për Krijuesin dhe më të lidhur me njëri-tjetrin. Kështu, duke pasur Krijuesin synim dhe duke parë në tjetrin përgjegjësi, ne mund të kthehemi në shoqëri shembullore, në shoqëri ku vlerat janë imazhi më i theksuar i saj”– u shpreh z. Spahiu.

“Është porosi hyjnore të kërkuarit e diturisë dhe shfrytëzimi i mendjes për të prodhuar dituri potenciale, e cila do të ishte në gjendje të transformohej në dituri aktive dhe kreative me përfitime vetjake e shoqërore”, – u shtoi z. Spahiu.

Ndërsa nënkryetari i KMSH-së, z. Taulant Bica, mbajti ligjëratën para faljes së namazit të Kurban Bajramit ku theksoi se kjo është dita e vëllazërisë, solidaritetit, gëzimit dhe lutjes.

“T’i lutemi Allahut në këtë ditë të madhe feste që të ndihmoi të gjithë besimtarët në vështirësi, t’i lutemi për njëri-tjetrin dhe për shoqërinë tonë, për të rinjtë shqiptar, për familjet tona dhe për fëmijët tanë, që të edukohen me vlerat morale e fetare.”, – tha z. Bica gjatë fjalës së tij.

Programi kulmoi me faljen e namazit të Kurban Bajramit, ku mijëra besimtarët e mbledhur në bulevard i priu kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu, për të vazhduar më pas me hutben e Bajramit, e cila u mbajt nga Myftiu i Tiranës, z. Gazment Teqja.

“Sa vjen vjen Kurban Bajrami zemra dhe mendja e besimtarit kujton sakrificën e madhe që njerëzit e mirë kanë bërë për hatër të Zotit. Sakrificë e cila na mëson se beteja më e rëndësishme e sicilit prej nesh fillon me abandonimin e çdo pasioni të shtrembër që injoron dhe shkel arsyen dhe njerëzoren”- tha ndër të tjera Myftiu i Tiranës.

Ndërsa Drejtori i Medias dhe Marrëdhënieve me Publikun në KMSH, z. Ejup Lila, i cili moderoi programin, u shpreh se kjo festë e madhe e përkushtimit, sakrificës, sinqeritetit, mirëkuptimit dhe vëllazërimit, i edukon të gjithë besimtarët me më shumë dashuri e respekt për njëri-tjetrin, me më shumë dëshirë e përkushtim për të kryer vepra të dobishme.

Në fund, besimtarët shkëmbyen mes tyre urimet më të përzemërta për këtë festë të dashurisë dhe sakrificës.

Mes urimesh dhe lutjesh besimtarët u larguan nga sheshi për të kryer obligimin e prerjes së kurbanit si dhe për të kryer vizita tek të afërmit e tyre.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë